Nishani me kryekomunarët para dekretit për Territorialen: Reforma të bazohet në Kushtetutë

Aug 20, 2014 | 19:04
SHPËRNDAJE

TIRANE- Presidenti i Republikes, Bujar Nishani ka zhvilluar paraditen e sotme takimin e planifikuar me perfaqesues te Shoqatës së Komunave ne lidhje me ligjin per reformen administrativo-territoriale. 

Sipas Nishanit, takimi vjen si përgjigje e mjaft kërkesave dhe ankesave që ka marrë përgjatë këtyre kohëve nga grupe interesi, shoqata si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe Shoqatës së Komunave në lidhje me reformën territoriale. Sipas tij, takimi konsultues eshte domosdoshmeri perpara se te shprehet me dekret, për një çështje të tillë me rëndësi kombëtare.

Kreu i Shtetit shqiptar e quajti reformën administrativo-territoriale “një çështje madhore kombëtare, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët në çdo cep të Shqipërisë, tek interesat dhe problemet e tyre, tek zhvillimi i territorit dhe ai ekonomik, tek infrastruktura dhe mbrojtja e mjedisit, e që është e lidhur gjithashtu edhe me sigurinë kombëtare”.

“Kryerja e kësaj reforme shumë të rëndësishme, e cila kërkon ekspertizë dhe profesionalizëm, i ngarkon me përgjegjësi historike të gjithë ata që qëlluan të jenë aktorë vendimmarrës në këtë moment të caktuar, duke shtuar se ka marrë me dhjetëra letra, peticione nga qytetarët ku shprehen ankesat, kërkesat dhe referimet e tyre lidhur me procesin që i parapriu hartimit të ligjit që pritet të shqyrtohet nga Kreu i Shtetit”- ka thene ai.

Sipas Presidences, pasi kreu i shtetit i dëgjoi me vëmendje mendimet, propozimet si dhe pikëpamjet e ndryshme të pranishmëve, vuri në dukje se reforma në fjalë në radhë të parë duhet të harmonizojë interesat jetike të qytetarëve shqiptarë me ato të shtetit.

“Mbështes plotësisht nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformës administrativo-territoriale duke e konsideruar atë si një çështje te rëndësishme, por kryerja e saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me interesat kombëtare, ato të qytetarëve dhe duhet të jetë një proces i mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”- tha ai.

Të pranishmit, pasi shprehën mirënjohjen e tyre për këtë takim konsultues me Kreun e Shtetit si dhe për mundësinë që po u jepej të përcillnin shqetësimet e qytetarëve që ata përfaqësojnë, u siguruan nga Presidenti Nishani se do të shërbejë si një zë i fuqishëm për të përcjellë interesat publike dhe problemet e qytetarëve duke theksuar nevojën e krijimit të një imazhi të konsoliduar të shtetit shqiptar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura