“Tërmeti sado i rëndë të jetë s’të mban dot me zor në pushtet, por as të çon automatikisht tek fitorja”- Patozi: Koha të mbrojmë atdheun

Dec 1, 2019 | 15:12
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Bindja, Astrit Patozi u kërkon banorëve të prekur nga tërmeti që të mos humbin asnjë sekondë nga jeta e tyre duke ndjekur atë që thonë politikanët.

astrit patozi selia

Sipas tij, çdo tërmet sado i fortë të jetë nuk mund të mbajë askënd në pushtet dhe as të sjellë dikë tjetër.

(Ose një këshillë modeste për motrat dhe vëllezërit e prekur dhe lënduar nga fatkeqësia)

Në këto ditë të vështira pas tragjedisë së 26 nëntorit, ju lutem, dëgjoni dhe respektoni sa më shumë dhe me përulje sizmiologët, inxhinierët, arkitektët, urbanistët, psikologët, madje edhe astrologët, po të doni, se edhe ata mund të jenë gjithsesi më të vlefshëm.

Mos humbni asnjë sekondë të çmuar të jetës suaj të tronditur dhe të traumatizuar, duke ndjekur atë që thonë politikanët, e aq më pak të futeni në debatin e pafundëm se cili është engjëlli midis tyre. Sepse edhe vetë këta të fundit duhet ta mësojnë se është e sigurt që tërmeti, sado i rëndë të jetë, as të mban dot me zor në pushtet, por as të çon automatikisht tek fitorja.

Sot është koha që ta mbrojmë atdheun, duke e nisur këtë aksion nga vetja, familja, pallati, lagjia dhe qyteti, të cilit i përkasim. Ata që thonë se në këto ditë të jashtëzakonshme po sakrifikojnë për flamurin dhe për Shqipërinë, janë thjesht mashtrues apo sharlatanë, të cilët po shtiren botërisht si patriotë.

Nesër do të ketë kohë boll për të bërë bilancet, prej të cilave jam i sigurt që askush nuk do të shpëtojë. Si ata, që bënë sa mundën për të ndihmuar të prekurit nga fatkeqësia, qoftë edhe duke heshtur apo duke u lutur për ta në distancë, ashtu edhe të tjerët, që nuk lanë gur pa lëvizur për t’ia shtuar artificialisht ballët tërmetit, ne mënyrë që të përfitonin politikisht prej tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura