Tërmeti i 26 nëntorit, gjykatat në Tiranë, Durrës e Lezhë pezullojnë punën: Deri kur të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm

Dec 2, 2019 | 16:05
SHPËRNDAJE

Gjykata-e-Larte

Gjykatat në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, kanë pezulluar punën për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26 nëntor, deri ne nje afat të pacaktuar.

“Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës”, thuhet ne vendim.

 

Vendimi i plotë i marrë sot në 2.12.2019

Për Pezullimin E Veprimtarisë Dhe Shërbimeve Gjyqësore Në Gjykatat E Qarqeve Durrës, Tiranë Dhe Lezhë

Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të ligjit nr.115/2019 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26.11.2019.

Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri.

Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës.

Kryetarët e gjykatave ngarkohen të marrin të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë me publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura