Tërmeti, flet sizmologu: Zonat më me risk në vend

May 20, 2014 | 12:44
SHPËRNDAJE

Prof.asoc. dr.Rrapo Ormeni
Flet Rrapo Ormeni, kreu i Departamentit të Sizmologjisë.

Sizmiologu: Ky ishte tërmet mesatar. Ja si t’i dallojmë lëkundjet e rrezikshme në Shqipëri.

Edhe pse nuk mund të parashikohen, tërmetet mund të dallohen se cili është më i rrezikshëm apo më i dëmshëm, mjafton që të jemi të vëmendshëm sa u përket goditjeve. Sigurisht kjo kërkon njohuri dhe përvojë rreth sizmologjisë.
Megjithatë, duke lexuar këtë intervistë të prof.asoc. dr.Rrapo Ormeni, të dhënë për gazetën “Panorama”, herë të tjera përpiquni të kuptoni llojin e tërmetit, duke pasur parasysh karakteristikat sizmike të zonës ku jetoni. Ormeni është specialist i vjetër i Sizmologjisë, ndërsa drejton këtë departament pranë Institutit të Gjeoshkencave në Tiranë…

Kur tërmeti është i shkallës 5.2 Rihter (7 ballë), si ai i djeshmi, quhet i tërmet i vogël, i mesëm apo i madh?
Tërmeti me magnitudë 5.2 Rihter (datë 19 maj, ora 02 e 59 min), i regjistruar nga Rrjeti Sizmologjik i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit e Mjedisit, Universiteti Politeknik i Tiranës, quhet mesatar, në të cilin futen tërmetet me magnitudë 5 deri 7 Rihter.

Si përcaktohet sizmiciteti i një rajoni të caktuar?
Sizmiciteti i një rajoni të caktuar përcaktohet në funksion të madhësisë së tërmeteve, si dhe shpeshtësisë së përsëritjes së tyre. Në këtë mënyrë, sizmiciteti i Shqipërisë karakterizohet nga një mikroaktivitet sizmik intensiv (1.0<M<3.0 Rihter), nga shumë tërmete të vogla (3.0<M£5.0 Rihter), nga tërmete të rralla me madhësi mesatare (5.0< M< 7) dhe shumë rrallë nga tërmete të forta (M>7.0 Rihter). Tërmetet e shkallës VII ballë janë tërmete në të cilat fillojnë dëmtimet në objekte, në sipërfaqe pranë zonës epicentrale. Edhe ky tërmet është shoqëruar me dëmtime të lehta në shtëpi dhe objekte pranë zonës epicentrale.

Tërmeti i djeshëm u ndje më shumë në zonën Belsh e Cërrik. A është përgjithësisht problematike kjo zonë, sa u përket tërmeteve? 
Tërmeti i sotëm (i djeshëm) u ndje më shumë në zonën e Belshit dhe në Cërrik, sepse epiqendra e tërmetit është 6 km në jug të Belshit. Kjo do të thotë se Belshi ishte në zonën epiqendrore dhe intensiteti më i madh ishte në këtë zonë, siç e tregojnë edhe të dhënat makrosizmike, pra dëmtimet në ndërtime dhe ndjeshmëria e tërmetit nga njerëzit të cilët frikësohen shumë në këtë madhësi të intensitetit. Zona ku ka rënë tërmeti, bën pjesë në zonën tërthore sizmoaktive Lushnjë-Elbasan-Dibër, e cila është një nga zonat më sizmoaktive të ndodhjes së tërmeteve, për sa i përket shpeshtësisë së tyre, por edhe madhësisë së energjisë që çlirojnë. Tërmetet në zonën Lushnjë-Elbasan-Dibër grupohen në katër tipa: tërmete që shoqërohen nga goditja kryesore dhe pasgoditjet që shoqërojnë deri sa ato shuhen; tërmete me paragoditje që bie para goditjes kryesore, por më i vogël në energji dhe pasgoditjet që e shoqërojnë; grumbuj tërmetesh, ku është një seri tërmetesh me nivel të përafërt magnitude; tërmete të përbëra, ku kemi disa goditje me magnitudë të dallueshme, të përafërt me njëra-tjetrën, në hapësirë dhe në kohë. Tërmeti që ra, bën pjesë në tipin: goditja kryesore dhe pasgoditjet që e shoqërojnë, deri sa ato shuhen.

Cila zonë është më problematikja në vend, sa u përket tërmeteve?
Zona Lushnjë-Elbasan-Dibër, ashtu si dhe zona joniko-adriatike dhe zona Korçë-Ohër-Peshkopi janë zonat më sizmoaktive në vendin tonë, në të cilat ndodhin mikrotërmete, tërmete të vogla dhe tërmete mesatare.

Nëse një tërmet bie një herë në një vend, a është e rrezikuar e njëjta zonë që të ribjerë tërmeti brenda 24 apo 48 orësh?
Siç e shpreha më lart, ky tërmet bën pjesë në tipin me goditje kryesore dhe pasgoditjet që shoqërojnë goditjen kryesore, deri sa ato shuhen. Ky tërmet është shoqëruar nga 7 pasgoditje të lokalizuara, me magnituda 2.6-4.1 Rihter. Deri sa të arrihet kjo gjendje ekuilibri, që do të thotë se do të çlirohet pjesa e energjisë e paçliruar nga goditje kryesore (main-shock), do të kemi tërmete të tjera më të vogla, që ne i quajmë pasgoditje (after shock).

A ka lidhje thellësia e rënies apo gjerësia e sipërfaqes me fortësinë e tërmetit?
Me fortësinë e tërmetit kanë lidhje dimensionet e vatrës së tij, pra përmasat e thyerjes që gjeneron tërmeti. Sa më të mëdha të jenë përmasat e thyerjes, aq më e madhe është energjia që çlirohet nga një tërmet. Pra, për tërmete të fortë, përmasat e thyerjes së masës shkëmbore që thyhet, janë më të mëdha se për tërmete të tjera më të vogla. Tërmetet e thella janë më pak të dëmshme se tërmetet e cekëta, sepse në tërmetet e cekëta e gjithë energjia që çlirohet, transmetohet në sipërfaqe tek objektet që ndodhen mbi të. Ndërsa në tërmetet e thella një pjesë e energjisë shuhet gjatë rrugës, deri sa transmetohet në sipërfaqe.

Cilët ndërtesa janë më rezistente ndaj tërmeteve, pallatet e vjetra apo pallatet e reja?
Një ndërtesë mjafton që të plotësojë parametrat e sigurisë, ndaj siç ka pallate të vjetra që janë delikate ndaj tërmeteve, ashtu ka edhe pallate të reja. E anasjella vlen njësoj…

Një apartament në kat të dytë apo të tretë a është më i rrezikuar apo më i mbrojtur ndaj tërmeteve, në rast se do ta krahasonim me një apartament në kat të shtatë, të tetë apo më lart?
Nëse ndodh tërmeti, apartamentet janë të ekspozuara njësoj ndaj rrezikut dhe nuk ka rëndësi se në cilin kat ndodhen.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura