Tërmeti dhe solidariteti me shqiptarët

Dec 4, 2019 | 9:37
SHPËRNDAJE

MEHMET PRISHTINA u1_MehmetPrishtina

Shqipëria ishte kryelajm i mediave botërore. Ekspertë të fushës së sizmologjisë japin sqarimet e tyre shkencore mbi përmasat dhe tipologjinë e tërmetit, që goditi zonën e Durrësit dhe të gjithë janë të një mendjeje se Shqipëria ndodhet në një epiqendër mjaft aktive sizmike, që është edhe një alarm shtesë ndaj të gjithë faktorëve për të reflektuar në ngritjen e parametrave ndërtimorë në pajtim me rrezikun, i cili mund të përsëritet sërish.

Tani kur fatkeqësia ka ndodhur, kur viktimat po numërohen dhe kur të mbijetuarit e fundit po nxirren nga rrënojat, nuk janë të pakta mediat, specialistët dhe njerëzit e ndryshëm vullnetmirë, që krahas dhimbjes së shprehur, të detektojnë edhe disa dobësi që dolën në sipërfaqe në periudhën, që ende zyrtarisht është emergjente.

Gjithkush e ka të qartë se një shtet, siç është Shqipëria, për të përballur fatkeqësitë e kësaj natyre nuk i mjaftojnë të gjitha kapacitetet ekzistuese, si në aspektin e profesionalizmit në kërkim-shpëtim, po ashtu edhe në përballjen e kërkesave të shumta emergjente shëndetësore, ushqimore, strehimore etj. Por, ajo çka e bëri shpresëdhënëse këtë situatë, ishte niveli i lartë i solidaritetit dhe gatishmërisë për të ndihmuar Shqipërinë në çdo aspekt.

Avionë të shumtë me ekipe të kërkimshpëtimit, të pajisur me mjete më të sofistikuara, zbarkuan që ditën e parë të fatkeqësisë dhe falë këtij angazhimi ndërkombëtar u arrit të shkojë në maksimum numri i të shpëtuarve. Shqipëria doli të mos jetë e vetme edhe kur ndodhet në ditë të vështira, kurse kjo po dëshmohet edhe këto ditë, kur dhimbja për të është shndërruar në kauzë morale të një bote të tërë.

Këto ditë, as Kosova nuk kishte si të mos ishte në zonat goditura nga tërmeti. Kjo pjesë e Shqipnisë së vjetër ‘vërshoi’ si në kohët e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Lidhjes së Prizrenit, Kuvendit të Vlorës, për t’u ndodhur edhe fizikisht pranë vuajtjeve fizike e shpirtërore të motrave e vëllezërve tanë në këto momente të rënda, kur edhe një pikë ujë mund të shpëtojë jetë njeriu.

Karvani i shtetit të Kosovës, me uniforma ushtarake e policore, u duk në Morinë atë ditë mëngjesi dhe po sillte me vete gjithë forcën e solidaritetit vëllazëror dhe përkushtimin profesional për të demonstruar në praktikë aftësitë dhe njohuritë mbi fshehtësitë e kërkim-shpëtimit. Njësitet tona të specializuara për raste emergjente po u jepnin mbështetje shpatullave të plagosura të atdheut dhe po nxirrnin nga rrënojat njerëz me trauma në shpirt e plagë në trup. Stërvitja dhe përvetësimi i shkathtësive në akademitë amerikane dhe në akademitë më të avancuara të botës, rikonfirmoi edhe një herë se ka djem e vajza që dinë ta manifestojnë gjithë përkushtimin e tyre profesional në kryerjen e misioneve të vështira.

Kjo po duket edhe gjatë këtyre ditëve, kur përgatitja profesionale dhe morali i lartë po kombinohen në një pikë të vetme, atje ku njerëzit kanë nevojë më së shumti: të dalin të gjallë nga rrënojat.

Krah për krah me FSK-në ishte edhe Policia e Kosovës, e cila kësaj radhe kishte dërguar Njësitin Special, me në krye komandantin Amir Gërguri. Ky njësit, në disa raste ka qenë faqja e bardhë e Kosovës dhe vetëm kjo e bën një shtet të ndihet i sigurt nga sfidat e shumta.

Kosova në këto ditë të vështira, për një pjesë të banorëve të Durrësit u gjend pranë edhe me mbështetje financiare. Ishin disa biznesmenë, disa artistë dhe qytetarë, por edhe vet qeveria që alokuan mjete të konsiderueshme në llogari të një fondi, që do të merret me rindërtimin e vendbanimeve të shkatërruara nga tërmeti.

Por fatkeqësia që goditi disa zona të Durrësit, përpos solidaritetit dhe humanizmit, nxori në shesh edhe disa dobësi në mekanizmin e sistemit të menaxhimit, që u tregua jo vetëm i vonuar, por edhe joefikas dhe i pakoordinuar.

Së pari, nuk u bë një evidentim i popullatës së goditur nga tërmeti, në mënyrë që të dihej se për çfarë kapaciteti njerëzor bëhej fjalë dhe mbi bazë të kësaj do të krijohej një listë nevojash urgjente. Në mungesë të kësaj liste, ndodhi një vërshim i paparë i ndihmave, të cilat ose u desh të magazinohen për shkak të stërngopjes së kërkesave, ose u desh të sorollatin nëpër disa lagje të Durrësit, në mungesë të një adrese të vetme grumbullimi.

Së dyti, alokimi i mjeteve financiare duhej të centralizohej përmes një institucioni të vetëm, i cili do të merrej me menaxhimin e gjithë procesit dhe mbi bazë të kësaj pastaj, do të dihet saktësisht shuma, emrat dhe mbiemrat e atyre që kanë dhënë para, por do të dihet edhe destinacioni i këtyre financave. Hapja e disa llogarive nga individë, shoqata e fondacione të ndryshme i jep një shije jo të mirë gjithë këtij solidariteti mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar, për arsye se lihet hapësirë për shumë spekulime dhe keqkuptime.

Së treti, duhet të hapen dy qendra emergjente, një në Shqipëri dhe një në Kosovë, sepse vetëm të koordinuar dhe të organizuar bashkërisht do të menaxhohet më lehtë procesi i dhënies së ndihmave, qoftë në vlera monetare, qoftë materiale.

Por dobësitë e shfaqura aty-këtu në procesin e menaxhimit të pasojave të tërmetit, nuk duhet të na dekurajojnë në qëllimin tonë sublim për të vazhduar me ndihmat e domosdoshme, që kërkohen në këto çaste të vështira për një pjesë të kombit tonë, që la nën rrënoja jetët e më të dashurve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura