Tërmeti/ Arrestimet e shumta për ndërtimet në Durrës, zyrtarët dhe pronarët e rëndësishëm u “shpëtojnë” prangave

Dec 15, 2019 | 12:53
SHPËRNDAJE

Leonidha Musaj/ Drejtues të rëndësishëm të institucioneve në Durrës dhe disa prej pronarëve të objekteve që shkaktuan viktima nga lëkundjet e tërmetit, për momentin arritën t’u shpëtonin prangave.

Pasojat-e-termetit-ne-Durres-Zona-plazhit-3-665x650

Një pjesë e mirë e personave që me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan 24 viktima në Durrës, “nuhatën” që do të shkonin pas hekurave dhe u arratisën në drejtim të paditur, ku disa prej tyre janë larguar jashtë vendit. Në këto kushte, aksionit të Policisë për arrestimin e të akuzuarve për viktimat e tërmetit në Durrës, i kanë shpëtuar 8 persona.

Dy prej tyre janë pronarë të hotelit “Palma” dhe që kanë bërë ndërhyrje në strukturën e pallatit ku vdiqën dy persona në lagjen nr. 6 të qytetit bregdetar. Listës së personave në kërkim i shtohet edhe ndërtuesi i vilës Lala ku vdiqën 8 persona dhe ish-zyrtarë të lartë të Hipotekës.

Hetimet për objektet e shembura pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës, ku humbën jetën 24 persona, janë pasuar me arrestimin e 9 personave tashmë të akuzuar për “Vrasje” indirekte apo “Shpërdorim të detyrës”. Në listën e Policisë vërehen ish-drejtues të Hipotekës apo dhe inspektorë të ALUIZNI-t, ndërsa nuk mungojnë as ndërtues.

Megjithatë, dy pronarë të hoteleve kanë mundur t’u shpëtojnë forcave të rendit. Arben dhe Dëshira Qato, pronarë të hotel “Palmës” janë shpallur në kërkim. Ata kishin lejuar ndërtimin e 6 kateve mbi lejen e dhënë në objekt. Nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërtesa është shembur dhe si pasojë ka humbur jetën babai i pronarit. Dy ditë para tërmetit, në këtë lokal ishin akomoduar disa turistë çek. Djali i tyre u nxor nga rrënojat vetëm pas 18 orëve përpjekje të grupit të kërkim-shpëtimit helenë. Po ashtu, në kërkim është shpallur dhe Artur Tereziu, pronar i lokalit “Baron”. Mësohet se ai akuzohet për ndërhyrjen në strukturën e objektit në Durrës.

Sipas ekspertëve, për shkak të ndryshimeve që u është bërë mureve, ndërtesa nuk i ka rezistuar lëkundjeve 6.4 ballë. Si pasojë, dy persona kanë humbur jetën më 26 nëntor. Prangave të Policisë u kanë shpëtuar po ashtu edhe Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNI-t, Artur Çela, ishdrejtor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, si dhe Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit. Në Thumanë po ashtu janë marrë në pyetje më shumë se 40 persona, ndërsa ende nuk ka një konkluzion mbi shembjet e pallateve ku humbën jetën 24 persona.

VIJOJNË HETIMET

Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi. Paralelisht po punohet edhe për objektet e dëmtuara si pasojë e tërmetit, të cilat nuk shkaktuan viktima, por lanë qindra të plagosur. Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë për gazetën “Panorama” se kjo është vetëm faza e parë e hetimeve dhe ditët në vijim do të ketë persona të tjerë të arrestuar për tragjedinë e 26 nëntorit, ku humbën jetën 24 persona në Durrës dhe 51 në mbarë vendin.

“Nga ana e organit të Prokurorisë po i kushtohet një kujdes i vazhdueshëm ndjekjes së hetimeve lidhur edhe me objektet e dëmtuara, në të cilat kanë ardhur pasoja të lehta për shëndetin e qytetarëve, si dhe në objektet në të cilat janë shkaktuar dëmtime të rënda materiale. Siç jeni në dijeni, drejtpërdrejtë nga tërmeti janë shkaktuar 24 viktima, kanë ndodhur dëmtime të rënda të objekteve dhe banesave të një numri të madh qytetarësh dhe nga ana e Organit të Procedimit është ndërhyrë, që krahas sigurisë publike për shëndetin e njerëzve, të sigurohen edhe provat e nevojshme në vijim të hetimeve që lidhen me provat materiale të elasticitetit të materialeve të hekurit të përdorur, forcës se betonarmeve, si dhe cilësisë së materialeve të tjera të ndërtimit”, njoftoi dje Prokuroria.

/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura