Tërhiqet maxhoranca, e djathta do ketë kontrollin e KQZ në zgjedhjet lokale. Meta: Të jetë e pavarur

Mar 2, 2015 | 10:33
SHPËRNDAJE

Tiranë- Teksa zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë në prag, mazhoranca është tërhequr nga riformatimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve duke ia lënë shumicën në këtë institucion opozitës.

Ilir Meta

Këtë e ka bërë me dije sot kryeparlamentari Ilir Meta, në një aktivitet në kuadër të zgjedhjeve locale, ku theksoi se mbajtja e zgjedhjeve demokratike kërkon bashkëpunim politik. Sipas tij, pavarësia e institucionit të KQZ-së, është kusht për zgjedhje me standarte. 

“Angazhimi ynë duhet të jetë që këto ndryshime të mbajnë gjithnjë në konsideratë standardet evropiane të kërkuara dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore që mazhoranca e sotme ndryshe nga tradita e hidhur në të kaluarën, nuk bëri ndryshime në ligjin zgjedhor lidhur me ndryshimin e formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra u hoq dorë nga ai parimi i deklaruar, por i pashkruar që mazhoranca ka përgjegjësi  për zgjedhjet, duhet  të ketë gjithmonë edhe mazhorancën në KQZ, gjë që ishte në kundërshtim me vetë kuptimin  e ndryshimeve që u bënë në ligjin për krijimin KQZ-së. Kjo mazhorancë, duke besuar se vetëm  transparenca, paanshmëria dhe pavarësia në funksionimin dhe vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të sigurojnë administrimin e rregullt të procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, garantoi edhe një herë respektimin e parimit të qëndrueshmërisë së këtij institucioni të pavarur”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura