“Tërheq kapital kriminal”/ PS nxiton për miratimin e amnistisë në Kuvend, opozita dhe ekspertët ngrenë dyshime për…

Jul 23, 2020 | 21:10
SHPËRNDAJE

pos-780x439-1-2

Pas jo më shumë se dy muaj nisma e qeverisë për amnisti fiskale kaloi dje në Komisionin e Ekonomisë në parim, duke i hapur rrugën miratimit të saj brenda kësaj legjislature që përfundon në 30 korrik.

Ky qëllim u theksua dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë nga kryetarja Milva Ekonomi dhe deputetët e tjerë të PS-së, por edhe nga përfaqësuesit e qeverisë. Por kjo nismë e qeverisë për amnisti fiskale dhe penale ka nxitur një valë të gjerë reagimesh në radhët e politikës, ekspertëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Shumica e qeverisë e justifikon nismën me ndihmën ndaj biznesit dhe individëve përmes amnistimit të kapitaleve të përfituara nga fshehja e të ardhurave, ndërsa përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë janë kritikë dhe thonë se kjo amnisti i lë shteg pastrimit të parave të siguruara nga aktivitete kriminale. Synimi i qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale mbetet i paqartë thonë kundërshtarët e draftit, dhe se nisma nuk po shoqërohet me masa të shtuara në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, eksperti i ekonomisë dhe njëherësh ish-ministër i Financave, Arben Malaj, u shpreh dyshues për këtë nismë. Po ashtu, edhe ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku nuk i kurseu kritikat, teksa në prononcimin e saj për “VOA”-n theksoi se me këtë amnisti qeveria po krijon mundësi për pastrimin e parave të krimit. Por ministrja e Ekonomisë dhe Financave, si në qëndrimin në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, por edhe në intervistën për “Zërin e Amerikës”, mbrojti nismën duke treguar kriteret e forta që janë vendosur për të shmangur abuzimet, por edhe të mirat që i vijnë ekonomisë shqiptare.

EKSPERTËT

Për shumë ekspertë të ekonomisë kjo nismë e qeverisë është parë me tendencë dyshuese mbi përjashtimin e politikanëve nga amnistia fiskale, pasi mendojnë se ata mund të jenë përfitues indirekt, përmes të afërmve të tyre, te të cilët kanë transferuar kapitalet. Drafti përjashton nga amnistia vetëm personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, kur përfitues mund të jenë rrethi i të afërmve të tjerë.

Ekspertët mendojnë se synimi i amnistisë fiskale mbetet i paqartë, dhe se ajo nuk po shoqërohet me masa të shtuara për shkelësit e ligjit në të ardhmen. Ata janë të bindur se amnistitë fiskale kanë përfitime të vogla në raport me kostot që krijojnë, pasi krijojnë pabarazi ndaj ligjit, si dhe dëmtojnë të ardhurat në buxhet, duke nxitur shpresat te taksapaguesit për një amnisti tjetër.

“Duhet përcaktuar deri në ç’nivel është rrethi i të afërmve të njerëzve me mandate politike që nuk përfitojnë, sepse është e lehtë të krijosh kompani, të mbyllësh kompani, të transferosh kompani. Për këdo nga ne që është marrë më financat publike dhe me legjislacionin e pastrimit të parave, është shumë më e lehtë, se sa ata mendojnë, të kuptosh skemat e pastrimit të parave”, tha për “Zërin e Amerikës” Arben Malaj, ish-ministër i Financave.

Drafti për amnistinë u njoftua nga Kryeministri Edi Rama pak muaj më parë, më së shumti si amnisti për të ardhurat e siguruara nga emigrantët shqiptarë me punë të zezë në vendet ku jetojnë. Por ekspertët mendojnë se arsyeja e vërtetë nuk janë emigrantët. Një tjetër shqetësim lidhet dhe me mungesën e kufirit të deklarimit dhe objektivit të ligjit.

“Lufta kundër informalitetit, që thuhet se është ne qendër të kësaj iniciative, nuk rezulton në historinë e vendeve të tjera që të ketë ardhur përmes amnistisë fiskale. Qeveria është e paqartë për atë që kërkon. Duket se është e prirur më shumë për interesa elektorale. Në vendet e tjera kur bëhet një amnisti, thuhet se me këtë amnisti mund të rikuperohet kaq për qind e ekonomisë informale, mund të vijnë kaq para më shumë në buxhet, ose elemente të tjera”, shprehet për “Zërin e Amerikës” Malaj.

MINISTRJA DENAJ

Nga ana tjetër, ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj, i hodhi poshtë këto akuza në intervistën e saj për “Zërin e Amerikës” dhe argumentoi se drafti i amnistisë fiskale ka si qëllim të ndihmojë bizneset që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm, por që kanë kryer evazion fiskal, si dhe individët që kanë krijuar një kapital nga paga të padeklaruara plotësisht.

Ministrja e Financave sqaroi se filtri i parë do të jetë Njësia Speciale në Drejtorinë e Tatimeve që do të krijohet enkas, ku pas plotësimit të formularit, bizneset dhe individët i nënshtrohen një verifikimi 48 orësh. Zyrtarët shprehen se nëse dikush i ka shpëtuar filtrit të Njësisë Speciale dhe ka amnistuar një kapital të siguruar nga veprimtari kriminale, dhe nëse kjo zbulohet më vonë, do të ndëshkohet sipas ligjit. “Qartazi, neni 6 i projektligjit përjashton të gjithë personat që vijnë me dyshime për pjesëmarrje në aktivitete kriminale, por njëkohësisht janë të eliminuar politikanët, të gjithë drejtuesit e nivelit të mesëm dhe të lartë dhe gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë pjesë e subjekteve të deklarimit të pasurisë në ILDKP, dhe jo vetëm për një vit apo 3 vjet, por për gjithë kohën”, tha Denaj. Për qeverinë përjashtimi i të afërmve të politikanëve nga amnistia fiskale përtej atyre në përbërje familjare do të ishte një akt paragjykues. “Unë nuk do të paragjykoja asnjë biznes i cili përfaqësohet nga administratorët respektivë se çfarë lidhje do të kishin me një politikan. Nuk mundem ta bëj këtë. Do të jem në shkelje të pozitës sime”, theksoi ministrja e Financave, Anila Denaj. Përfaqësues të qeverisë thonë se një shtetas i huaj, pronar i një biznesi në Shqipëri përfiton nga amnistia fiskale njësoj si një pronar shqiptar, ndërsa hedhin poshtë mundësinë e transferimit të kapitaleve të tyre nga jashtë vendit, me qëllim amnistie.

Ministrja e Financave Anila Denaj sqaron se për këtë çështje do të këtë diskutime dhe me përfaqësitë diplomatike. Ndërsa shqetësimit e FMN-së se amnistia mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave, ministrja e Financave dha këtë përgjigje:

“Ne duhet të kuptojmë që të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare do të preferonin rregulla të tjera dhe amnistitë nuk janë një qasje pro-aktive e institucioneve ndërkombëtare. Gjithmonë do ta shihnin me një sy kritik. Ne po flasim për një falje, për një deklarim jo të saktë. Por ne kemi bërë falje dhe për elemente të tjera. Kemi bërë falje për kamatëvonesat. Shkojmë me tej, kemi bërë falje dhe për krime. Amnisti janë dhe ato”.

Sa u përket të ardhurave që mund të sjellë në buxhetin e shtetit kjo amnisti fiskale dhe penale, ministrja Denaj tha se nuk mund të parashikojnë se sa do të jetë shifra e përfituar.

“Në relacion ne nuk kemi përcaktuar një pritshmëri. Që të realizosh një pritshmëri, duhet të kesh një database, një informacion i cili duhet të bëjë së pari ndarjen qartazi midis grupeve që unë përmenda pak më lart. Këtë ne nuk mund ta kalkulojmë, sepse nëse do ta kalkulojmë sot, duhet të pranojmë që kishim gjithë informacionin për evazionin fiskal dhe nuk e kemi kapur. Ky është një ligj jo për të ardhurat domosdoshmërisht në buxhetin e shtetit. Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë që është një ligj, i cili ndihmon bizneset dhe individët në Shqipëri, të cilët kanë nevojë për të rehabilituar pasqyrat e tyre fiskale”, sqaroi ministrja Denaj.

OPOZITA

Anëtarja e kryesisë së PD-së, Jorida Tabaku, i tha “Zërit të Amerikës” se kjo amnisti i hap rrugë pastrimit të parave të krimit dhe të drogës, në një kohë kur Shqipëria është vendosur në listën gri të pastrimit të parave të “Manival”, strukturë e Këshillit të Europës për të monitoruar pastrimin e parave.

“Përveçse është e pandershme, përveçse prish çdo balancë formale të vlerësimit të punës së individit që ka paguar taksa normalisht, është dhe kriminale, sepse tërheq në Shqipëri një kapital të krijuar nga krimi dhe droga. Është lënë në dëshirë të individit kur e vetëdeklaron, që të thotë së unë kam pasur një aktivitet, por nuk e kam deklaruar këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë e kemi të qartë, ashtu siç thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, FMN-ja, që ndërtimi është një aktivitet që po pastron masivisht para, turizmi apo lojërat e fatit”, shprehet Jorida Tabaku.

Një prej shqetësimeve të opozitës lidhet me shtetasit e huaj që kanë një biznes në Shqipëri.

“Ky tërheq dhe kapital kriminal të krijuar jashtë kufijve të Shqipërisë, që do të thotë se një individ që ka një adresë fiskale këtu në Shqipëri me nënshtetësi të huaj, i cili ka krijuar kapitale të dyshimta kriminale jashtë Shqipërisë, vjen këtu dhe i legalizon”, theksoi Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD-së.

KUVENDI

Amnistia Fiskale gjatë shqyrtimit në parim në Komisionin e Ekonomisë u kundërshtua edhe nga deputetët e opozitës parlamentare. Artur Roshi dhe Edlira Hyseni ishin dy zërat që u shprehën më fort kundër kësaj nisme, duke nxjerrë në pah aspekte të saj, që do të duhet të rishikohen. Deputetja Hyseni ngriti shqetësimin se si do të veprohet me pasurinë e padeklaruar të emigrantëve që do të pranojnë t’i nënshtrohen kësaj amnistie, pasi në këtë rast mund të ketë pengesa ligjore nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Por deputetët e PS-së Evis Kushi dhe Blerina Gjylameti argumentuan të kundërtën e qëndrimeve të opozitarëve parlamentar, duke theksuar se kjo gjë bëhet për herë të parë në Shqipëri, dhe synimi është i qartë: për të rritur akoma dhe më tej formalizimin e ekonomisë shqiptare. E pranishme në këtë mbledhje të Komisionit të Ekonomisë për të diskutuar projektligjin për amnistinë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila argumentoi se zbatimi me afat 1-vjeçar i amnistisë nuk ka nevojë që të kërkojë ndryshime në Kodin Penal, pasi bëhet fjalë për një ligj që do t’i kalojë seancës së Kuvendit për t’u kaluar me shumicë të cilësuar. Për sa i përket kalimit në Kuvend, amnistia do të ketë kohë vetëm 1 javë që të shqyrtohet nen për nen, pasi përveç seancës së sotme, janë edhe 3 seanca të tjera, por që të gjitha do të jenë brenda javës që vjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura