Grabitet çifti në Tepelenë, autorët me Audi me targa CD

Apr 1, 2015 | 8:35
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Çifti i bashkëshortëve grabitet e dhunohet barbarisht nga tre persona të armatosur e të maskuar. Autorët lëvizën nga Durrësi e Tirana drejt Tepelenës me një “Audi” me targa diplomatike, të cilën e braktisën pas ngjarjes. Policia bëri të ditur se grabitja ndodhi në lagjen “Demokracia” të qytetit të Tepelenës, rreth orës 00:45 të së martës.

Ka qenë një telefonatë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë, që i ka vënë blutë menjëherë në lëvizje, por ata kanë mundur të lokalizojnë vetëm mjetin e braktisur të autorëve dhe armatim brenda tij. Sipas të dhënave, tre persona të paidentifikuar, me maska dhe me armë zjarri çifte, kanë hyrë me dhunë në banesën e shtetasit Naim Çiça, 61 vjeç.

Ai ka pësuar goditje të rënda me tytën e çiftes në pjesën e poshtme të trupit, madje edhe në organet gjenitale, duke i shkaktuar plagë të rënda. Bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga ana e të dëmtuarve, tre personat e armatosur e të maskuar i kanë lidhur e dhunuar barbarisht dy bashkëshortët e moshuar. Torturat ndaj tyre vetëm sa janë shtuar kur autorët nuk po gjenin para.

Duke menduar se bashkëshortët nuk po u tregonin vendin ku kishin fshehur paratë, personat e kanë goditur keqas kryefamiljarin në organet gjenitale disa herë, duke e lënë thuajse pa ndjenja. Më pas, ata kanë arritur të zbulonin në shtëpi një shumë prej 5 mijë eurosh, si dhe dy ora të shtrenjta, e më pas janë larguar në drejtim të paditur. Por gruaja ka mundur të zgjidhet e të lajmërojë të afërmit, ndërsa këta të fundit Policinë. Një patrullë Policie është ndodhur afër vendit të ngjarjes dhe ka mbërritur menjëherë.

Ata kanë mundur të lokalizojnë një mjet të dyshimtë afër vendit teksa po largohej dhe janë vënë në ndjekje të tij. Por tre të rinjtë janë detyruar ta lënë të braktisur automjetin e tyre, brenda të cilit është gjetur një kallashnikov, karikatorë me fishekë e granata dore. Dyshohet se braktisja e automjetit ka qenë si pasojë e frikës së kapjes nga patrulla policore.

ZBULIMI
Policia ka arritur të zbardhë se cilët ishin autorët brenda pak orësh, kjo falë objekteve personale që autorët kishin lënë në makinën e makinës “Audi A3”, me targë CD 368 PT. Ndërsa targat ishin italiane, brenda mjetit u gjet një targë diplomatike, CD 48- 07.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua makina, një automatik “Model 56” me qytë të prerë, dy krehra me 30 fishekë të kalibrit 7.62mm, një krehër pistoletë me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65mm, një telefon celular, dy karta SIM, dokumente identifikimi, si dhe sende të tjera personale të autorëve, të gjetura brenda në automjet.

Të gjitha këto shërbyen që policia të identifikojë autorët. Ata janë: S.J., 30 vjeç, banues në Durrës, A.J., 37 vjeç, banues në Durrës, si dhe R.R., 31 vjeç, banues në Tiranë. Policia e qarkut Gjirokastër i ka shpallur ata në kërkim, duke njoftuar dhe kolegët e rretheve nga janë autorët.
Aktualisht i dëmtuari dhe bashkëshortja e tij shtetasja A.Ç, 60 vjeç, ndodhen në Spitalin e Gjirokastrës me dëmtime trupore, jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekut kirurg Roland Karalli, ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe në mjekim intensiv. Karalli thekson se, përveçse të dhunuar fizikisht, bashkëshortët janë edhe të traumatizuar për shkak të gjendjes. PIRO NASE

 [portfolio_slideshow] 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura