“Teodor Laço diplomat në Rusi, si e kërcënuan me bombë Ambasadën shqiptare”

Oct 16, 2021 | 15:47
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA/ Prej pesë vitesh, letrave shqipe u mungon njëri prej shkrimtarëve më të shquar, kulturës kombëtare i mungon një kalorës fisnik, politika dhe diplomacia shqiptare ndjejnë mungesën e politikanit dhe diplomatit të urtë Teodor Laço.

Teodor Laço, në 80-vjetorin e ditëlindjes me bashkëshorten Mirjana
Teodor Laço, në
80-vjetorin e ditëlindjes me
bashkëshorten Mirjana

Ai zë vend nderi në historinë e letrave shqipe, si një prej shkrimtarëve më të shquar dhe përfaqësues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, që përveç përvijimit të një profili modern në krijimtarinë letrare, nuk u tregua indiferent edhe ndaj zhvillimeve demokratike, duke u kthyer në një nga zërat kryesore në jetën parlamentare shqiptare.

U mbushën pesë vite që kurse botës së mendimit i mungon ky intelektuali i shquar, vizionar dhe kurajoz, i cili së bashku me kolegët e tij do ta shndërronin Kinostudion në verën e vitit ‘90 në djepin e mendimit liberal për kohën. Pesë vjet që politikës i mungon ministri i aftë dhe kompetent i kulturës, njëri ndër themeluesit e Partisë Socialdemokrate, ish-themeluesi dhe kryetari i Partisë Bashkimi Social Demokrat (sot Bashkimi Liberal Demokrat).

Laço ishte dhe mbetet simbol i politikanit të arsyes, luajal ndaj vlerave dhe parimeve që besonte… Ai ka lënë pas një trashëgimi të vyer në të gjitha fushat ku kontribuoi. Kontributet e tij kanë qenë të spikatura që nga periudha kur hyri në kulturën dhe letërsinë tonë, por edhe në nxitjen e proceseve demokratike.

JETA…

Teodor Laço lindi më 29 shtator 1936, në Dardhë. Në atë fshat që ai e konsideronte se nuk ka të dytë; “ku netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë; me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.

Laço me Putinin, pas paraqitjes se letrave kredenciale në vitin 2006
Laço me Putinin, pas paraqitjes
se letrave kredenciale në vitin 2006

Djali i një mërgimtari, si një nga të shumtët emigrantë dardharë të Amerikës, të atin, Pandi Laço, do ta takonte për herë të parë dhe të fundit kur ishte vetëm 20 vjeç, duke e jetuar rininë e tij të hershme larg dashurisë së babait, duke pritur letrat e përmallshme që vinin përtej Atlantikut.

U diplomua për agronomi, por talenti i tij spikati sidomos në fushën e letrave. Jetoi me nënën pranë, e cila do të bëhej shëmbëlltyra e shkrimtarit të ardhshëm; e ëmbël, fjalëpakë, e dashur dhe e papërtuar si një nënë. Shtëpia e tij në Dardhë ka mbetur deri në ditët e sotme shenja e pelegrinazhit më të dashur të Teodor Laços.

Babai i dy djemve të talentuar në fushën e kulturës dhe spektaklit televiziv, Pandit dhe Bledit, bashkëshort i aktores Mirjana, ai u ndje ngrohtë brenda shtëpisë se tij të letërsisë dhe kulturës deri në ditët e fundit të jetës si pakkush tjetër.

Ai nuk e tradhtoi asnjë çast vendlindjen, Dardhën. Shkoi dhe u kthye si Anteu. Ajo strëhëz u bë frymëzimi i sa e sa veprave letrare të Laços. “Shtëpi e vjetër e fëmijërisë/ hapet porta e vjetruar/ porta që për mua është ankuar/ kur vija rrallë i ftohtë e i vonuar? – Porta nga e cila Ai u përcoll për në botën e përtejme para pesë vitesh. (Vdiq më 15 tetor dhe iu dha lamtumira e fundit nga personalitete të shumta të politikës, letërsisë, artit e kulturës më 16 tetor 2016).

VEPRA LETRARE SHUMËPËRMASORE E LAÇOS

Si rrallëkush në fushën e letrave, Teodor Laço krijoi një trashëgimi letrare shumëpërmasore. Krijimtaria e tij është shumë e gjerë. Janë rreth 55 vepra të botuara, qoftë në letërsi apo dhe në publicistikë. Kësisoj, me korpusin e tij letrar me shumëllojshmëri tituj romanësh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, Laço zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Ka filluar të botojë që prej viteve ‘60. Është autor i disa skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë.

unnamed (2)

Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, eseist, skenarist, komentator, opinionist e politolog, Ai, padyshim, njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe. Janë të njohur për lexuesin romanet e Laços: “Tokë e Ashpër” (1971), “Përballimi” (1975), “Lëndina e Lotëve” (1980), “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Mjegull” (2009), “Vrasja e buzëqeshjes” (2013), “Gropas 67” (2014) etj. Po ashtu proza e tij e shkurtër, si: “Rruga e bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, “Portat e dashurisë”, “Pylli në vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X” etj., që mbeten modele krahasuese e referuese në tregimin e shkurtër shqiptar.

Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme, si: “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh” etj., që kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjike shqiptare. Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filmash me prirje të reja regjisoriale e artistike. Dorën e tij mbajnë filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”, ku mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale.

Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T. Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale.

Përveç dhjetëra e dhjetëra artikujve të këtyre gjinive, Laço ka shkruar dhe botuar dy librat “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar” dhe “Bashkëjetesë me kohën”, libra këto, voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike që cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të mprehtë të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu, libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij krijues.

Ky libër është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari, që vjen në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Kësisoj, Ai ishte dhe mbetet si model i shkrimtarit të prozës së shkurtër, romanit, dramës e komedisë, skenarit të filmit e publicistikës.

teodor-laco-arte-express

LAÇO SI POLITIKAN

Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, Ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të Partisë Social-Demokrate, duke qenë dhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994 dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i Partisë Bashkimi Social Demokrat (që më vonë ndryshoi emrin në Bashkimi Liberal Demokrat).

Gjatë kësaj kohe (1992-1996 dhe 1997-2005), ai zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Laço do të hynte si pjesë e legjislativit nga zgjedhjet e lira pluraliste më 1992, duke vijuar si deputet edhe për dy legjislatura me radhë (12 vjet deputet i Kuvendit të Shqipërisë). Si deputet, Teodor Laço do të kujtohet për fjalën e urtë e të mençur, duke ndikuar kësisoj në çtensionimin e situatave konfliktuale mes maxhorancës dhe opozitës. Ai ishte ndoshta nga të rrallët, që në kompromis me PD-në e aleatët tjerë të qendrës së djathtë, ndonëse me dy deputetë të partisë së tij (Laço dhe Starova) të arrinte krijimin dhe drejtimin e Grupit Parlamentar Liberaldemokrat.

Në ligjërimin e tij politik, për më shumë se një dekadë në legjislativin shqiptar, spikati mençuria dhe vizioni bashkëkohor. Laço e drejtoi BSD-në me moton “Për një moral të ri politik” dhe nën këtë moto gjatë dhjetë viteve (1996-2006) kjo parti qe jo vetëm përfaqësuese në legjislativin shqiptar, por pati një përfaqësim konstant edhe në pushtetin vendor (bashki e komuna) me një numër të konsiderueshëm, nga 200-230 këshilltarë bashkiakë e komunalë. Pikërisht për të sjellë një moral të ri politik, moral besimi dhe përgjegjësie, Laço e Starova, si dhe bashkëpunëtorët e tyre në kryesinë e kësaj partie (si: Shaqir Rexhvelaj, Petrit Karabina, Adem Jakllari, Behar Gjoka, Kozeta Mesiti, Myslim Islami, Tonin Deda, Andon Andoni, Gentian Zoto etj.), përballuan me stoicizëm edhe sulmet e paprincipta në vitet 2004-2205 ndaj tyre e partisë që drejtonin, kur u sulmuan egërsisht nga lidershipi demokrat, vetëm e vetëm pse votuan kundër verdiktit të tyre, kandidaturën e Robert Çekut për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Dhe po si askush tjetër, pas Sabri Godos, do të ishte Teodor Laço që do të njihte dhe aplikonte institucionin e dorëheqjes, duke ia lënë drejtimin e partisë diplomatit Arian Starova, që nga Kuvendi VI kombëtar i BLD (2006). Në harkun kohor të dy viteve (1994- 1997), Laço ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Qenë pikërisht këta dy vjet kur ky dikaster, ndoshta për herë të parë njohu standardet e përparuara europiane. Bashkëkohësit e kujtojnë Laçon ministër, veç të tjerash për sjelljen në Tiranë të disa trupave teatrale e muzikore nga vende të ndryshme perëndimore si dhe të artistëve me famë botërore, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në integrimin e kulturës shqiptare në botë.

Qe koha kur nën drejtimin e tij Shqipëria rinisi organizimin e festivaleve kombëtare, si Festivali Folklorik, jo më në Gjirokastër, por në Berat, kur rinisi funksionimi normal i trupave teatrore (Teatri Kombëtar dhe ai i Operës e Baletit, si dhe trupat teatrore rajonale të qyteteve kryesore) dhe kur iu kushtua vëmendja e duhur shtetërore monumenteve të kulturës, arkeologjisë etj.

Pikërisht në vitet që dikasteri i Kulturës drejtohej nga Laço u përgatitën dosjet për pranimin e Beratit e Gjirokastrës në UNESCO, ndërkohë që Kruja, Butrinti, Apolonia, Kalaja e Rozafës, Voskopoja etj., njohën bum turistësh.

Laço ministër mbahet mend edhe për kalimin e pallateve të kulturës të qyteteve kryesore në varësi të bashkive, kur shumë institucione të tjera, si atëherë edhe sot janë të centralizuara nën administrimin e dikastereve qendrore. Kur ai ushtronte detyrën e ministrit të Kulturës, në vitin 1995, një nga ngjarjet më mbresëlënëse ka qenë sjellja e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Fjalët që ka mbajtur për veprimtarinë e Konicës në Nju Jork, në prani të pothuaj të gjithë anëtarëve të Vatrës, si dhe në Katedralen e Shën Gjergjit, në Boston, edhe sot na japin emocione po aq të thella.

NË DIPLOMACI, SI AMBASADOR NË FEDERATË RUSE

Teodor Laço e mbylli karrierën e tij si ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse (2006-2008). Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me të ashtuquajturit “diplomatë të karrierës”, promovimi i të cilëve ndjek rrugën e zakonshme të ngritjes nga një gradë diplomatike në tjetrën. Por Laço me meritë e fitoi edhe këtë titull, duke përfaqësuar denjësisht shtetin shqiptar në Federatën Ruse. Sidomos në këtë shtet të madh ai u angazhua dhe ia arriti të promovojë një nivel të lakmueshëm kulturor.

Ashtu si nobelistët Miguel Anhel Asturias, Octavia Paz etj., që njihen edhe si ish-ambasadorë të Amerikës Latine në Francë, edhe Laço ynë përfaqësoi në Moskë modelin shqiptar të diplomatit Me bindjen se angazhimi i krijuesve në diplomaci, gjithsesi, paraqet sfida të shumta, Laço qe ndoshta nga të rrallët ambasadorë që diti të ndërtojë një raport të drejtë midis pasionit kryesor të tij që ishte krijimtaria dhe detyrës shtetërore.

Për të, një nga rastet kur i është dashur gjithë gjakftohtësia dhe vendosmëria për ta kaluar, ka qenë koha që u shpall Pavarësia e Kosovës, kur në selinë e ambasadës shqiptare në Moskë erdhi një kërcënim për vendosje bombe, i cili u shoqërua me protesta pas bllokut të ambasadës. Këtë moment tejet të vështirë, ish-ambasadori Laço e menaxhoi me përpikërinë maksimale. Gjithsesi, si sukses të tij gjatë atyre dy viteve mund të përmendim diplomacinë kulturore.

Por ato dy vite, pa iu shmangur fushës së letrave, i shërbyen shkrimtarit dhe diplomatit Teodor Laço për të skeduar librin “Një dritare në Kremlin – Nga Hrushovi te Putin”, që do ta botonte disa vite pasi kishte dalë në pension, duke i ardhur kështu në ndihmë lexuesit për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Kështu, dy vitet si ambasador në Moskë Laço iu përkushtua historisë, arkivave, shtypit, librave të botuara, që mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të Kremlinit në 50 vitet e fundshekullit të kaluar. Nëse do të jetonte sot Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptare, do të mbushte 85 vjet. Por vdekja para pesë vitesh ia ndërpreu jetën e veprimtarinë e tij të shumëfishtë.

Sidoqoftë, ne e përjetojmë atë sikur të ishte ende gjallë si një imazh e pasqyrim të aktivitetit të tij të gjatë, i angazhimit të tij të gjerë e poliedrik në disa role e arena të rëndësishme të jetës kulturore, artistike, shoqërore, politike, në kontekst me shoqërinë dhe kohën ku dhe kur ai ka jetuar, por edhe me një rreze largpamësie, vizioni e reflektimi që e bën atë një vegimtar e protagonist të pararojës së shndërrimeve e progresit të jetës e shoqërisë shqiptare. Kontributi dhe trashëgimia e vyer që ai la pas do të jetojnë përgjithmonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura