“Tentova ta vrisja për shkak të një konflikti pronësie”, zbardhet dëshmia e plotë e 19-vjeçarit. Pas vetëdorëzimit, pranoi në Polici…

Oct 17, 2020 | 9:47
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Ilirjan Hasanaj, autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë të Mentor Hasanajt dhe Xhelal Hasanajt më 11 tetor, është vetëdorëzuar në Policinë Vendore të Shkodrës.

mentor ilirjan

Po ashtu, është vetëdorëzuar edhe bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi Verzan Bajrakurti, kushëri i Ilirjan Hasanajt. Pas dorëzimit në Polici, shtetasi Ilirjan Hasanaj ka pranuar autorësinë e plagosjes së dyfishtë, duke thënë se është ai personi që ka kryer plagosjen ndërsa ka zbardhur edhe motivin, që sipas autorit të dyshuar, lidhet me një konflikt të vjetër pronësie.

DËSHMIA E PLOTË

Unë jam personi që kam plagosur shtetasin Mentor Hasanaj dhe babanë e tij. E pranoj autorësinë e ngjarjes së ndodhur në 11 tetor. Unë i kam plagosur, por dua të sqaroj se e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjesht e kam parë duke kaluar në rrugë dhe i jam vënë mbrapa.

Armën e kam pasur me vete, sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë, më ka qëlluar me vete. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjesht e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment.

Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonin. Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai, dhe kur e kam parë në atë moment, duke qenë edhe i alkoolizuar, më erdhi inat që e pashë dhe e kam ndjekur, dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur.

Duke qenë drejtor, më erdhi në mendje se mund të na pengonte te pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment. Nuk e dija që në makinë ishte edhe babai i tij dhe bashkëshortja, dhe me ata nuk kam pasur asnjë punë.

Ndërsa kushëriri im nuk ka pasur asnjë ide se çfarë kam bërë unë, por thjesht e kam thirrur duke i thënë që të më merrte sepse kisha nevojë, por pa i treguar arsyen.

Ai nuk ka qenë aspak në dijeni të plagosjes apo faktit se unë kisha armë. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorëzuar në Polici.

Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frikë, por tani e kam kuptuar dhe jam shumë shumë i penduar, ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë dhe të përballem me drejtësinë”.

VETËDORËZIMI

Vetëdorëzimi i shtetasit Ilirjan Hasanaj në Policinë e Shkodrës erdhi pas apelit që i bëri babai i tij, Arben Hasanaj, për t’u dorëzuar dhe për t’u përballur me drejtësinë pas provave biologjike dhe shkencore që vërtetojnë se është ai autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë. Ilirjan Hasanaj është i dyshuar për veprën penale “Vrasje e më shumë se një personi”, e mbetur në tentativë, si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Të dy kushërinjtë, autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij, kanë qenë të fshehur në Shëngjin të Lezhës gjatë këtyre ditëve, por biseda me babanë ka bërë që të vetëdorëzohen dhe 19-vjeçari të pranojë autorësinë.

Në 11 tetor Mentor Hasanaj ndodhej bashkë me babanë e tij dhe bashkëshorten në një mjet të Policisë Bashkiake në pronësi të Bashkisë së Malësisë e Madhe, duke shkuar nga Shkodra drejt Koplikut. Në afërsi të bustit të 5 heronjve të Vigut një person me motor nisi të qëllonte ndaj mjetit ku ndodheshin tre pjesëtarët e familjes ndërsa plumbat vijuan edhe kur u afrua pranë makinës.

Nga të shtënat me pistoletë, Mentor Hasanaj dhe babai i tij, Xhelal Hasanaj, mbetën të plagosur rëndë, ndërsa bashkëshortja e Mentorit, shtetasja Vjollca Hasanaj, u shpëtoi plumbave.

Autori i dyshuar braktisi motorin në një rrugë dytësore, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes, duke gabuar pasi aty la prova biologjike dhe shkencore që ia lehtësuan punën Policisë për ta identifikuar 19-vjeçarin që plagosi babë e bir.

Babai i autorit: Me të plagosurit s’kemi konflikte

Mes dëshpërimit, tri ditë më parë babai i autorit të dyshuar të plagosjes së shtetasve Mentor Hasanaj dhe Xhelal Hasanaj i bëri thirrje djalit të tij që të dorëzohej pranë Policisë dhe të vihej përpara drejtësisë për të dhënë përgjigje mbi atë çfarë ka ndodhur dhe për të cilën akuzohet.

Arben Hasanaj u shpreh ndaj djalit të tij, Ilirjan Hasanaj, ky i fundit autor i dyshuar i plagosjes së dyfishtë, që sa më parë të ishte e mundur të dorëzohej pranë uniformave blu. Pavarësisht se dy familjet kanë të njëjtin mbiemër, ata nuk kanë lidhje gjaku me njëratjetrën.

Ai tha gjithashtu se me familjen tjetër nuk kanë asnjë lloj konflikti, ndërsa të plagosurve u uron shërim sa më të shpejtë.

“Unë quhem Arben Dan Hasanaj, kam lindur në Linaj të Gruemirës, por me banim në Shkodër, kuptohet. Familja e dëmtuar janë edhe ata me mbiemrin Hasanaj dhe jetojnë në Grudë-Fushë, pra më larg se ne, rreth dy fshatra më tutje. Ajo është familje e nderuar dhe e respektuar. Nuk kemi asnjë konflikt, përkundrazi kemi miqësi me ata dhe kemi marrë e kemi dhënë si gjithë njerëzit e tjerë që kanë një marrëdhënie normale, por nuk kemi pasur kurrë konflikte për prona, shtëpia, biznese apo gjëra të tjera të këtij lloji. Nuk kemi asnjë lloj problemi me ta. Familjen tjetër unë e njoh, gjithë të rriturit që janë brezi im i njoh dhe kam shumë respekt, sepse janë familje shumë e mirë dhe nuk e di se çfarë më ka zënë ky rrezik, them që më ka zënë rreziku, sepse nisem në bazë të dyshimeve dhe provave që Policia ka. Që të dalë e drejta tamam unë dua që të gjej djalin. Unë nuk e di se ku e kam djalin tim dhe dua që ai të dorëzohet. Nuk jam nga ata që unë e di se ku e kam djalin dhe dal e flas në media, unë mbështes Policinë e Shtetit totalisht”, është shprehur babai i 19-vjeçarit Ilirjan Hasanaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura