FOTO- “Tentova ta trembja”/ Zbardhet dëshmia e të riut që plagosi me armë të dashurën: Nuk kisha qëllim ta qëlloja! Çfarë fshihet pas ngjarjes

Sep 27, 2021 | 13:28
SHPËRNDAJE

ELTON NIKAJ/Një ditë pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të një studenteje në Vlorë, me të cilën kishte pasur lidhje intime dhe se ajo donte t’i jepte fund marrëdhënies, autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar para uniformave blu, se nuk kishte qëllim për ta qëlluar me pistoletë.

Sipas dëshmisë së dhënë në Policinë e Vlorës pas arrestimit, Fadil Likaj ka deklaruar se kishte qëlluar me armë vetëm për ta trembur. “Tentova ta trembja. Nuk kisha si qëllim që ta qëlloja”, mësohet të ketë deklaruar Likaj gjatë së dielës. Burime nga Policia e Vlorës bënë me dije se gjatë dëshmisë së tij, 30-vjeçari ka shfaqur gjendje të rënduar psikologjike për aktin e bërë.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e së shtunës në qytetin e Vlorës, ku 20-vjeçarja nga fshati Cukalat i Beratit, Kostandina Zanaj, mbeti e plagosur me armë zjarri. I riu nga Shkodra dhe e reja nga Berati që studionte në Universitetin e Vlorës, kishin pasur lidhje intime midis tyre, ndërsa gjatë së shtunës vajza kishte zhvilluar takimin e fundit me të me qëllim për t’u ndarë përfundimisht. Takimi ishte lënë në një nga lokalet e qytetit dhe pasi kanë debatuar me tone të larta, 30-vjeçari Likaj, e ka nxjerrë me forcë prej ambienteve të barit. Në sherr e sipër, ai e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Zanaj ka marrë një plumb në pjesën e këmbës dhe ka përfunduar në Spitalin e Vlorës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Më datë 25.09.2021, rreth orës 12:05, në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjja “28 Nëntori”, Vlorë, është plagosur me armë zjarri shtetasja K.Z, 20 vjeçe lindur në Berat, studente në Vlorë, e cila është shoqëruar për në spital për ndihmë mjekësore, momentalisht jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Policia. Përveç armës së zjarrit, Likaj kishte me vete edhe dy granata dore njërën prej të cilave e ka hedhur në lokal por fatmirësisht ajo nuk ka shpërthyer.

ARRESTIMI

Menjëherë pas ngjarjes, Policia arrestoi autorin e dyshuar të krimit. Në pranga përfundoi Fadil Likaj, nga fshatin Bruçaj i rrethit të Shkodrës, i cili do t’i duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për veprat penale që rëndojnë mbi të, që nisin nga “Armëmbajtja pa leje” e deri te “Plagosja me armë zjarri”. Në cilësinë e provës materiale, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan edhe armën e krimit, me të cilën dyshohet se autori ka kryer plagosjen. Gjithashtu, është sekuestruar një granatë dore në ambientet e lokalit, si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar në çantën e autorit iu gjet dhe sekuestrua një granatë e dytë. “Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi Fadil Likaj, 30 vjeç, banues në Shkodër. Në cilësinë e provës materiale Policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit me të cilën dyshohet se autori ka kryer plagosjen, një granatë dore në ambientet e lokalit si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar në çantën e autorit iu gjet dhe sekuestrua një granatë e dytë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia në lidhje me ngjarjen.

Drejtori Çeliku: Qytetari njoftoi për të shtënat

Drejtori i Policisë në Vlorë, Bledar Çeliku, bëri me dije se strukturat e Policisë kanë neutralizuar në kohë autorin e krimit dhe e kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme. “Është marrë një telefonatë, ku thuhej se janë dëgjuar krisma me armë në një lokal në afërsi të “Ambulancës”. Falë reagimit të shpejtë të strukturave të Policisë, të Forcave Shqiponja dhe shërbimeve të Policisë Gjyqësore që kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes është bërë neutralizimi i personit të dyshuar që ka qëlluar me armë zjarri”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura