Tentoi vetëmbytjen: M’u nxi jeta, nuk rrisja dot fëmijët

May 21, 2015 | 15:32
SHPËRNDAJE

Gruaja që tentoi të vetëmbytej dy ditë më parë në detin e Sarandës, dergjet në shtrat dhe ende nuk e ka marrë veten.

Ajo nuk arrin të hapë as sytë, ndërsa njëri prej fëmijëve e prindërit e saj i qëndrojnë te koka gjatë të gjithë kohës. “M’u nxi jeta”, pëshpërit herë pas here ajo. Dhurata Mullaj, nëna e tre fëmijëve, dy djem e një vajzë, prej dhjetë vitesh është e divorcuar dhe jeton me prindërit e saj në Gjashtë. Esati, babai i Dhuratës me bashkëshorten e tij e nxorën dje në mëngjes të bijën nga spitali i Sarandës, pasi mjekët u garantuan se gjendja e saj ishte përmirësuar dhe ishte jashtë rrezikut për jetën. Dhurata e shtrirë në një shtrat-divan thotë se kishte vendosur t’i jepte fund jetës, pasi nuk u përgjigjej dot fëmijëve dhe se ajo nuk arrinte dot të blinte as ilaçet e saj. “Nuk i hap dot sytë, as dhëmbët nuk lëviz dot”, shprehet Dhurata.

Ndërsa pyetjes nëse e mbante mend veprimin e një ditë më parë, ajo pohon fillimisht me kokë e më pas rrëfen se donte të vetëmbytej, pasi i ishte nxirë jeta. “Doja të mbytesha në det. Mora edhe disa gurë për të rënduar që të më merrnin me vete në fund të detit. Nuk doja të jetoja më se m’u nxi jeta. Nuk u përgjigjem dot t’i rris fëmijët… Fatjoni (djali i vogël), më thanë se nuk mëson as në shkollë”, shprehet nëna e tre fëmijëve, teksa thuajse në çdo fjali nuk mungon edhe fraza “m’u nxi jeta”. Ajo pohoi se ishte e sëmurë dhe se nuk kishte me se të merrte as ilaçet e saj, duke jetuar në mjerim. Babai i Dhuratës, Esat Mullaj, 80 vjeç, bashkë me të shoqen ishin mjaft të tronditur nga ngjarja. Ai pohoi se pas divorcit e bija kishte pësuar gjendje depresive dhe madje kurohej edhe me ilaçe. “Vajza ime ka 10 vjet që është ndarë nga burri.
Dhe po kaq vjet ka vajza që është edhe e sëmurë depresive që kurohet nga mjeku neurolog. Dy fëmijë i kemi në shtëpinë e fëmijëve, ndërsa të madhin, 16 vjeç, e kemi në shtëpi. Ditën e ngjarjes e pashë të tronditur. U vesh dhe na tha se do të dilte të shkonte në shkollë të takonte fëmijët. Pasi iku, i thashë gruas se nuk e pashë mirë vajzën sot. U vesha dhe unë dhe u nisa për të shkuar pas saj. Nuk e pashë asgjëkund. Erdha në shtëpi, duke menduar se do të vinte dhe ajo. E mora vesh kur na erdhi Policia në shtëpi. Të ardhurat tona janë të pakta. Dhurata merr 99 mijë lekë nga KEMP-i, ndërsa i duhen 70 mijë lekë për ilaçe. Marrim edhe unë e gruaja ime pension fshati nga 70 mijë lekë. Kjo është jeta jonë. Një merak kam, dua të njoh djalin që i shpëtoi jetën vajzës sime. T’i jap gjë nuk kam, por do t’i them faleminderit”.

I riu që i shpëtoi jetën gruas: E nxora nga deti, vetëm dridhej

SARANDE- I riu sarandjot, Erjon Qurku, arriti t’i shpëtojë jetën nënës së tre fëmijëve, pasi ndërhyri në kohë. Ai e pikasi 50-vjeçaren Dhurata Mullaj, nga fshati Gjashtë, e cila tentoi t’i jepte fund jetës, duke u vetëmbytur në det.


 
Ju jeni personi që i shpëtuat jetën nënës së tre fëmijëve, pas tentimit të saj për t’u vetëmbytur. Si e pikasët?

Po, unë ia shpëtova, po kushdo që të kishte qenë në vendin tim të, njëjtën gjë do të kishte bërë. Isha duke pirë kafe me një shok në një nga lokalet afër vendit të ngjarjes. Fillimisht pashë një grua që ecte anës detit dhe në dorë mbante një çantë të vogël. Për një çast e hoqa vështrimin andej nga ecte gruaja se m’u duk sikur ajo ishte nga ato gratë që mbledhin kanoçe.

Pastaj çfarë ndodhi?

Ajo eci dhe pak. Hipi në një gur dhe më pas zbriti sërish. I hoqa sytë prej saj dhe për pak sekonda, ajo humbi. U çudita se ku shkoi kaq shpejt dhe pyeta shokun që isha në kafe se ku shkoi ajo gruaja. Kur në çast dëgjova një britmë. Menjëherë, ashtu siç isha me gjithë rroba, u hodha në det. E arrita rreth 7 metra larg nga bregu. E gjeta përmbys paksa mbi sipërfaqe të ujit, me duar e këmbë hapur. E kapa nga flokët e tërhoqa dhe e nxora në breg. Atje e shtrimë në rërë dhe i bëra frymëmarrje. Ndjeva që ishte ende në jetë dhe kërkova ndihmë të vinte Ambulanca, e cila erdhi shumë shpejt.

Arriti të thoshte ndonjë fjalë?

Jo, vetëm dridhej se uji ishte i ftohtë. Edhe pse nuk është hera e parë po e treta që shpëtoj jetë, jam ndjerë shumë shumë keq. M’u dhimbs shumë. Një grua që tentoi të vetëmbytej, diçka kishte ndodhur në jetën e saj. U interesova në spital sot, por kishte dalë. Do t’i shkoj në shtëpi. Mësova se është shumë e vuajtur dhe e sëmurë. Kjo është edhe më e keqja.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura