Tentoi të vriste ish-gruan në plazh, autori në polici: Kisha pirë, s’mbaj mend asgjë

Jul 21, 2015 | 20:58
SHPËRNDAJE

Motivi i sulmit me grushte e me armë në plazhin e Golemit ndaj magjistrates Fildize Hafizi (Kasemi) vazhdon të jetë i mbështetur vetëm në deklarimet e të dëmtuarës, pasi ish-bashkëshorti i saj, i arrestuar si autor i ngjarjes, nuk ka dëshmuar ende.

FADIL KASEMI I  ARRESTUAR GA POLICIA (MAJTAS) FILDIZE HAFIZI
FADIL KASEMI I ARRESTUAR GA POLICIA
(MAJTAS) FILDIZE HAFIZI
Burime nga Policia e Tiranës thanë se 51-vjeçari Fadil Kasemi, që u arrestua në flagrancë menjëherë pas ngjarjes së të dielës, është shprehur se nuk mban mend asgjë nga çfarë ka ndodhur. Ai është shprehur se kishte pirë dhe thuajse ishte në gjendje të dehur, ndaj nuk i kujtohet qartë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe ish-bashkëshortes.

“Nuk kam çfarë t’ju them. Nuk mbaj mend asgjë, pasi isha i pirë”, ka deklaruar Kasemi para oficerëve të Policisë, teksa merrej në pyetje në Komisariatin e Policisë së Kavajës. Burimet thanë se akuzat paraprake të ngritura ndaj tij janë “armëmbajtje pa leje” dhe “dhunë në familje”, ndërsa materialet i kanë kaluar për vlerësim Prokurorisë së Kavajës.

Policia tha të dielën se në momentin e arrestimit atij iu gjet një çantë krahu, brenda së cilës mbante një pistoletë “TT”, për të cilën nuk kishte leje dhe çelësat e makinës. As për armën që mbante pa leje ai nuk ka dhënë shpjegime, duke deklaruar se do të fliste në një moment tjetër. Ndërsa ka pranuar se është i divorcuar me të dëmtuarën, së cilës Gjykata i ka dhënë edhe kujdestarinë e dy fëmijëve, vajzës 14 vjeçe dhe djalit 12 vjeç.

NGJARJA
Mesditën e së dielës, Policia e Golemit është njoftuar nga pushuesit se në bregun e detit një person kishte tentuar të vriste me armë një grua. Brenda pak minutash shërbimet e Policisë sqaruan se bëhej fjalë për një konflikt mes një çifti të divorcuarish dhe ku burri kishte tentuar të qëllonte me armë ish-gruan, e cila arriti t’i hiqte nga dora çantën ku ai mbante pistoletën.

Ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve të çiftit të divorcuar dhe të dhjetëra pushuesve që i erdhën në ndihmë 37-vjeçares, e cila është magjistrate për gjyqtare. Shërbimet e Postës së Policisë së Golemit arritën të shmangin krimin në familje dhe prangosën autorin, Fadil Kasemi, 51 vjeç.

Burimet thanë se i dyshuari kishte konsumuar alkool para se të shkonte në plazhin ku ndodhej me pushime ishbashkëshortja dhe dy fëmijët. Sapo i është afruar çadrës ku ndodhej e dëmtuara, Fildize Hafizi (Kasemi), nëna e saj dhe djali 12-vjeçar, i dyshuari ka goditur me grusht në fytyrë ish-gruan.

Përleshja e tij me ish-bashkëshorten ka vijuar, derisa ajo i ka hequr nga duart çantën ku ai mbante një pistoletë, më pas i kanë ardhur në ndihmë edhe pushuesit që e kanë neutralizuar për pak sekonda sa ka mbërritur Policia. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se të arrestuarit i është sekuestruar pistoleta “TT”, që e mbante pa leje.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura