Tensionet në Veri të Kosovës, drejtori i Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Panorama TV: Veprimet e Albin Kurtit faktorizuan presidentin serb në rajon

May 27, 2023 | 20:43
SHPËRNDAJE

Bedri Elezi, drejtori i institutit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë ka folur ditën e sotme për tensionet që u prodhuan një ditë më parë në Veri të Kosovës.

Capture

Elezi u shpreh se pozicioni i Kosovës i ka dhënë një pozitë mjaft të mirë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, duke ngritur dyshimet se plani për situatën e krijuar një ditë më parë është një ‘grackë’ për Kosovën nga Shërbimet Sekrete serbe.

“Jemi ne së bashku që kemi paralajmëruar që kjo mund të ndodhë. Është hera e dytë që qeveria e Kosovës nuk merr parasysh deklaratën e SHBA. Hera e parë ka qenë për çështjen e targave. Dhe tani kjo histeri po vazhdon.

Ne kemi shqetësimin se këto mund të jenë projekte të shërbimeve sekrete serbe. I kemi dhënë presidentit të Serbisë një pozitë mjaft të mirë ndërkombëtare. Se po duket sikur ai është çelësi për sigurinë në rajon. Ne duhet të kemi shumë kujdes në veprimet tona sepse jemi duke faktorizuar presidentin e Serbisë, që ai të krekoset në emër të ruajtjes së sigurisë së serbëve”, deklaroi ai.

Ai u shpreh se qasja e Albin Kurtit ka bërë që Kosova të marrë goditje shumë të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë.

“Në drejtim të Prishtinës ka disa vërejtje të ashpra sidomos nga SHBA. Tani edhe qeveria gjermane që konsiderohet që ka një lloj aleance të veçantë me qeverinë Kurti, ka bërë deklarata të ashpra. Çdo qytetar i Kosovës është shumë i interesuar që Kosova të mbyllë çështjen. Politika e Kurtit është një politikë mjaft delikuente sepse ka bërë veprime që Kosova në vend që të forcojë marrëdhëniet e fuqishme mori goditje shumë të ashpra”, tha Elezi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura