Tensionet me Perëndimin, Rusia i refuzon hyrjen deputetit gjerman

May 26, 2015 | 17:01
SHPËRNDAJE

Deputeti gjerman, Karl-Georg Wellmann, anëtar i partisë Kristian-Demokrate të Kancelares Merkel paralajmëroi se ndalimi i tij për të hyrë në Rusi është një shenjë e përkeqësimit të tensioneve Lindje-Perëndim për shkak të krizës në Ukrainë.

Zoti Wellman, i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar Gjermani-Ukrainë, e kishte quajtur Rusinë një vend “luftënxitës” për shkak të mbështetjes së saj ndaj forcave separatiste në Ukrainë. Ai i tha agjensisë së lajmeve Reuters se u mbajt gjithë ditën e dielë në zonën e tranzitit të aeroportit të Moskës dhe u nis për në atdhe mëngjesin e ditës së hënë, raporton ‘Zeri i Amerikes’.

Qeveria gjermane i dorëzoi një notë proteste autoriteteve ruse në Moskë, si dhe ambasadorit rus në Berlin. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane e konsideroi ndalimin “të pakuptimtë dhe të papranueshëm” dhe tha se Gjermania pret që të anulohet.

Ministria e jashtme ruse refuzoi të komentojë për çështjen. Në muajin shtator të vitit të kaluar bashkë-kryetarja e të gjelbërve në Parlamentin Evropian, Rebecca Harms, njoftoi se i ishte ndaluar hyrja në Rusi, dhe se beson se emri i saj ndodhet në një listë sekrete personash që kanë hartuar autoritetet ruse për t’u refuzuar hyrjen në vend, raporton “Zeri i Ameriikes”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura