Deputetja e PD-së Serina Koti, në një lidhje live me Panorama TV, ka folur në lidhje me aksionin opozitar në Kuvend.
Koti tha se nuk do të ndodheshin në këto kushte, por janë të detyruar sepse mazhoranca u ka mbyllur çdo lloj komunikimi.
“Është një situatë që nuk do të donim të ndodheshim në ato kushte, por na kanë detyruar qeveria dhe deputetët e saj. Ajo e djeshmja ka qenë vazhdimësi e protestave tona në parlament. Na kanë mbyllur çdo lloj komunikimi. Madje dje, Çuçi me ironi tha se nuk do të ketë negocim me opozitën. Por ne nuk po kërkojmë negocim , por te drejtat tona. Dje ka qenë një situatë burgu, terrori, ku çdo deputet kishte 2 gardistë që duhej të përballej.
Ne nuk kemi dashur të agravohet. Kemi kërkuar në fillim me butësi ngritjen e komisioneve, por kjo ishte një situatë e detyruar, sepse në momentin kur thonë se nuk do të marrim në konsideratë snjë gjë që ju thonë, ishte koha për të reagua”, tha ajo.
Deputetja u shpreh se është në tavolinën e diskutimit një grevë urie, por theksoi se në mbledhjen e ardhshme do vendoset se çfarë hapi do të ndiqet.
“Debatet tonë në mbledhjet e Grupit Parlamentar janë të gjata. Është hedhur dhe propozimi për të hyrë në grevë urie. Po diskutohet dhe në mbledhjen tjetër do të vendoset sesi do të vijohet me aksionin. Kemi marrë vendimin të përballemi me këtë terror. Aksioni ynë ka nisur para se të merrej masa ndaj Berishës. Çështja e tij nuk lidhet me aksionin tonë opozitar, por për të ruajtur dinjitetin e deputetëve”, tha ajo.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al