Tensione në rritje apo zgjidhje diplomatike

Dec 7, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Prej disa ditësh marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë janë në krizë. Pas rrëzimit të avionit bombardues rus nga ana e turqve, midis Ankarasë dhe Moskës tensionet u ngritën. Secili vazhdon të mbrojë qëndrimin e vet. Për Turqinë është shkelur hapësira e saj ajrore dhe, si e tillë, konsiderohet një kërcënim i hapur ndaj shtetit turk.

Rusët e motivojnë qëndrimin e tyre me atë që avioni ishte në misionin e vet, gjatë bombardimit të militantëve të Shtetit Islamik, brenda territorit sirian, sikurse e ka bërë këtë dhe me luftëtarët sirianë në perëndim të vendit, të cilët kundërshtojnë regjimin e Asadit, duke kompromentuar në fakt politikën ruse në këtë vend dhe më tej, në Lindjen e Mesme.

Madje, presidenti rus, Putin, e vlerësoi këtë ngjarje si “thikë pas shpine”, duke pasur parasysh miqësinë e njohur e pothuajse të qëndrueshme midis dy vendeve, me një ekuilibër bashkëpunimi, të shprehura këto kohët e fundit dhe në vizitat zyrtare te njëritjetri të krerëve të të dy shteteve. Edhe divergjencat në çështjen e Sirisë nuk e lëkundën plotësisht këtë ekuilibër, pavarësisht ndë- rhyrjes dhe dislokimit ushtarak rus në Siri, mbi dy muaj më parë dhe qëndrimit të Rusisë në mbështetje të pushtetit të Asadit dhe ku Turqia së bashku me vendet perëndimore u distancuan qysh në fillim nga sulmet ushtarake ruse.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pa kaluar ende katër ditë nga rrëzimi i avionit, për ta bërë dhe më konkrete konsekuencën e tij, firmosi me urgjencë një paketë masash, në emër të “sigurisë kombëtare” dhe “mbrojtjen e shtetasve rusë”. Në këtë mënyrë firmave turke në Rusi u kufizohet veprimtaria e tyre. Këto sipërmarrje janë tepër të njohura në Rusi. Në këto masa, embargoja për mallrat turke zë vend të rëndësishëm. Po kështu, për shtetasit e të dy vendeve, në fillim të vitit të ardhshëm fillon regjimi i vizave.

Dhe mund të vazhdonim më tej. E vërteta është që pasojat e këtyre masave janë të ndjeshme si për Turqinë dhe për Rusinë. Me gazin rus, për shembull, Turqia mbulon 65 për qind të nevojave të veta. Eksportet turke gjithashtu në Rusi kanë filluar rënien. Në preferencat e rusëve për të kaluar pushimet, Turqia është nga objektivat kryesorë. Mbi 4.5 miliardë dollarë pritet t’i humbasin asaj çdo vit nga turistët rusë. Gjatë këtij viti numri i tyre u ul në tetëqind mijë më pak.

Ndërkohë, dhe më tej, mund të ndërpriten projektet e linjës së gazsjellësit Turkish Stream apo ndërtimi nga Rusia i një centrali bërthamor në Turqi, me kosto njëzet miliardë dollarë. Sikurse Rusia për Turqinë, edhe Turqia për Rusinë është nga partnerët më të rëndë- sishëm në fushën tregtare. Krahas këtyre, deklarata dhe kundërdeklarata të të dy palëve kanë ndjekur njëratjetrën. Gjuha është ashpërsuar. Rusia e akuzon madje Turqinë për tregti të paligjshme të naftës me ISIS-in. Erdogan këmbëngul nga ana tjetër, se, nëse Rusia konfirmon akuzat e saj, atëherë ai do të tërhiqej nga posti i presidentit.

NATO-ja, nga ana e saj, ka bërë vazhdimisht thirrje për qetësi dhe ulje të tensioneve. Ajo ka mbështetur dhe vazhdon të mbështetë Turqinë, aleatin e vet. Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje edhe gjatë këtyre ditëve homologut turk për të ulur tensionet me Rusinë, duke përsëritur mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e aleatit të saj në NATO.

Megjithatë, edhe pse është ende herët dhe akuzat dhe kundërakuzat nuk do të jenë fashitur, përsëri, edhe pse të zbehta, krijohet përshtypja se kërkohen rrugët për një zgjidhje diplomatike. Turqit, që duket se nuk duan ta shkallëzojnë më tej këtë situatë, janë më pranë kësaj kërkese. Gjatë vizitës së dy ditëve më parë në Baku, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davuttoglu, duke folur për krizën midis Rusisë dhe vendit të tij, nënvizoi faktin se mes popullit rus dhe atij turk nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë problem, se, sipas tij, ata janë dy popuj që i kanë dhënë formim historisë së Europës dhe Azisë.

Ndërkohë u bëhet thirrje liderëve politikë të Rusisë për t’u takuar dhe për të zgjidhur problemet midis tyre. Edhe për presidentin Erdogan, “Rusia është po aq e rëndësishme për Turqinë, sa është dhe Turqia për Rusinë dhe se të dy vendet nuk mund të bëjnë pa njëritjetrin”. Kjo situatë midis dy vendeve nuk do të thotë për Turqinë që të mos shpresojë se Rusia do t’i rishikojë sanksionet ekonomike ndaj saj. Rusisë nuk do t’i interesonte një përshkallëzim i mëtutjeshëm i situatës së krijuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian vendosën vitin e kaluar sanksione ekonomike kundër Rusisë, pas ndërhyrjes së saj në Ukrainë dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë. Takimi i fundit Obama-Putin solli në opinionin e të dy palëve mundësitë për gjetjen e zgjidhjes diplomatike të krizës ukrainase, duke respektuar Marrëveshjen e Minskut.

Kjo do të çonte në heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. A do të ishte në interes të Rusisë, që ajo, edhe më tej, të ballafaqohej me situata të tilla? Duke menduar për një dialog me Rusinë, problem ky i diplomacisë, SHBA dhe BE do ta çtensiononin situatën e krijuar në interes të dy vendeve, Turqisë dhe vetë Rusisë, por dhe të klimës politike në përgjithësi. Kësaj do t’i shërbente nga ana tjetër, gjithnjë në kuadër të dialogut, një Rusi, si pjesë e zgjidhjes së problemit sirian, duke hequr dorë ajo nga presionet, shantazhet që çojnë në vatra tensioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura