Tension, nerva dhe forca policie, ja çfarë nuk u pa në ndeshjen Bylis-Vllaznia

Feb 4, 2020 | 22:47
SHPËRNDAJE

Afro 600 të pranishëm në “Adush Muça” për të ndjekur VllazniaBylis, ku binin në sy edhe 7 ultras të Vllaznisë.
byl vlla

– Veljko Dovedan kthehet në pankinë, pasi ezauroi pezullimin dyjavor nga Disiplina. E megjithatë, shmangu daljen para mediave pasi e kishte të pamundur të fliste prej një ndërhyrjeje që kishte kryer në dhëmballë. Kjo bëri që edhe gjatë lojës, të mos ishte aktiv dhe jepte këshilla. Më shumë dëgjohej zëvendësi i tij Polizoi Arbri. Ndryshe ndodhi me Mirsad Jonuz, që vazhdimisht orientonte ekipin e Vllaznisë.

dovedan jonuz

– Tension shumë i lartë në fundin e pjesës së parë. Ballshiotët kishin pretendime për golin e barazimit dhe Jonuz mundohet të qetësojë Goxhajn e Hidin që kanë diçka për t’i thënë gjyqtarit ndërsa futen në tunel.

– Në momentin e akordimit të 11-metërshit dhe protestave të ashpra të futbollistëve shkodranë, forcat e sigurisë janë futur në fushë për t’i ardhur në ndihmë kryesorit Orlando Kuka.

– Suad Lici lë tribunën dhe zbret në pankinë, aq sa është dashur ndërhyrja e Mirsad Jonuz që ta qetësojë. Ai e ka shtyrë administratorin e Vllaznisë, duke i kërkuar që të largohet dhe të mos rrezikohet vijimi i ndeshjes.

suad lici jonuz

– Pasi rifillon loja me anulimin e penalltisë, pranë pankinës së Vllaznisë ka një moment kur Goxha i hakërrehet në distancë Markut dhe trajneri Jonuz kërkon që arbitri ta shohë këtë gjest. Mbrojtësi i Bylisit largohet në mesfushë dhe më pas kthehet për t’i dhënë diçka maqedonasit.

– Arbitrat largohen të shoqëruar nga forcat e sigurisë në tunel, e megjithatë nga tribuna vjen një sasi e madhe uji, duke u bërë për dush të ftohtë.

– Dy teknikët Dovedan dhe Jonuz janë takuar pas ndeshjes, duke i dhënë dorën mes tensionit njëri-tjetrit.

– Me gjithë zemërimin e madh të sportdashësve ballshiotë ndaj vendimeve të kryesorit Kuka, pas ndeshjes ka pasur qetësi.

– Forca të shumta policore nga Ballshi dhe Fieri kanë shoqëruar arbitrat e ndeshjes jo vetëm në perimetrin e stadiumit dhe qytetit të Ballshit, por sikundër mëson “Panorama Sport” deri në dalje të Fierit.

– Menjëherë pas ndeshjes, skuadra e Bylisit dhe stafi teknik i saj kanë shkuar për të zhvilluar një seancë stërvitore me pjesën e futbollistëve të paaktivizuar përballë Vllaznisë dhe ata më pak të aktivizuar.

– Tejet i irrituar presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Jashtë rrethimit të stadiumit, ai ka debatuar me drejtues të forcave të rendit të Ballshit, duke u kërkuar atyre që të mos ndalojnë të drejtën e fjalës dhe ankesën e tifozëve që ankoheshin për arbitrat. “Jemi qyteti me një tifozëri shumë të kulturuar dhe askush s’ka të drejtë që t’i ndalojë sportdashësit të shprehin indinjatën e tyre. Për sa kohë nuk ka as dhunë dhe as hedhje sendesh të forta në fushë, nuk mund të ushtrohet presion psikologjik ndaj tyre”.

kapllanaj

– Teksa Mirsad Jonuz po jepte intervistë, disa tifozë të ndodhur në ballore kanë hedhur lumë të sharash për trajnerin.

– Polizoi Arbri u caktua nga presidenti Besnik Kapllanaj që të fliste pas ndeshjes për mediat, por kur zv.trajneri po vendoste kufjet, presidenti vendosi që të dilte vetë para kamerave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura