Tenori Ramë Lahaj, në 3 më të mirët në Operalian e “Plácido Domingo”-s

Jul 26, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Pas Inva Mulës, një tjetër këngëtar lirik shqiptar fiton në Operalian e “Plácido Domingo”-s. Bëhet fjalë për tenorin nga Kosova Ramë Lahaj, i cili është vlerësuar me çmimin e tretë në edicionin e 24-t të një prej konkurseve më të rëndësishme operistike në botë, që u mbajt në teatrin “Degollado” në Guadalajara, Meksikë.

Fituesit e konkursit Operalia “Plácido Domingo” 2016
Fituesit e konkursit Operalia “Plácido Domingo” 2016

I përzgjedhur mes 12 finalistëve të konkursit nga vende të ndryshme të botës (Itali, Francë, Rusi, Korea e Jugut, SHBA, Ukrainë), Lahaj ka mundur të shpallet në tre më të mirët, në një prej garave më të forta që ka njohur ky aktivitet ndër vite, siç shprehen organizatorët.

Ramë Lahaj, i cili e ka marrë trofeun nga duart e vetë Domingo-s, është shprehur tejet i emocionuar, për këtë arritje në karrierën e tij artistike. “Ndihem i bekuar që bëjmë muzikë së bashku, i bekuar të merrja çmimin prej jush, maestro Plácido Domingo! Faleminderit që ekzistoni dhe që ndani gjithçka me ne”, është shprehur Lahaj pas marrjes së çmimit.

Tenori ka marrë urime nga shumë kolegë të tij në Tiranë, si edhe nga sopranoja Inva Mula, e cila e ka fituar vite më parë çmimin e madh të Operalias.

KONKURSI

I themeluar në vitin 1993 nga Plácido Domingo, “Operalia” është një konkurs ndërkombëtar operistik, që ka si qëllim të zbulojë talentet dhe personalitetet më premtues të botës operistike.

Mes fituesve të këtij konkursi është edhe sopranoja Inva Mula, si dhe emra të tjerë të operistikës botërore, me karriera të shkëlqyera si Rolando Villazón, Sonya Yoncheva, Ludovic Tezier, Stéphane Degout, Nina Stemme, José Cura, John Osborn, Susanna Philips etj. Çdo vit konkursi zhvillohet në teatro të ndryshëm si Paris, Meksikë, Madrid, Tokio, Milano, Moskë, Pekin, Verona, Los Anxhelos, Londër.

Tenori Ramë Lahaj
Tenori Ramë Lahaj

Këtë vit ajo u zhvillua në teatrin “Degollado” në Guadalajara, Meksikë. Vetë themeluesi i këtij konkursi, tenori legjendar Plácido Domingo, zbërthen filozofinë e këtij konkursi të themeluar 23 vjet më parë. “Vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm; është po ashtu themelore për artistët e rinj të vijnë në vëmendjen e sipërmarrësve, menaxherëve, drejtorëve artistikë, dirigjentëve, regjisorëve, që mund të çojnë përpara karrierat e tyre profesionale.

Qëllimi im me Operalian nuk është vetëm të identifikoj zërat më të mirë, por të zbuloj ata këngëtarë, personaliteti, karakteri dhe fuqia e interpretimit të tyre tregon potencial për t’u bërë artistë të kompletuar. Individualitete që do të bëhen yje të së nesërmes. Kjo është arsyeja pse juria nuk përbëhet vetëm nga këngëtarë të mëdhenj, por edhe nga menaxherë, regjisorë dhe drejtorë artistikë”.

TENORI

I diplomuar për Kanto në Universitetin e Arteve në Tiranë, pasi më parë kishte studiuar për Shkenca Kompjuterike, Ramë Lahaj do të dallohej menjëherë për zërin e tij të bukur dhe paraqitjen skenike.

Karriera e tij artistike nisi të rritej shumë shpejt, duke fituar çmime në konkurse ndërkombëtare e duke fituar audicione për role në skena të rëndë- sishme të Europës, si në Itali, Francë, Gjermani, Londër, në opera si “Traviata”, “La Boheme”, “Makbeth”, “Rigoletto” etj. Nga viti në vit, Lahaj ka zgjeruar repertorin e tij me vepra të kompozitorëve Verdi, Puccini, Donizetti, Mozart, Strauss.

Tenori Ramë Lahaj duke marrë trofeun nga Plácido Domingo
Tenori Ramë Lahaj duke marrë trofeun nga Plácido Domingo

Pas çmimit në Operalia “Plácido Domingo”, Lahaj po përgatitet të interpretojë dy kryerole në një prej skenave më të rëndë- sishme në botë, në “Opera National de Paris” gjatë sezonit 2016-2017. Bëhet fjalë për rolet e Edgardos në “Lucia di Lammermoor” (26, 29 tetor, 11 dhe 14 nëntor 2016) dhe Nemorino in “E’lisir D’amore”. Në fillim të muajit shtator (7, 9, 13, 15 shtator, 2016) do të interpretojë në Teatrin Bashkiak të Santiagos, në Kili.

FITUESIT E KONKURSIT

Çmimi i parë: Elsa Dreisig, soprano/Keonwoo Kim, tenor
Çmimi i dytë: Marina Costa-Jackson, soprano/ Bogdan Volkov, tenor
Çmimi i tretë: Olga Kulchynska, soprano/ Rame Lahaj, tenor
Çmimi i publikut: Elena Stikhina, soprano/ Keonwoo Kim, tenor
“Zarzuela Prizes: Juan Carlos Heredia, bariton/Nicholas Brownlee, bas-bariton/ Marina Costa-Jackson, soprano
“Birgit Nilsson Prize”: Brenton Ryan, tenor
“The Culturarte Prize”: Elena Stikhina, soprano

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura