Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit/ Ndreca: Ministri s’ka rol në prokurim. Lleshaj: SPAK të lihet i qetë

Jul 13, 2021 | 9:57
SHPËRNDAJE

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, tha dje se ministri nuk ka rol në prokurimet publike.

tend

“Ndjeva keqardhje, nuk është lajm që është i pëlqyeshëm, që u hiqet liria disa  funksionarëve. Ndjeva trishtim. Sa i përket aspektit ligjor, është një akt që duhet përshëndetur. Duhet të jemi të përmbajtur në deklarimet publike dhe mediatike, për të  mos krijuar presion tek asnjëra nga palët në proces. Nga pikëpamja kushtetuese ata  persona janë ende të pafajshëm”, tha Ndreca.

I pyetur nëse bëhet tenderi pa firmën e ministrit apo sekretarit të Përgjithshëm, Ndreca u përgjigj duke u shprehur se: Patjetër që bëhet. Agjencia është e pavarur. Është një cikël i mbyllur. Sa i përket  akuzave të opozitës për arrestimin e tij për përfshirje në aferë korruptive, Ndreca tha se, “PD-ja nuk di t’i lexojë rezultatet e zgjedhjeve. Vazhdon me historitë me karakter krejtësisht politik. Të njëjtën gjë bëri edhe Alibeaj, që fatkeqësisht është edhe jurist. Vazhdojnë me metodën e vjetër. Qytetarët janë të ngopur me këto deklarime”.

LLESHAJ

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë dijeni për tenderin 28 milionë dollarë për uniformat e Policisë  së Shtetit. Në një prononcim për “ABC News” dy ditë më parë, Lleshaj ka folur për herë të parë pas operacionit të SPAK-ut dhe arrestimet e zyrtarëve për tenderin e zhvilluar kur ai drejtonte këtë Ministri. Ish-ministri i Brendshëm ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për  hetimet e kryera lidhur me problematikat e tenderit për uniformat e Policisë, ndërsa u shpreh se ai ka kërkuar publikisht që në shtatorin e kaluar që ky tender të hetohej. Teksa iu përgjigj akuzave  të PD-së për përfshirje të tij në këtë tender shumë milionësh dhe thirrjen për arrestimin e tij, Lleshaj tha se  tentativat për të bërë politikë  me këtë rast janë për t’u refuzuar dhe SPAK-u duhet të lihet i qetë të bëjë detyrën e tij.

“Duke qenë se bëhet fjalë për  një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi  më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK-ut në kryerjen e detyrës së tij. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo  çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar.

Sandër Lleshaj, i cili ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme në kohën kur është zhvilluar tenderi, thotë se nuk ka pasur asnjë ndikim dhe asnjë rol favorizues. Sipas tij, prokurimet në vend kanë një sistem dhe autoritet të tyrin të menaxhimit dhe administrimit ku ministri nuk ka rol.

“Si ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet  ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit,  ku ministri nuk ka rol”, tha ish-ministri Lleshaj.

SPAK-u arrestoi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të  Ministrisë së Brendshme  lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Sipas organit të akuzës, më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë  e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme  të Policisë së Shtetit me objekt  “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë  nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe  me titullarin e Organit Qendror Blerës dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura