Pranverën e këtij viti kompania publike shqiptare e monitorimit të trafikut ajror “Albcontrol” u bë e famshme për grevën e kontrollorëve që çoi në pezullimin e fluturimeve mbi qiellin shqiptar për disa ditë.
Ata kërkonin mosuljen e pagave, ndërsa zyrtarët e “Albcontrol” deklaronin se këto masa ishin të paevitueshme në kushtet kur kompania nuk kishte të ardhura financiare të mjaftueshme. Por nëse për kontrollorët pagat u ulën dhe greva u mbyll, miradministrimi i parave publike nuk ka shkuar në të njëjtin drejtim për sa u përket prokurimeve.
Kështu, në tenderin për certifikimin ISO sipas standardeve ndërkombëtare të kompanisë në fjalë, “Albcontrol” i drejtuar nga Hantin Bonati ka përzgjedhur fitues subjektin që ka ofruar çmimin më të lartë. Gara u hap më 15 tetor të këtij viti dhe aty morën pjesë 4 subjekte; “TMC Training Management Consulting” që ofroi 108 milionë lekë, ose rreth 890 mijë euro; ofertuesi i dytë i përbërë nga bashkimi operatorëve “ICDQ Instituto de Certifikasion” dhe “Kavala Gabinete de Asesoria” ofroi 642 mijë euro; ndërsa operatori i tretë dhe i katërt, “Resuli ER” dhe “Eurogjici-Security” nuk paraqitën asnjë ofertë.
Një muaj më pas, në mes të nëntorit, “Albcontrol” shpalli fituese pikërisht shoqërinë “TMC Training Management Consulting” që ofroi çmimin më të lartë, me gati 250 mijë euro më shumë se sa oferta më e mirë. Sipas shpalljes së tenderit, kriteri i përzgjedhjes së fituesit është çmimi më i ulët i ofruar, por ky kriter as që është marrë parasysh dhe janë lëshuar një seri justifikimesh që e kanë skualifikuar ofertën më të mirë, si mungesa e disa certifikatave, bilanceve financiare dhe kapaciteteve teknike, sigurimi i ofertës etj. Ajo që bie në sy është se oferta fituese është vetëm 2 mijë euro më pak se fondi limit, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse “Albcontrol” ka tentuar të negociojë me subjektin që ofroi më pak para, me qëllim që të përmbushte kriteret e paplotësuara.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al