Tenderët e rrugëve, skandali i ARRSH-së, shpalli fituese firmën që ofroi 1 milion euro më shumë se katër të tjerat

Jun 17, 2022 | 10:05
SHPËRNDAJE

Vazhdon seria e tenderëve abuzivë të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri.

skandali gjikuria-firma-ferta-1milion-euro

Kësaj radhe skandali është përsëritur me tenderin 1,18 miliardë lekë ose 9,7 milionë euro për rikonstruksionin e aksit 19 km të gjatë Maliq-Lozhan i RiStrelcë, ku fituese është shpallur kompania “Gjikuria” me një ofertë sa 98,4% e fondit limit

TENDERI
Konkretisht, kompania “Gjikuria” ka ofruar 1.16 miliardë lekë, ndërsa skandali thellohet, pasi kjo ofertë është renditur e pesta për nga çmimi. Oferta më e mirë dhënë nga bashkimi i operatorëve, kryesuar nga kompania “Arifaj”, ishte 1 miliard lekë ose 8,7 milionë euro, plot 1 milion euro më e leverdishme se oferta e dhënë nga kompania “Gjikuria”. Pastaj me radhë janë tri oferta të tjera më të mira, por që janë skualifikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i drejtuar nga Evis Berberi.

GARA
Nga shtatë oferta të ardhura për ndërtimin e Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kualifikuar pesë prej tyre, mes tyre 3 oferta më të mira dhe 2 më të larta se oferta fituese e dhënë nga kompania “Gjikuria”. Ndërkohë, në dokumentin zyrtar të shpalljes së fituesit, siguruar nga “News24”, nuk ka asnjë informacion se pse është skualifikuar oferta e dhënë nga një bashkim operatoresh kryesuar nga kompania “BE – IS”, edhe pse kjo ofertë ishte e katërta më e leverdishme, me një vlerë prej 9,4 milionë euro, rreth 250 mijë euro më e lirë se oferta e kompanisë “Gjikuria”.

Për t’i dhënë tenderin kompanisë “Gjikuria” në shkelje të plotë, Autoriteti Rrugor ka renditur një sërë justifikimesh për skualifikimet, por dyshimet për paracaktimin e fituesit janë të mëdha pasi janë hequr katër oferta më të mira, që është dhe kriteri bazë i shpalljes së fituesit.

TENDERËT ME PROBLEME TË ARRSH

Tenderi për rrugën Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë nuk është i vetmi, por i radhës, me të cilin ARRSH ka abuzuar duke shpallur fituese jo gjithnjë ofertën më të ulët. Jo më larg se në fund të muajit maj, për mirëmbajtjen e rrugëve të Korçës është shpallur fituese kompania e vetme e paraqitur “2T” sh.p.k, në pronësi të Dritan Troskit dhe Artan Dakos dhe me një vlerë prej hiç më pak se 99.9% e fondit limit.

Haptas, ky tender futet në kategorinë e tenderëve me flamur të kuq. E dyshimtë është se si për një kontratë të tillë prej miliona eurosh, nuk ka pasur konkurrentë të tjerë në garë, edhe pse në Shqipëri ka me dhjetëra kompani të kapaciteteve të tilla. Ngjashëm ka ndodhur edhe me lotin 8 të “Kardhiq-Delvinë”, ku është shpallur fituese kompania “GENER 2”, me 99.7% të fondit limit, në vlerën e 12 milionë eurove

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura