Tenderë të habitshëm edhe në kohë krize, KESH shpall fituese ofertën më të lartë

Nov 5, 2021 | 11:07
SHPËRNDAJE

Në konkurrimin për impiantet klimaterike të HEC-ve, KESH i drejtuar nga Ergys Verdho zgjedh fituese ofertën 120 mijë euro më të lartë

e

Në këtë vit të vështirë për sektorin energjetik shqiptar nuk abuzohet vetëm me shitjen e energjisë, por edhe me investimet. Në tenderin e mbyllur në tetor, kur kriza ishte shpallur, KESH-i i drejtuar nga Ergys Verdho ka zgjedhur fituese kompaninë që nuk ka dhënë ofertën më të mirë. Në tenderin me vlerë rreth 850 mijë dollarë, të mbyllur në 4 tetor, për mirëmbajtjen impianteve të ngrohjes, ftohjes, ventilimit, furnizim me ujë, dhe mbrojtës kundër zjarrit në godinat e hidrocentraleve të Vaut te Dejës, Fierzës dhe Komanit, morën pjesë katër kompani. Oferta më e mirë u dha nga “GSM KLIMAIRE” me rreth 690 mijë dollarë, por kjo nuk i mjaftoi KESH-it. Fituese u shpall oferta e renditur e dyta, e dhënë nga bashkimi i kompanive “CLIMA CASA” dhe “AL-TEK”, me rreth 810 mijë dollarë. Ja si përshkruhen në dokumentin e shpalljes së fituesit dy ofertat.

“Bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘GSM KLIMAIRE’ sh.p.k & ‘ALTEC’ sh.p.k, vlera e ofruar/totali i çmimeve për njësi dhe vlera e pritshme e kontratave: 69,490,712.3 lekë. Bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘CLIMACASA’ sh.p.k & ‘ALTEK’ sh.p.k, vlera e ofruar/totali i çmimeve për njësi dhe vlera e pritshme e kontratave: 81,675,007 lekë pa TVSH”. Dhe fituese është oferta plot 120 mijë dollarë më shumë se oferta më e mirë. Sa u takon ofertave të tjera, njëra ishte pa vlerë dhe tjetra më e lartë. Për skualifikimin janë futur në lojë një sërë kleçkash për mënyrën se si janë plotësuar formularët, ndërkohë që është rrëzuar kriteri kryesor për të shpallur fituesin, që është ai i ofertës më të mirë financiare. Abuzimi është me rreth 13 për qind të vlerës së tenderuar nga KESH, ndërkohë bëhet fjalë për një tender për shpenzime operative dhe që zhvillohet në mes të një krize të fortë energjetike që ka goditur financat e kompanive publike të sistemit energjetik shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura