Telenovela e Niko Trimit vazhdon, gruaja kthehet në shtëpi: Ai më qëlloi i pari

Aug 20, 2015 | 12:52
SHPËRNDAJE

Edmonda pranon të kthehet te Niko Trimi, bashkëshorti me të cilin ka tri vajza të mitura. Ashtu si pritej Lushnjës e la me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje 26- vjeçaren, e akuzuar për dhunim të të shoqit. Kushti i vetëm është që ajo ndalohet të dalë jashtë vendit.

Edmonda e Niko Trimi
Edmonda e Niko Trimi
Vetë gruaja e re ka pranuar që të kthehet në familje, por ka treguar një pjesë tjetër të historisë. Sipas saj, dhunën e ka nisur i pari i shoqi 36-vjeçar e më pas ajo u detyrua që t’ia kthejë për t’u vetëmbrojtur. Gjatë fjalës së tij në seancë, Niko Trimi edhe një herë konfirmoi se do ta falte gruan nëse ajo nuk fliste me miq në Facebook dhe nuk e rrihte. Por, e pyetur nga trupi gjykues, Edmonda ka thënë se ajo nuk ka ushtruar dhunë ndaj burrit. Ka qenë ai i pari që e ka provokuar dhe dhunuar dhe ajo thjeshtë është bërë pjesë e sherrit.

“Ai mund të thotë çfarë të dojë kur unë s’jam aty, por tani që jam unë e pranishme nuk mund të thotë që unë e rrah. Ai më ka rrahur mua disa herë dhe unë vetëm e kam gjuajtur për t’u mbrojtur. Edhe pse gjykata po më lë të lirë, unë kam frikë të shkoj në shtëpi sepse ai do të më dhunojë”, ishte reagimi i të arrestuarës.

Ajo u la të takonte edhe vajzat e saj të mitura, ndërsa pohoi se do të kthehej në banesë vetëm nëse gjykata i dilte garant që ajo nuk do të dhunohej. Niko Trimi denoncoi një javë më parë të shoqen se e tradhtonte dhe dhunonte sistematikisht dhe për këtë blutë e vunë në pranga të renë.

Ndërkaq, vetëm pas arrestimit të saj, burri u pendua duke deklaruar publikisht se do ta falte gruan nëse ajo s’do ta tradhtonte më dhe do të mbyllte Facebook-un. Sipas Trimit ajo mbante lidhje në Facebook me njerëz të tjerë të cilët e çonin në tradhti bashkëshortore, gjë që është kundërshtuar nga vetë Edmonda. Një ditë para seancës gjyqësore, Prokuroria u shpreh zyrtarisht se ditën që gruaja u largua nga shtëpia, çifti ishte grindur për telefonin.

Organi i akuzës sqaroi se, më 9 gusht në mesditë, Niko Trimi ndodhej në dyqanin e tij, ku ka shkuar një e afërme e tij dhe i ka thënë se Edmonda po fliste me dikë në telefon. Burri ka treguar se ai kishte dyshime të mëparshme dhe ka nxituar për ta kapur në flagrancë të shoqen. Por kjo e fundit kishte mbyllur derën dhe kur e hapi, tentoi ta fshihte telefonin.

Në tentativë për t’ia marrë, burri deklaroi se gruaja e goditi në fytyrë. Nisur nga hetimet dhe të dhënat e mbledhura, prokuroria konfirmoi se: Duke vlerësuar rrezikshmërinë shoqërore, rrethanat e kryerjes, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, si ekzistenca e faktit, kushtet e kryerjes së veprës penale, faktin që është e padënuar, rrethanat familjare, faktin që ka tre fëmijë të mitur në ngarkim, si dhe faktin që dhunën e ka kryer në prani të fëmijëve, prandaj sipas saj të lihej e lirë.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura