Telefonata (jo)standarde e Ramës

Feb 21, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

SAMI NEZA

  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tregoi të enjten rreth një telefonate skandaloze që ka marrë nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, një javë më parë. Bëhet fjalë për një “bisedë të papranueshme, të paimagjinueshme dhe të pabesueshme”, siç tha Presidenti për një Kryeministër që flet me kreun e shtetit të vet. 

Duke mos pasur nevojë për të shtjelluar më tej fjalorin e Kryeministrit, kuptohet se skenari i asaj bisede përmblidhet në një synim: shantazhimi i Presidentit deri në atë pikë sa ta detyrojë të heqë dorë nga ligjshmëria që ndjek ai institucion për të realizuar projektet e Kryeministrit, projekte të cilat kryesisht lidhen me emra personash në krye të institucioneve të ndryshme si gjykata, ushtri, diplomaci.

Në një vend me demokraci parlamentare ku Kryeministri ka më shumë pushtet se Presidenti, roli i këtij të fundit reduktohet si menaxher pushteti, por përforcohet si rregullator i raporteve të pushteteve. Agresioni ndaj këtij funksioni është një agresion ndaj pavarësisë së pushteteve e, si rrjedhim, cenim i formatit shtetëror që ka zgjedhur Shqipëria që me rrëzimin e komunizmit në 1990. Ne e kemi njohur Edi Ramën si person i reagimeve të papritura, që shpeshherë në politikë të sjellin produkt, qoftë për shkak të befasisë e qoftë për shkak të mesazheve që kapen më shpejt prej publikut. Ai nuk ka hezituar të prodhojë skandale të sjelljes edhe kur ka qenë pa post, edhe si ministër Kulture, edhe si kryetar Bashkie, edhe si Kryeministër. Por në shumë raste skandalet kanë qenë në një kontest të ngushtë, të përshtatura me sjelljen e tij, pa dëme anësore dhe ndërkohë edhe pa impakt institucional.

Në ndonjë rast nuk ia kanë cenuar vlerat apo aftësitë, por kanë përcaktuar një dimension tjetër, që shumë njerëz ia kanë pranuar edhe në politikë për shkak të përshtatjes me profilin e tij personal. Ai ka fyer gazetarë, ka goditur familjarë, ka persekutuar bashkëpunëtorët e vet, deri edhe ministra. Po ashtu është fyer prej tyre, madje ka vuajtur lloj-lloj akuzash, nga më denigrueset që ka marrë ndonjë politikan në kurriz. Por dëmi dhe përfitimi kanë qëndruar gjithnjë bashkë, herë duke reduktuar njëri-tjetrin e herë duke u izoluar në vende prej ku nuk rrezatohej në publik. Por në gjitha rastet e sjelljes alarmante nuk janë kapërcyer kufijtë deri te cenimi i demokracisë. 

Telefonata e publikuar nga Presidenti Nishani tregon se agresiviteti dhe deformimi i sjelljes së Kryeministrit kësaj here nuk është teknikë komunikimi apo ves për shkak të tipit, por goditje për stabilitetin e institucioneve demokratike në vend. Pse një Kryeministër duhet të fyejë Presidentin e vet? Në çfarë rastesh mund të ndodhë një histori e tillë? Deri tani nuk ka ndonjë rast qoftë në Shqipëri e qoftë në vende të ngjashme me ne që të ndodhin të tilla ngjarje. Vite më parë, Presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, një ikonë e demokracisë në Ballkan, ankohej se Kryeministri i tij dhe qeveria nuk e informonin.

“Unë i marr vesh i fundit se çfarë ndodh në Kroaci”, deklaronte ai atëherë. Kaq ishte problemi i Mesiç me Kryeministrin e vet. Edhe konflikti i Berishës-Kryeministër me Topin-President kishte një natyrë tjetër dhe nuk reflektohej te pavarësia e institucionit të Presidentit. Berisha e kishte fyer publikisht Topin, por shoqëruar me një akuzë për një ngjarje publike me rrezatim shumë të fortë në cilësinë e shtetit shqiptar, lehtësisht të gjykueshme prej të tjerëve, ngjarjes së 21 janarit, dhe mbështetur në pretendimet e Kryeministrit Berisha se Topi kishte gisht në ato trazira. Por qeveria e asaj kohe nuk ka marrë asnjë iniciativë të njëanshme për të reduktuar rolin e Presidentit në shtetin shqiptar apo për ta zhveshur atë nga kompetencat në lidhje me funksionimin e institucioneve qeverisëse.

Ndryshimet e Kushtetutës në 2008-n ishin rezultat i marrëveshjes PD-PS, disa ndryshime prej të cilave po testohen si të dobishme qysh atëherë. Ndërsa Kryeministri Rama, i lidhur fort pas shprehjes se ai dhe qeveria nuk fyejnë Presidentin, u hedh hi syve gjithë ditën njerëzve për të bërë diçka që është shumë më e rëndë se fyerja apo delikti verbal, delikti institucional, zhbërja e institucionit të Presidentit. Deri tani, qeveria dhe më pas Komisioni i Ligjeve në Parlament nuk ka bërë asnjë nen për reformën në Drejtësi, në ushtri, në diplomaci, veç atyre neneve që nisin e mbarojnë me reduktimin apo zhdukjen e kompetencave të Presidentit, të njohura dhe të sanksionuara nga Kushtetuta. Ka dy vjet që prodhohen ligje dhe flitet për reforma e në fund të bilancit nuk ka reformë, por transferim pushteti me forcën e kartonit prej një institucioni të pavarur, siç është Presidenca te qeveria, asnjëherë anasjelltas.

Shpeshherë këto ndryshime janë të dhunshme, kapërcejnë edhe ligjet duke projektuar gjithfarë skenarësh të denjë për gangsterë, siç ka ndodhur në disa procedura parlamentare për drejtues institucionesh. Nga vjen kjo mungesë totale e kulturës së koabitacionit pas 25 vitesh demokraci në Shqipëri? Pse duhet të ketë Kryeministri fobinë e tjetrit në pushtet deri në atë masë sa të mos të kontrollojë veten, madje të mos kontrollohet as nga ilaçet, pra të mos jesh as rast patologjik, po diçka më keq? Janë qesharake argumentet që janë sjellë si shkak për raportet e fundit mes dy institucioneve. Një emër ambasadori dhe të gjithë emrat e ambasadorëve nuk duhet të kenë aq ndikim në raportet mes dy institucioneve kryesore të shtetit shqiptar.

Kjo nuk është histori e keqe e krijuar nga rastet, por një çështje bindjesh që dominojnë Kryeministrin e vendit, i cili i kërkon të gjitha pushtetet për të ushtruar qeverisjen. Tashmë, biseda mes Kryeministrit dhe Presidentit është bërë publike. Është bërë publike nga Presidenti, me siguri për të sensibilizuar rreth rrezikut që i vjen qeverisjes dhe demokracisë së vendit nga pozicioni që ka zgjedhur Kryeministri në raport me institucionet e pavarura dhe Kreun e Shtetit. Kryeministri ende nuk është shprehur rreth saj. Dhe duket se komunikimi Qeveri- Presidencë pothuajse nuk funksionon. Rama duhet të kërkojë falje. Vetëm heshtja nuk e zhbën skandalin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura