Telashe për mbrojtësin e Kombëtares, klubi i Serisë A kthehet në vatër të COVID-19 dhe ndërpret aktivitetet

Jul 17, 2021 | 18:44
SHPËRNDAJE

Klubi i Specias po kalon një moment shumë të pafat në këtë periudhë. Vetëm një ditë pasi mësoi nga FIFA se i është bllokuar merkato për dy vite si pasojë e shkeljeve të shumta në nënshkrimin me futbollistë minorenë, skuadra e Serisë A, pjesë e të cilës është edhe mbrojtësi kuqezi, Ardian Ismajli, është detyruar që të ndërpresë çdo aktivitet sportiv meqë është kthyer në vatër infektimi me COVID-19.

Lukaku Ismajli

Në klubin e Specias gjatë ditës së djeshme u mësua se një futbollist kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 në testet e fundit dhe si masë paraprake, u ndërpre stërvitja. Por duket se kjo masë është ndërmarrë shumë vonë, pasi testet e reja treguan se virusi ishte përhapur gjerësisht në skuadër.

Klubi bëri të ditur me një komunikatë zyrtare se në testime kishin rezultuar pozitive 6 futbollistë dhe 1 pjesëtar i stafit. “Klubi bën të ditur se për momentin të gjithë aktivitetet sportive janë pezulluar dhe i gjithë grupi i lojtarëve është në izolim duke ndjekur procedurat e parashikuara nga protokolli sanitar”, shpjegonte Specia në deklaratën e vet ku nuk tregonte emrat e personave të infektuar. Vetë Ismajli ka qenë një nga lojtarët që ka kaluar COVID-19 në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa në Itali ishin të sigurt se ai u infektua gjatë një grumbullimi me përfaqësuesen shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura