Teferria, vajza e këngës “Vranishti një rrëzë mali”

Nov 16, 2017 | 11:37
SHPËRNDAJE

duro mustafaiDURO MUSTAFAI

Në Labëri ka një këngë epike nga më të njohurat. Kënga do të ketë lindur  ndoshta më shumë se 100 vite më parë, e megjithatë vargjet dhe melodia e saj kujtohen e këndohen… Kjo ndodh edhe për faktin se ajo i bën jehonë një rasti të veçantë të trimërisë. Dhe, në përputhje me traditën labe trimëria këndohet e himnizohet, aq më tepër, që për rastin në fjalë, protagoniste është një vajzë e re, 14-15-vjeçare. Vajzës, pa asnjë arsye serioze, dikush nga fshati i vrau babanë, dhe ajo, nga që s’kishte në familje djem të rritur, u vesh si djalë, e i zbrazi koburen vrasësit të babajtë.. Dhe kënga thotë: “Vranishti një rrëzë mali,/ Nxori një flori,/ Një çupë zbriti nga mali,/ me kobure mu në gji,/ Mori hak për babanë se s’kishte njeri/..

Edhe kjo këngë, si edhe të tjera, flet për hasmërinë që e shkaktonin grindjet për çështje nderi, për një vijë uji, një copë toke, për martesa e krushqi të prishura etj. Dhe pas tyre gjëmonte “koburja e përgjakshme”, që korrte jetë njerëzish të pafajshëm, e megjithatë ky fenomen i hakmarrjes e gjakmarrjes, konsiderohej normal e detyrim moral i kohës.. – I– Vranishti i Vlorës, vendlindja e Teferri Myslimes, është një fshat rrëzë malit të Çikës. Veçanërisht në fillimet e shekullit XX-të, hasmërit këtu kishin terren të lirë dhe atëherë ai përmendej si “Fshati i 40 belave” (40 hasmërive).

Po gjakmarrja bënte kërdinë në krejt Labërinë. Gjatë viteve 20-të të shekullit të kaluar, në Labëri çdo vit, vriteshin më shumë se 100 djem për gjakmarrje. Prej tyre, jo pak ishin vranishtiotë. Edhe në rastin e Teferrisë, rapsodi, që kish kënduar për lavdinë e njeriut dhe të ripërtëritjes së jetës, që i këndonte trimërisë në luftë kundër pushtuesve, kish nisur të këndonte për vdekjen e jetës. Një kuje e futur në vargje, këndohej edhe në dasma e gëzime familjare.!?.. Por mendjet e ndritura dhe zemrat e plagosura nuk këndonin. Ata lëshonin thirrjet e dëshpërimit dhe protestat e zgjimi të ndërgjegjes atdhetare.

Më 1908, që në vizitën e parë në Vranisht, Burri i Kombit, Ismail Qemali, do të thoshte: “Mos e derdhni më gjakun në grindjet me njëri-tjetrin, gjaku na duhet për luftën me armikun pushtues”…. Gjaku është i shenjtë, siç është e shenjtë liria. Më 28 nëntor 1924, (në 12-vjetorin e Pavarë- sisë), biri i Vranishtit, filozofi, juristi e publicisti i shquar, Sali Hallkokondi, së bashku me atdhetarin Halim Xhelo-Tërbaçin, do të bëheshin nismëtarët kryesorë të organizimit, në Kuç të Kurveleshit të Kuvendit Zakonor të Labërisë, për të çrrënjosur në këto treva zakonet e egra, të vjetra e të mbrapshta të së kaluarës.

Dhe në qendër të goditjeve viheshin gjakmarrja …që s’përputhesh me parimet e një jete EUROPIANE.. Vetëm 3 muaj pas këtij tubimi të madh historik, do të njoftohej se në Labëri ishin bërë 106 falje të gjakut. Ishte ajo kohë që hodhi parullën, aq të dëgjuar e aktuale edhe në ditët tona, e që ka mbetur si dëshmi fisnikërie: “Nuk është trimëri të vrasësh, trimëri e burrëri është të falish”, sidomos kur këtë e kërkon interesi për bashkimin e vëllazërimin e njerëzve”. Në “Luftën e Vlorës dhe në luftën antifashiste u falën hasmëritë, dhe, do të gjendeshin edhe njerëz “në gjak”, që luftonin në krahë të një njëri-tjetrit, në një llogore kundër hasmit të përbashkët, armikut pushtues. Në Vranisht, edhe sot gjendet një urë, që kujtohet si “Ura e gjakut të falur”..

Ajo është ndërtuar nga një fis, në shpërblim të gjakut të falur nga një fis tjetër fisnik. Dhe ura quhet “Ura e Xhame” (në nderim të fisit të dëmtuar e sakrifikuar). Kjo urë, prej afro 100 vjetëve i shërben fshatit, duke lidhur dy brigje për të bashkuar njerëzit e për të shprehur ndjenjat e faljes, bujarisë e fisnikërisë… Pas çlirimit vazhdoi rruga e nisur nga gjyshërit e baballarët, hasmëria u vu jashtë ligjit dhe jashtë moralit tonë… Edhe gjatë kohës së demokracisë, Vranishti, ashtu si Labëria, kanë dhënë shembuj të mirë në këtë drejtim. Në këto 27 vitet e fundit, vetëm 2-3 raste vrasjesh ka pasur në Vranisht, por në asnjë rast e askush nuk ka përdorur vetëgjyqësinë, këtë ia ka lënë në dorë drejtësisë. E më parë duke synuar faljen e pajtimin e gjaqeve…

Tanimë ka ikur koha e Teferrisë dhe e këngës gjakmarrëse. Vranishti, “Fshati i 40 belave”, është sot një fshat pa hasmëri. Dhe kënga që himnizonte gjakmarrjen është futur në anale, por s’është harruar. Ajo veç përmendet thjesht si një dëshmi e historisë së kaluar, për të nxjerrë mësime të dobishme në ditët tona, me motivin hyjnor se “Jeta njeriut i jepet vetëm një herë dhe askush s’ka të drejtën ta marrë”. II-Po, shembujt e mirë duhen popullarizuar. Sepse e keqja e një zakoni të mbrapshtë e të egër, që i ka rrënjët e thella në shekuj, ka raste që përsëritet.

E kjo ndodh edhe në ditët tona, sidomos në disa zona të Shqipërisë, veçanërisht në veri të vendit… Dhe faktet janë tronditëse. Le të përmendim disa shembuj. Kohë më parë, Pastori i Shkodrës, Dritan Prroji, 34-vjeçar, u vra në mes të qytetit me Bibël në dorë, tek dilte nga Kisha e shkonte në një shkollë fëmijësh, nga dora mizore e një gjakmarrësi. U vra njeriu i Zotit, që s’kishte vrarë njeri, e i ishte përkushtuar jetës së njerëzve. Kish lënë amanet që po të vritej, ai, njeriu paqësor, familja ta falte gjakun.

Dhe Elona, gruaja e pastorit, pas një kohe, e fali gjakun, duke dhënë një shembull të mirë për të tjerët. Po vrasje të tilla duhen parandaluar. Dhe janë një numër jo i vogël organizmash shtetërore e shoqërore, që nisin me drejtësinë e policinë dhe përfundojnë me mediat që duhet të veprojnë.

Po roli i tyre është i mefshtë e këtë e tregojnë faktet e shumta drithëruese, që dëshmojnë për indiferentizëm e paaftësi. Vetëm gjatë këtyre 27 viteve të fundit, si pasojë e gjakmarrjes, në Shqipëri numërohen 6 mijë jetë të humbura dhe 10 mijë familje të ngujuara. Këto shifra janë bërë publike nga Avokati i Popullit, institucion i cili ka prezantuar edhe draftin për gjakmarrjen, duke rekomanduar masat që mund të merren për të parandaluar dukurinë.

Por, në këtë fushë, nuk duhet mohuar edhe indiferentizmi i organeve shtetërore dhe organizmave civile, që edhe kur “veprojnë”, më tepër shprehin keqardhje për gjendjen, sesa bëjnë punë konkrete. Kjo shpjegon edhe faktin që pjesa më e madhe e vrasjeve të kryera për gjakmarrje janë në Tiranë, ku familjet kanë migruar kryesisht për t’i shpëtuar gjakësit. Ndërsa viktimat, një pjesë e madhe e tyre janë të rinj nga mosha 21-37 vjeç, ku nuk mungojnë vrasjet e fëmijëve dhe femrave. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në Qarkun e Shkodrës ka 84 fëmijë nën moshën 16 vjeç që janë të ngujuar, shumica prej tyre të lindur në ngujim.

Dhe është absurde e mjerim mendor që në kohën tonë të përdorësh një vepër historike si Kanuni për të justifikuar gjakmarrjen. Janë të njohur edhe për vlerat njerëzore e morale Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë, por vazhdon të ketë edhe vrasje tej normave kanunore. Kështu, sipas Kanunit, ndalohet vrasja e një kleriku, e fëmijës, e grave e tjerë, por kjo gjë ka ndodhur.

Dhe ngjarje të tmerrshme si këto na bëjnë të kthejmë kokën prapa, te Vranishti i Vlorës, në vitet e largëta dhe të afërta të tij, te “Fshati i 40 belave” dhe te rrënjët e asaj të keqeje të kobshme, e cila ka bërë të lindin e shpërthejnë aq këngë vajtimi, që shoqëroheshin me kuje, britma e çjerrje të fytyrës. Po tani kohët kanë ndryshuar. Ngjarja dhe kënga për “vajzën që zbriti nga mali” kanë mbetur kujtime të një të shkuare të largët për vranishtiotët. Janë ndodhi të një historie me fletë të përgjakura, por që duhen lexuar, që tragjedi të tilla të mos ringjallen, siç po ndodh shpesh, dhe gjëmat me tmerre të mos përsëriten nga askush e tek asnjëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura