Tedi Blushi denoncon skandalin në Ministrinë e Financave: Tender 380 mijë euro për t’i mbyllur gojën mediave! Shpenzimet për “makijazh” nuk do e shpëtojnë dot Ramën

Oct 6, 2022 | 12:20
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar një tender të shpallur nga Ministria e Financave që sipas tij ka për qëllim për të blerë heshtjen e mediave.

tedi-blushi-1-770x386-1

Ai shton se tenderi me vlerë 380 mijë euro është i barabartë me pagën e 364 profesorëve.

“Shpenzimet e turpshme për “makiazhin” dhe kurimin e fytyrës së urryer të Qeverisë nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën dhe ministrat e tij nga llogaridhënia!

Për çdo abuzim dhe çdo qindarkë të vjedhur do të përgjigjen para popullit dhe drejtësisë!”, shkruan ai.

Statusi i plotë i Tedi Blushit

Skandali/ Ministria e Financave shpall tender 380 mijë euro për “shërbime propagande”, baraz me pagën e 364 profesorëve.

Në kulmin e krizës ekonomike dhe të rritjes abuzive të çmimeve, kur pedagogët dhe profesorët në të gjithë vendin janë ngritur në protestë për rritjen e pagave të tyre, Ministria e Financave shpall tender me vlerë 380 mijë euro për “shërbime propagande”. (37.500.000 lekë + TVSH)

Ky prokurim publik krejtësisht i panevojshëm, që ka për qëllim të qartë blerjen e heshtjes së mediave për skandalet e pafundme të Qeverisë, rrëzon përtokë pretendimin e gënjeshtërt të Edi Ramës dhe Delina Ibrahimaj se Buxheti i Shtetit nuk ka fonde për rritjen e pagave të profesorëve dhe pedagogëve.

Të shpërdorosh 380 mijë euro për propagandë mediatike në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, veçanërisht të 67% të popullsisë që jeton me të ardhura më pak apo deri në 5.5 dollarë në ditë, është një krim i shëmtuar, që nxjerr zbuluar fytyrën e vërtetë të babëzisë, hajdutërisë dhe paligjshmërisë të kësaj Qeverie.

Tenderi 380 mijë euro, baraz me rrogën e 364 profesorëve, (paga mujore e një profesori është rreth 1043 euro në muaj) duhet anuluar menjëherë!

Kaloni këtë fond dhe fonde të tjera tenderash të panevojshëm, që do t’i denoncojmë një për një, për plotësimin e kërkesave të drejta dhe plotësisht të realizueshme të pedagogëve!

Shpenzimet e turpshme për “makiazhin” dhe kurimin e fytyrës së urryer të Qeverisë nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën dhe ministrat e tij nga llogaridhënia!

Për çdo abuzim dhe çdo qindarkë të vjedhur do të përgjigjen para popullit dhe drejtësisë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura