Numri 17

May 24, 2020 | 13:05
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja (1)

Me siguri që sot, ju, lexuese dhe lexues syçelët e mendjehapur të kësaj rubrike të përjavshme, po habiteni deri diku me titullin e saj disi të çuditshëm: Thjesht një numër, 17! Duke e kuptuar habinë tuaj të sinqertë, po ju shpjegoj që në krye të herës se këtë titull ma imponoi krejt natyrshëm aktualiteti i këtyre ditëve të fundit, ma imponoi dita e 17 majit, një diel krejt ndryshe nga të tjerat, kur, krejt pabesisht, me një dhunë të neveritshme, policia e shtetit, e armatosur dhe e pamëshirshme – a thua se kishte të bënte me një bandë kriminielësh tejet të rrezikshëm –, sulmoi Teatrin Kombëtar, dëboi që andej ata artistë e intelektualë të tjerë, të cilët e mbronin atë vend të shenjtë pjesë të pandashme të kujtesës historike, socialkulturore et artistike të kryeqyetetit e të vendit, para se fadroma famëkeqe me damkën e krimit në pushtet ta shkatërronte atë për kënaqësinë supersadiste të një grushti pushtetarësh gopçarë!

Kujdes: Epitetin “gopçar”, nëse ende nuk jua ka hasur deri tani as syri e has veshi, “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe” (botimet EDFA, Tiranë, 2007), e shpjegon me këto fjalë: “i babëzitur, hamës, hamëtor, grykës, i pangopur, i pangopshëm, i pangishëm, i panginjur, makut, grykësor, babëziar, sylugat, i zijosur, i urëtuar, lakmitar, lakmues, ngrënës, llupës, llupash, barkaç, barkmadh, gojëlubi, zikeq, vampir, ladut, lakut, barkpangopur, barkshpuar, barpanginjur, barklubi, barkthes, barkvozë, barkkatua, barkshpellë, zorrëshpuar, gopç, nepsqar, barkstihi, gushëshpuar, lubi, lopëlarë, tamahqar, llabiç”. Pra, siç shihet, mbiemri “gopçar” nuk ka asgjë erotike, pavarësisht tri shkronjave të para, siç mund të hamendësonte ndonjë beqar i virgjër prej shekujsh.

Gjithsesi, le të kthehemi te numri 17. Në rininë time, kur ndonjëri prej  nesh, djemve të mëhallës së Shkollës së Kuqe në Tiranë, nxirrte nga goja budallallëqe apo bënte marrëzira, ne e shpotisnim duke i thënë: “Qenke bërë për tek shtatëmbëdhjeta!”, sepse në atë kohë, spitali i Tiranës përfshinte, ndër të tjera, klinikën e shërbimit të psikiatrisë me dy pavijone, atë me numrin 17 dhe atë me numrin 18; tek i pari, shtroheshin dhe kuroheshin pacientët më të rrezikshëm, ata që ishin aq të dhunshëm, saqë përbënin rrezikshmëri jo vetëm për familjet dhe të afërmit e tyre, por edhe për shoqërinë ose për bashkësi të caktuara (fqinjë, kolegë, fshat, lagje a qytet etj., etj.); tek i dyti shtroheshin dhe kuroheshin pacientë me çrregullime mendore, që jorrallëherë i përkisnin shtresës së inteligjencës, por që paraqisnin rrezikshmëri vetëm për veten e tyre, pra, që nuk ishin të dhunshëm me të tjerët.

Nga ana tjetër, sot, për shkak të shumë faktorëve ekonomikë (varfërim masiv i pandalshëm), socialë (pasiguri jetese në rritje) dhe psikologjikë (stres, ankth e depresion), shqiptarët, që po e përjetojnë keq e më keq këtë situatë të rënduar, nuk ngurrojnë më t’u drejtohen psikologëve, madje edhe psikiatërve, aq më tepër që në shërbimet psikiatrike që ofrojnë spitalet tona, ka mjekë shumë të kualifikuar, të specializuar edhe jashtë shtetit, shumica e të cilëve punojnë me ndërgjejgje të lartë dhe pasion të veçantë. Në këto rrethana, psikosociologët prej kohësh e kudo kanë tërhequr vëmendjen e klasave politike dhe në veçanti të pushtetarëve, të cilët mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjendjen jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore të popujve të tyre.

Rrjedhimisht, prej vitesh krejt i zhgënjyer nga klasa jonë politike në tërësinë e saj, por kryesisht, sidomos e në veçanti nga qeveria aktuale (ende pa “h” mes germave “u” dhe “a”) dhe liderit të saj (ende pa “rr” të fortë), do të dëshiroja që, në të mirë të popullit tim të rraskapitur, të stërmunduar e të dërrmuar nga të tëra pikëpamjet, të përfshihej në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë një nen në bazë të të cilit presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, kryeministri e ministrat, kryeprokurori i përgjithshëm, si edhe kryebashkiakët e mbarë vendit, të bëhen çdo gjashtë muaj objekt i një kontrolli të imtë mjekësor të aftësive të tyre fizike e mendore nga specialistë vendas e të huaj anonimë, të maskuar dhe të pajisur me aparate që zërin të mos ua njohë askush, për të parë nëse, ato, personalitet e lartpërmendura, janë në gjendje të qeverisin me ekuilibër, efektshmëri e ndershmëri.

Së fundi, duke e lënë tani për tani mënjanë mundësinë e përmbushjes së dëshirës sime, lejomëni, o lexueset dhe lexuesit e mi syçelët e mendjehapur, t’i drejtohem ministres së Shëndetësisë që t’i bëjë një nder të madh kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj dhe ministrit Lleshaj duke i shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës për të përcaktuar nëse kanë qenë të përgjegjshëm apo të papërgjegjshëm kur ideuan, dhanë e zbatuan urdhrin e shembjes së Teatrit Kombëtar, urdhër, si pasojë e të cilit për pak do të ishin vrarë disa anëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit; në rezultofshin të papërgjegjshëm, le të dërgohen jashtë shtetit për t’u kuruar e çlodhur falë parave të oligarkëve, por në dalshin të përgjegjshëm, atëherë le të presim me shumë durim reformën në drejtësi që të gjykohen një ditë, madje sa më shpejt, por jo kur të pjellë gjeli vezë, siç shprehemi ne, shqiptarët, ose kur pulave t’u kenë dalë dhëmbë, siç shprehen francezët!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura