Teatri – puntatat e para të serialit “PPP” të Ramës

Feb 24, 2018 | 15:30
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

Kjo historia e Teatrit që duan ta ndërtojnë me PPP (partneriteti publik privat) nuk është e re. Seriali … i filmit “PPP” i Ramës i ka nismat e veta të para me kioskat, që zaptuan Tiranën. Unë,(pushtetari) kam në dorë të të jap ty (privatit) një shesh nga parku publik; ti më jep ca para si shpërblim dhe ndërton atje një kafe apo piceri, me të cilën nxjerr fitime. Pastaj hamë e pimë atje së bashku dhe bëjmë edhe pazare të tjera më serioze. Ja, kaq e thjeshtë është. Më kujtohet se edhe Akademia e Arteve dha asokohe leje për një kioskë të tillë në oborrin e saj, që quhej “e Xhatit”, ku njerëzit e rëndësishëm të Akademisë si Rama, që e kishte zbukuruar kioskën me pikturat e veta, hanin qyl për “nderin” që i kishin bërë Xhatit. Ky fillim vazhdoi më pas me “Bar Akademia”, që zinte gjithë lulishten, “Bar House of Arts” dhe “Radio House of Arts”, të dyja nën sallën e Teatrit të Akademisë, që u bënë pronësi e Fidel Yllit, i cili e kishte filluar biznesin edhe ai me një kioskë të dhënë nga pushtetarët.

auto_Fatos_Lubonja1477810771

Në një nivel pak më të lartë ky partneritet u bë me Teatrin Kombëtar. Sikurse dihet, Teatri Kombëtar ka dy ndërtesa në disponim. Atë ku ndodhet sot salla kryesore dhe atë ku ndodhet Teatri Eksperimental. Në vitin 1995 kur rrogat, sikurse dihet, ishin shumë të vogla dikush solli nga Bullgaria idenë gjeniale që ndërtesën e Eksperimentalit ta jepte me qira për të vendosur atje një bingo. Në këtë mënyrë u lidh një kontratë midis Teatrit Kombëtar dhe Bingo Yllit. Sipas kësaj kontrate, Bingo Ylli do t’i jepte Teatrit 74 000 dollarë në vit nga fitimet e veta, me të cilat do të sponsorizohej ndonjë shfaqje, do të mbyllej ndonjë vrimë dhe do të shtoheshin rrogat e aktorëve e regjisorëve me 50 dollarë në muaj.

Ja çfarë koncepti për shtetin dhe respekti për artin kanë pasur ata që udhëhoqën të ashtuquajturin revolucion demokratik. Një mjerim i vërtetë, jo ekonomik, por shpirtëror e kulturor. Nëse Krishti i hoqi tregtarët nga tempulli, këta i futën. Ishim vërtet të varfër, por jo aq sa të fusnim në tempullin e artit, ekonominë e bixhozit? Edhe kinematë filluan të shndërroheshin, po me këtë praktikë, në qendra bixhozi.

Pastaj, erdhën Fatos Nano dhe Edi Rama me shokë, që pretendonin se dinin diçka më shumë se Saliu me shokë për shtetin, ekonominë e tregut dhe për artin e kulturën. Po çfarë ndodhi me kontratën e Teatrit me Bingo Yllin? Po jua kujtoj, se ndoshta e keni harruar: Qeveria Nano bëri asokohe disa ndryshime në ligj, për sa i përket dhënies me qira të hapësirave publike për privatët. Sipas një VKMje, drejtorët e institucioneve mund të jepnin me qira vetëm një hapësirë që nuk i kalonte 200 metrat katrorë. Nëse sipërfaqja ishte midis 200 dhe 500 atëherë kjo e drejtë firme i kalonte ministrisë së linjës, që në këtë rast ishte ajo e Kulturës. Kurse, nëse sipërfaqja i kalonte 500 metrat katrorë, atëherë kompetenca i kalonte Ministrisë së Ekonomisë. Shumë e drejtë, apo jo? Pse të njëjtën vlerë ka firma e një drejtori me atë të një ministri?

kontrata e teatrit kombetar

Kështu, sipas ligjit të ri, duhej të lidhej një kontratë e re midis Bingo Yllit dhe Yllit të Ministrisë së Ekonomisë të asaj kohe me mbiemrin Bufi, sepse, siç e tregon edhe një faqe e kontratës së mëparshme, që është denoncuar në shtyp që në vitin 2002 në gazetën “Dita”, sipërfaqja që kishte marrë Ylli i bingos ishte 575 metra katrorë. Por, siç e tregon faqja e kontratës që u lidh, nuk ndodhi kështu, sepse sipërfaqja na qenka reduktuar (d.m.th. falsifikuar), në fiks 500 metra katrorë; kështu që të drejtën e firmës na e ka marrë dora vetë, ministri i Kulturës, shefi i PPP-ve të sotme, Edi Rama. Dhe ç’është më e bukura, a e dini rezultatin? Nga 74 000 dollarë në vit, Teatri mori më pak se gjysma (4 mil lekë).

Për ata që kanë harruar, çfarë ndodhi më tej në ato vite, po rikujtoj se, kur Majko erdhi në pushtet, shkarkoi drejtorin e emëruar nga Rama, Xhevdet Ferrin. Po pse? Sepse ky, duke qenë si Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri, në stilin e njohur të lënies së objekteve në gjendje të mjerë, për të justifikuar pastaj prishjen, nuk kishte bërë, prej një viti e gjysmë, tenderin e rikonstruksionit të pjesshëm të Teatrit. Këtë e bëri kryefirmëtari i peticionit për shpalljen e Teatrit Monument Kulture, Agim Qirjaqi, që e zëvendësoi. Ndërkaq, Xhevdet Ferri në fjalimin e lamtumirës, harroi të falënderojë aktorët dhe regjisorët, por nuk harroi të falënderojë përzemërsish Bingo Yllin, ndonëse administratori i saj ndërkaq kishte rënë në burg. Dhe a e dini për çfarë motivi? Për gjobëvënie ndaj një biznesmeni kryeqytetas.

shkrimi i lubos

E pra, nëse doni të dini se çfarë po përgatitet të ndodhë me pronën publike që sot quhet Teatër Kombëtar, si spektator dhe kritik i vjetër i këtij filmi të shëmtuar, po jua them, kjo nuk është tjetër, veçse thjesht vazhdimi me aktorë të vjetër e të rinj i puntatave të para me titujt “Kioska e Xhatit” dhe “Bingo Ylli”.

* Artikull i shkruar ekskluzivisht për Gazetën Panorama. Ndalohet rreptësisht publikimi i tij i plotë, apo i pjesshëm. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura