Teatri, Përparim Kabo: S’duhet shembur, Rama e Kumbaro do futen në histori (e plotë)

Mar 16, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

ALMA MILE

Kur i kërkuam një intervistë për zhvillimet më të fundit rreth godinës së Teatrit Kombëtar, një nga anëtarët e bordit të këtij institucioni dhe një nga dashamirët më të mëdhenj të teatrit dhe njerëzve të teatrit, filozofi Përparim Kabo, ishte duke lexuar “Gomarin e Baba Tasit” të Gjergj Fishtës. Ironike… “E njëjta histori përsëritet”, thotë ai.. Filozofi Përparim Kabo e ka zgjedhur që në krye të herës se cilën anë do të mbajë.

perparim-kabo-470x461

Ai shprehet kundër shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar për të ndërtuar në vend të tij një të ri, duke e konsideruar atë si pjesë të kujtesës dhe historisë së shqiptarëve. Përmes kësaj interviste, ai shpjegon arsyet pse duhet ruajtur godina aktuale, mendimin e tij për qëndrimin që po mbajnë dhe duhet të mbajnë artistët, por edhe shteti përballë një ndërtese si ajo e TK-së. Sipas tij, nëse komuniteti artistik, spektatorët, mediat, ish-ministrat e kulturës, etj., nuk do të reagojnë, godina e Teatrit Kombëtar do të shembet. “Komploti i heshtjes është më i keqi komplot!”, thotë ai. Si anëtar i bordit të TK, ai bën oponencë deri në fund.

Ju jeni njeri shumë i afërt i teatrit dhe pa dyshim dëshironi më të mirën për të. Sipas mendimit tuaj, a duhet që të shembet godina aktuale e TK, për të ngritur një të re në vend të saj?

Unë e dua teatrin dhe kur e them këtë gjë, kam në mendje dhe në shpirt një dashuri 50-vjeçare, duke nisur nga dita e parë kur hyra në atë godinë…në atë tempull dhe takova magjinë e artit më të vjetër… Unë e dua teatrin sepse formimin tim ia dedikoj, në një masë të konsiderueshme, edukimit prej tij. Unë e dua teatrin se kam pasur miq si Violeta Manushi, Drita Pelinku, Kadri Roshi, Prokop Mima e Sulejman Pitarka. Kam pasur njerëz të shtrenjtë të jetës sime, Mihal dhe Edi Luarasin, Pavlina dhe Pirro Manin, Roland Trebickën dhe Agim Qirjaqin, Yllka Mujon e Bujar Asqeriun… Unë e dua Teatrin Kombëtar sepse ai është pjesë e denjë e historisë kombëtare.

Eh, nëse kësaj historie i shembet streha dhe thuhet se mbi atë ‘strehë rrënojë’ të ngrihet një ngrehinë e re, këtu ka diçka që nuk shkon. Ata që luajtën e krijuan atje, do mbeten pa tempullin, historia pa faktet, qyteti pa dëshmitë, publiku pa memorien, e gjitha kjo mund të quhet, me plot gojën, një rrënim për shkak të një pseudo moderniteti. Një godine e re teatri duhet, madje koha ka kaluar. Mund të ngrihet dhe atje ku është ekzistuesi, mu në mes të oborrit, si një kullë me konstruksion xhami dhe hekuri; mund të ngrihet dhe gjetiu, për shembull përgjatë bulevardit të ri dhe ai të quhet “Bulevardi Teatri Kombëtar”…, por kurrsesi të shembet ajo godinë unikale, e cila, me të gjitha gjasat, mund të mbahet si është dhe të rikonstruktohet.

Kujtesa e shembur është histori e shembur, historia e shembur është histori e fshirë dhe nëse veprojmë kështu kudo dhe në të gjitha fushat e jetës materiale dhe shpirtërore, ne i mohojmë atdheut dhe popullit udhëtimin historik, cilido qoftë ai. Brenda historisë së një vendi dhe një populli ka arritje dhe marrëzi, ka suksese dhe dështime, ka paqe dhe luftë, ka dashuri dhe urrejtje, ka ecje dhe kthime…, por në fund te pasionet qetësohen dhe mendja gjen qetësinë. Arsyeja pyet pse e bëmë këtë? Ndaj, jo nesër, por sot ne duhet të pyesim pse duhet ta bëjmë këtë gjë, ta shembim godinën e Teatrit Kombëtar, pse?!

Ka nga ata që e konsiderojnë “dopolavoro”, madje i kujtojnë edhe gjyqet që janë bërë atje… Mjafton kjo për ta shembur?

Pikërisht, nëse është dhe ky argument, ajo godinë nuk duhet shembur. Sepse në të ardhmen, nëse do flasim për pushtimin fashist dhe kulturën fashiste, çfarë do të tregojmë, ku është ushqyer ajo. Paçka se atje ka një projekt që ende ekziston si është bërë dhe ajo godine është enkas teatër. Nëse janë zhvilluar gjyqet komuniste, a duhet ne ta mbajmë në kujtesë këtë faktologji makabre? Po, duhet. Po nëse duam ta tregojmë në të sotmen dhe në të ardhmen, si do ta tregojmë? Me cilën godinë? Këta që mendojnë kështu, janë të shiturit e mendjes së humbur…

Po pse këta u ngritën të mos shembej piramida në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ishte muzeu “Enver Hoxha” dhe thanë që kjo vepër dëshmon, e rreshtuan lloj-lloj argumentesh të tyret dhe të studiuesve të huaj se historia pa veprat e ndërtuara në kohën e caktuar, zbrazet. Kjo lloj urrejtje e sajuar është shprehje e pafuqisë në arsyetim. Ajo godinë ka pasur disa emra, madje dhe “Kosova”. Por atje ka gati 70 vjet histori teatri dhe kjo histori i ka dhënë emrin godinës. Të tjerat janë arsye pa arsye.

Profesor, kanë kaluar ato kohëra kur vihej gishti e quheshe “armik i popullit”, por edhe vetë komuniteti artistik më duket shumë i lëkundur, i përçarë. Si do ta komentonit qëndrimin e tyre. Meqë e përmendët pak më lart, thua janë “blerë” apo kanë frikë, që nuk arrijnë ta mbrojnë shtëpinë e tyre?

“Armiku i Popullit”, oh sa bukur tingëllon dhe më kujton një kryevepër të dramaturgjisë, që u vu në skenë nga Agim Qirjaqi. (Sa për kujtesë: drama “Armiku i popullit” (1882 – Ibsen). Dramë sociale, përmes së cilës Ibseni godet disa prirje të paarsyeshme të masave, si dhe natyrën hipokrite dhe të korruptuar të sistemit politik që ato përkrahin. Nëpërmjet gjuhës komike të personazheve, autori përcjell idenë se nuk ka principe absolute mbi dijen dhe moralin, prandaj, përmes Doktor Stokmanit (zëri i Ibsenit në dramë), ai shpall se nuk duhet të përmbahemi te 20 vitet që kaluam, por te vitet që kanë për të ardhur, ku e vërteta do të ndryshojë në mënyrë tronditëse prej emancipimit shoqëror.

Edhe pse lidhet me fillimshekullin e XIX, kjo temë tingëllon mjaft aktuale dhe sot. Pra, në të gjitha kohërat, pas një hipokrizie morale ka “armiq të popullit”. Dhe, nëse do t’i njohësh, mjafton të pyesësh sesi i kanë marrëdhëniet me Teatrin. Ndaj, nëse ka shpirtzbrazur, që për “një kothere” nga ministria a për një projekt që u jep ca para që të ndërrojnë veturën… apo më keq akoma, artistë me demek me dokument partie në xhep që thonë “o burra ta shembim se kështu do Ai i madhi”, këta janë njerëz që s’i duhen askujt. Këta vlejnë si subjekti për dramën që po shkruhet: “Shembja e Teatrit dhe artistët që rrëmojnë themelet e tij”. Teatri mbrohet nga komuniteti, nga qytetarët, nga shoqëria civile, nga media, nga kujtesa historike, nga e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja.

Pati një lloj entuziazmi në fillim, një “mobilizim” i të gjithë artistëve.. Nuk kishim parë aq shumë bashkë, pastaj firuan rrugës… Në mbledhjen e fundit të SASE (Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit”, kishte më shumë gazetarë sesa artistë. Si e shpjegoni?

Të ikësh nga ideali që ke mbrojtur në fillim, do të thotë që ose atje ke qenë për të marrë nga protagonizmi i të tjerëve ose se nuk e di pse duhet të jesh. Mua nuk më tremb ikja e tyre, as më habit. Gjithkush bën sa dhe si di. Ajo që më shqetëson është gojëkyçja e atyre që shkojnë në takime. Edhe unë kisha ftesë. Por pyeta. “Po ne do flasim?”. “Jo, më thanë, ne vetëm do dëgjojmë”. Oh, më falni. Kjo kohë ka ikur për mua, unë nuk marr urdhra nga kushdo qoftë, sepse para lirisë sime, nuk vë gjë tjetër, ndaj edhe nuk vajta në atë takim.

Në të vërtetë, përveç Robert Ndrenikës, askush nuk u çua të fliste, madje shumica ikën me vrap, pa marrë mundimin as t’i drejtonin ndonjë pyetje arkitektit…

Ikja me vrap ishte shenjë e braktisjes. Unë do ta pyes këtu, në faqen e gazetës suaj “Panorama”: Zoti Arkitekt, në Danimarkën tuaj të Princit Hamlet, shemben godinat e teatrove të vjetër, aq më tepër një godinë unikale, se po të kishim nja 100 godina, po hajde do kishte kuptim?! Nëse lexojmë “Hamletin” e Shekspirit, kryekumti është thënia e tij:’Danimarka është një burg’, pra, ai nuk e kishte merak as fronin e vjedhur, as vrasjen e të atit dhe rrëmbimin e së ëmës në shtratin e të ungjit, Hamleti ishte pezmatuar deri në shpirtgremisje, se atdheu i tij me këto pseudovlera ishte shndërruar në një burg.

Tani, unë pyes me shkatërrimin e kujtesës historike që ka nisur herët në këtë atdheun tonë dhe ja po ua numëroj: në mesin e viteve ‘60 u shkatërruan objektet e kultit në të gjithë vendin. Në Tiranë, atje ku është Hotel Tirana, ka qenë Katedralja Ortodokse. Ngjitur me të është një godinë dykatëshe, që duket ende, por që do ta prishin për një kullë… Po a e dinë se atje, për nja dy muaj e ca, ka qenë Qeveria e Nolit? Po ish- godina e Komitetit Ekzekutiv, pjesë e ansamblit, pse u shemb? Po ish- Pazari i Vjetër?

Po në Bulevard, pse u ngritën dy kulla dhe në anën tjetër u shembën ato vila të bukura dhe u ngrit Piramida? Po stadiumi pse u prish, a nuk mund të rinovohej dhe të mbahej si pjesë e ansamblit dhe stadiumi i ri të ndërtohej diku jashtë qytetit? Po Hotel Dajti pse është përçudnuar? Kush mban përgjegjësi për këto lloj ndërhyrjesh. Historia nuk është vetëm koha e tashme, për arsyen e thjeshtë se çdo e tashme bëhet e shkuar dhe çdo e shkuar na largohet. Nëse çdo gjë që është e shkuar prishet, pse duhet arkeologjia? Unë nuk marr përsipër të shpjegoj pse heshtën ata që ishin në mbledhje. Heshtja e tyre është pohim i asaj që u tha atje. Nëse do ishin kundra apo do kishin një mendim alternativ, janë të lirë të shprehen kudo që e shohin të mundur dhe të përligjur. Liria e fjalës nuk është dekoracion, është kurajë dhe argument!

Po projekti i ri, si ju duk, apo nuk ia vlen të flasim për të?

Sot mund të gjesh projekte teatri nga më të mirët në botë. Askush nuk mund të të befasojë me atë që paraqet. Kalkulohet akustika, ndriçimi, fonia, këndi i shikimit të spektatorit, madhësia, ngrohja, ftohja, skena, dimensionet e saj, mekanizmat që sjellin mundësi qarkullimi të dekorit dhe hyrje-daljet e aktorëve… Të ndërtosh një projekt teatri, nuk është e vështirë!

Por akuzohet edhe për plagjiaturë…

Mundet, sot vjedhja e ideve është modë…Shitja e kopjes si origjinal është sjellje dhe mburrja me atë që nuk është jotja, botëkuptim. Ky do të ishte një turp më shumë, nëse është i vërtetë si lajm!

Kryeministri u shpreh qartë: Do shembet! Dhe mbi të do ngrihet një godinë si rezultat i 3 P-ve të famshme. Vërtet shteti shqiptar nuk ndërton dot një teatër, vetë?

Nëse ai e shemb, “Unë akuzoj” Ju, Edi Rama dhe Ju, Mirela Kumbaro, që do të shkruheni në histori, se shembët godinën e Teatrit Kombëtar. Ndërsa financimi, është një farsë e pështirë. Një shtet që nuk ka para vetë për një godinë teatri, tregon se në atë shtet nuk ka dashuri për këtë lloj arti… e nëse tempulli blihet e shitet te privati, atëherë kjo tregon pse lindi dhe duhet teatri dhe jo shteti…ky i pafati. Kujtesa është pasuria më e madhe dhe nëse bunkerët vlejnë si kujtesë, pse nuk vlen një tempull: Teatri?!

E gjitha kjo histori është e vjetër. Që 15 vite të shkuara, kur Edi Rama ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe donte të prishte dhe të bënte pallate atje dhe nja dy kate teatër. Ishte koha kur djali i aktores së shquar Ferial Alibali, i tha: “Jo, nuk është e drejtë! Bota mban si gjë muzeale, më falni, dhe të mbathurat e Merlin Monrose”. Dhe zoti Rama tha: “Ok, vini dhe ju brekët e Violeta Manushit”. Në çast, Luftar Paja hipi në skenë dhe i tha: “Turp të kesh, ajo është aktore e madhe e popullit”. Në atë kohë, Kryeministër ishte Pandeli Majko. Ai tha: “Godina nuk do të shembet”. Sot, zoti Majko është ministër i Diasporës. Ai po hesht. Unë e pyes: Pse hesht? Si do i thoni ju shqiptarëve jashtë vendit, që kanë pjesë nga historia e tyre, si spektatorë në atë teatër?

Ka një nismë nga artistët (ata që kanë rezistuar) për një llogari bankare, për të mbledhur fonde për ringritjen e TK. Mund të funksionojë?

Nuk kam dijeni për këtë llogari, por nuk është se besoj shumë… Kështu thamë dhe për Rrugën e Kombit dhe paratë u tretën si kripa në ujë!

Profesor, një nga shqetësimet që kanë ngritur artistët është edhe përgjysmimi i truallit të TK, jeni në dijeni?

Po, kjo nënkuptohet, privati do e marrë atë truall, ndaj nëse ka njerëz që duan ta shpien deri në fund betejën, duhet ta përcjellin dhe në Gjykatë.

Aq më tepër nëse do të ketë edhe disa kulla nga pas.. Po a kanë ‘këllqe’ artistët ta bëjnë këtë?

Nëse ka kulla nga pas, ajo nuk është më godinë teatri, atëherë ado jetë “dopolavoro”, as “new comer”. Teatri i ka fituar të gjitha betejat, se është hipotekuar që kur ka lindur në vetëdijen universale. Ata që hyjnë e dalin në histori, mbeten muhaxhirë të fatit! Artistët mund të ndryshojnë botën nëse janë artistë dhe jo rrogëtarë. Historia e njeh, si shembullin e parë dhe të dytin, sepse ka Moxart, por ka dhe Saljerë. Kësaj i thonë: sot, zgjidh e merr cili je e cili do të jesh në kujtesën e së nesërmes.

Ju e përmendet dhe me sipër historikun e kësaj ndërmarrjeje për ta shembur teatrin, pra, ka 15 vjet. Si e parashikoni të mbyllet kjo çështje? Do të ketë rezistencë, është ‘shashka’ e radhës apo duhet t’i japim lamtumirën ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar?

Nuk gjen dot arsyen në mendjet pa arsye. Unë di me siguri se çfarë mendoj unë… Nëse Parlamenti hesht, ajo shembet; nëse shoqëria civile mbyll gojën, ajo shembet; nëse media nuk prononcohet, ajo shembet; nëse të gjithë ish-ministrat e Kulturës, të majtë e të djathtë nuk flasin, ajo shembet; nëse spektatorët nuk dalin në protestë për tempullin e tyre civil dhe artistik, ajo godinë shembet. Komploti heshtjes është më i keqi komplot!

Ndonëse e keni thënë që në krye të kësaj bisede, le t’i rikthehemi dhe njëherë: E megjithatë, a jeni ju për një godinë të re teatri?

Sigurisht që unë jam për një godinë të re teatri, por me dy kushte: së pari që të financohet 100% nga shteti shqiptar dhe së dyti, të mos bëjë kurban godinën ekzistuese, e cila ose mund të rinovohet, ose mund të shndërrohet në muze, sa kohë që muze kthehen edhe shtëpi me gjethe apo strehime të ish-byrosë politike. Kujdesi ndaj tyre, nëse nuk është nostalgji, por është muzeumologji, do të duhet të tregohet edhe për një godinë teatri, ku ka folur Shekspiri dhe Shileri, Kolë Jakova dhe Spiro Çomora, Vedat Kokona dhe Dritero Agolli, Euripidi dhe Çehovi, Sebastiani dhe Vaclaf Havel… Kush ka frikë nga Teatri, është i trembur nga e vërteta. Edhe nëse e shembni, jehonat do ju ndjekin deri në amshim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura