Teatri Metropol përfaqëson Shqipërinë në projektin AIDA, Veliaj: Arti është ilaç ndaj përçarjeve që përcjell politika

Sep 7, 2020 | 14:53
SHPËRNDAJE

 

Veliaj nisma AIDATirana po shndërrohet në qendër e artit dhe kulturës evropiane, çka e përforcon edhe më shumë përzgjedhja e Teatrit Metropol si pjesë e projektit AIDA – një nismë e përbashkët mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi,për rritjen e bashkëpunimit mes qyteteve si Leçe, Campobasso, Tirana dhe Ulqini.

Teatri Metropol do të përfaqësojë Shqipërinë në projektin AIDA, nismë e përbashkët mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të rritur më tej bashkëpunimit mes qyteteve si Leçe, Campobasso, Tirana dhe Ulqini.

Në prezantimin e nismës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi rëndësinë që ka arti në jetën e një qyteti. “Shpresoj që ky bashkëpunim të jetë si ‘ilaç’ për vendet tona, si një vaksinë shpirtërore që na pajis me antitrupat ndaj virozave si populizmi, nacionalizmi, ndaj virozës së përçarjes dhe toksinave që sjellin në jetën tonë politika apo çështje të tjera”, tha ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se në këtë periudhë të vështirë, si pasojë e pandemisë, ka më shumë hapësirë për të luftuar stigmat që lidhen me çështjet e shëndetit mendor dhe kjo strategji e re për artin e adreson këtë problematikë.

“Sot kemi nevojë të kurojmë zemrën, të kemi një antidotë ndaj politikave përçarëse, nacionaliste, edhe në Itali, edhe në Mal të Zi. Të mendosh që ende në vitin 2020 ka parti politike, si edhe në Shqipëri, në Itali apo në Mal të zi, që investohen në frymën e përçarjes! Misioni juaj nuk është vetëm bërja teatër, por është edhe krijimi i një antidoti ndaj kësaj politike përçarëse, për të treguar se bashkëpunimi është i mundshëm. Ky është një nga ato projekte që bashkon brigjet e Adriatikut”, nënvizoi Veliaj. Kreu i Bashkisë shtoi se vëmendja ndaj artit ka një ndikim pozitiv edhe ekonominë e qytetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura