Teatri/ Meta mbështet aktorët, ç’ndodhi në takimin me Ndrenikën dhe Derhemin

Apr 5, 2018 | 8:30
SHPËRNDAJE

Paraditen e djeshme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka pasur një mbledhje të mbyllur me disa nga artistët që kanë qenë më aktivë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga prishja dhe ndërtimi i kullave të shumëpërfolura në territorin e tij.

Meta me artistet

Takimi ishte fare i ngushtë dhe pa praninë e mediave. E gjithë biseda, që nuk ka zgjatur shumë, ka qenë informuese. Presidenti është njohur me të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e atyre pak aktorëve që po mbrojnë këtë çështje, për t’i qëndruar deri në fund. Në fund të takimit kemi folur me njërin prej përfaqësuesve të ftuar, aktorin Arben Derhemi.

“Takimi shkoi shumë mirë kryesisht sepse Presidenti i Republikës ishte mirëkuptues në të gjitha ato sa u thanë. Ne paraqitëm shqetësimet tona, që tashmë janë bërë publike dhe njihen prej të gjithëve, moscenimin e territorit të Teatrit Kombëtar dhe mosprishjen e teatrit ekzistues për të ndërtuar kulla e pallate.

Për të gjitha këto, z.Meta ishte tepër mbështetës dhe po aq i interesuar sa ne për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore. Presidenti premtoi se do ta ndjekë këtë çështje në vazhdimësi, deri në zgjidhjen e saj, duke vënë theksin mbi rëndësinë e dialogut”, tha Derhemi në fund të takimit.

I pranishëm në atë takim të mbyllur ka qenë gjithashtu aktori Robert Ndrenika, i cili e ka pasur në fokus këtë shqetësim që prej ditës së parë që është supozuar për prishje të godinës së Teatrit Kombëtar, e deri sot, kur gjërat janë bërë më konkrete. Ai është aty, me ata pak aktorë, çdo të hënë, për t’i qëndruar idesë fillestare deri në fund. Të gjithë e kujtojmë atë që pati deklaruar Ndrenika ca muaj më parë, se teatri mund të prishej vetëm duke kaluar mbi trupat e artistëve. Në fakt, nuk janë shumë kolegë të tij aty sot për t’i mbështetur, megjithatë çështja vazhdon të mbetet e hapur.

Sipas një njoftimi për shtyp të Presidencës, artistët e njohën Presidentin Meta me shqetësimin e tyre dhe të komunitetit të artistëve lidhur me problemin e godinës së Teatrit Kombëtar, që është kthyer së fundmi në një debat publik. Kryeministri Edi Rama ka publikuar para disa javësh projektin e Teatrit të ri Kombëtar, që do të ndërtohet nga privati në vendin ku ndodhet aktualisht Teatri Kombëtar, i cili si pasojë e amortizimit do të shkatërrohet.

Si shpërblim për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, kompanitë private do të marrin tokë për ndërtimin e disa objekteve të larta në zonën pas teatrit. Presidenti Meta, pasi i dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre, theksoi “rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm e të transparencës për këtë çështje të rëndësishme, në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura