Teatri Kombëtar, të hiqet shpata e Demokleut

Apr 11, 2018 | 21:25
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJprec zogaj

E hëna e takimit të përjav shëm të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar (AMTK) rezervoi pardje një risi: paraqitjen e një projekti paraprak sesi duhet të jetë e çfarë mund të ndërtohet nga e para në territorin e sotëm të Teatrit Kombëtar. Me autorësinë e pedagogut dhe arkitektit të njohur Vladimir Bregu, në bashkëpunim  me dy-ish studentë të tij, Eljona Belegu dhe Drilon Zajmi, projekti në fjalë u ofrua falas si një kontribut qytetar, por edhe si një propozim alternativ ndaj projektit danez që u paraqit para disa javësh nga Kryeministri Edi Rama, në një sallë të Kryeministrisë.

DALJA E AMTK-SË ME NJË PROJEKT-IDE KONKRETE KA RËNDËSI TË SHUMËFISHTË

Së pari, sepse e shtrin konceptin e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar në fushën e zgjidhjes për gjithë problematikën që ka provokuar qëndrimin e artistëve dhe mbështetësve të tyre nga shoqëria civile. Do të thotë, se ata nuk mblidhen aty vetëm për të ruajtur me çdo kusht godinën dhe terrenin e kërcënuar me kulla dhe tjetërsim (sikur edhe kaq po të bënin, do të ishin tepër të nderuar), por janë dakord me qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës se duhet një ndërhyrje e fuqishme ose një teatër i ri në të njëjtin vend.

Së dyti, pa u futur në vlerësime dhe krahasime që janë kompetencë e jurive të specializuara, projekti i Aleancës shfryn zakonin e keq të Kryeministrit Edi Rama dhe të politikanëve të tjerë të modelit të tij, për të goditur masën me truke sugjestionuese- firma dhe projekte të huaja që “të lënë pa mend”, por që jo rrallë janë një maskim apo një ambalazhim i interesave ekonomike, që kanë vetë këta zotërinj dhe sipërmarrësit e oborrit të tyre. Një rast tipik i mashtrimit me etiketa të huaja nga fusha e ekonomisë, është ai kompanisë ARMO që, me demek, iu dha me bujë në vitin 2014 një “shoqërie prestigjioze amerikane”, por kur plasi skandali i shmangies përgjatë vitit 2017 nga kjo kompani e një shumë kolosale taksash e detyrimesh për arkën e shtetit, papritur doli se ARMO-n e kishte punuar një mik shqiptar i Kryeministrit.

Një shembull i tillë, kur një i huaj përdoret si vitrinë, nuk mund të ndiqet me Teatrin. Prej sot, projekti danez mund të konkurrojë në skenarin e një tenderi ndërkombëtar, që eliminon kullat, por ai nuk është më i vetëm. Ai e ka humbur efektin e pasqyrës magjepsëse, që kanë dashur t’i japin të fiksuarit pas kullave.

Së treti, duke përjashtuar kullat e shumëpërfolura, projekti i arkitektit të njohur shqiptar dhe dy bashkëpunëtorëve të tij i jep përgjigje vizionit të AMTK-së dhe shumë e shumë personaliteteve të jetës politike dhe publike për trajtimin e gjithë hapësirës ku ndodhet sot Teatrit Kombëtar, si një kompleks teatror ku ruhen dy godinat ekzistuese dhe shtohen hapësira të reja funksionale.

Së katërti, kostoja 10 milionë euro e projektit të ri, një shumë tri herë më e vogël se ajo e projektit danez, provokon një tjetër debat në lidhje me projektet e shtrenjta korruptive të tipit “palma”, që zbatohen në Shqipëri. Unë nuk mund të them se me 10 milionë euro zgjidhet problemi i Teatrit Kombëtar, por shifrat e kostove nuk mund të jenë kaq subjektive, siç janë, fjala vjen, opinionet. Protesta, qëndresa, aleanca, projektet, dialogu – të gjitha këto kanë sjellë shumë më tepër qartësi në lidhje me çfarë ishte menduar të bëhej, çfarë po bëhet e çfarë duhet të bëhet me Teatrin Kombëtar.

TANI ËSHTË KOHA PËR TË MARRË VENDIME

Vendimi i parë që duhet të merret nga Kryeministri dhe Ministria e Kulturës, është të hiqet njëherë e përgjithmonë shpata e Demokleut nga qafa e Teatrit Kombëtar. Lexuesit e dinë, ose mund të mësojnë, se shpata e Demkoleut është metafora me origjinë antike e një kërcënimi pafund, që mund të realizohet nga çasti në çast. Në një kuptim të caktuar, shpata e Demokleut është një formë e torturës. Nëse marrim historinë e njëzet viteve të fundit të Teatrit Kombëtar, nuk e ekzagjerojmë shumë po ta zëvendësojmë emrin e Demokleut me atë të Edi Ramës.

Sillet nga sillet dhe atje i kthehet mendja zotit Rama. Të shembë ndërtesën ekzistuese, t’u hapë rrugë ndërtimit të kullave, ku do të ketë në formë lëmoshe edhe një teatër si apendiks i kullave. Nisi para dy dekadash, rikthehet sërish pas dy dekadash. Nuk ka gjë me fyese për teatrin, për artistët, për artdashësit, për kulturën në përgjithësi. Nuk ka gjë më poshtëruese se t’u mbash atyre shpatën mbi kokë, jo do të bjerë sot, jo do bjerë nesër. Kush ka për të goditur, ka kohë gjithmonë dhe nuk humbet asgjë. Kush vihet nën goditje, ka dëme të mëdha sepse duhet të lërë punët kryesore.

Artistët nuk janë rojtarë, oshënarë, kështjellarë të Kështjellës se Tartarëve të Dino Buxatit, që duhet të presin e të presin sulmin e armikut. Artistëve nuk u duhen imponuar beteja që u marrin kohën dhe energjitë, në lojën e huaj për ta, të tërheqjes së litarit me oligarkët e qeverisë në skajin tjetër. Ministria e Kulturës duhet të ngrihet vetë e para kundër Qeverisë dhe Kryeministrit, me çdo çmim, sa herë që artistëve u imponohen beteja të tillë për ekzistencë dhe nder.

Teatri dhe artistët kanë nevojë të punojmë të qetë për rritjen e cilësisë dhe numrit të shfaqjeve; kanë nevojë për buxhete dinjitoze me të mëdha se ato që jepen sot. Sfidat e globalizimit që kërcënojnë gjuhën dhe kulturën e vendeve të vogla sugjerojnë natyrshëm përqendrimin me një vizion krejt të ri të financimeve për kulturën te libri dhe teatri. Në themel të këtij vizioni është respekti. Aty ku nuk ka respekt, ka arbitraritet dhe arrogancë të skajshme. Përballja për Teatrin ka ngjashmëri në këtë pikë, me përballjen për taksën e Rrugës së Kombit.

Të mos harrojmë se në krye të herës, Qeveria dhe Ministria e Kulturës kishin në plan të dëbonin teatrin nga shtëpia e vet, si një hap i ndërmjetëm për ta bërë fakt të kryer pushtimin e truallit me kulla. Reagimi i komunitetit të artistëve e nxori në dritë të diellit ku flinte lepuri. Te kullat, gjithnjë te kullat. Le të shpresojmë se ngjashmëria me taksën e Rrugës së Kombit do të vazhdojë në tërheqjen përfundimtare të Qeverisë nga projekti i uzurpimit të terrenit ku ndodhet sot Teatri Kombëtar.

Dhe ja ku vijmë te vendimi i dytë urgjent, që mund ta marrë qeveria, por mund ta marrë me ligj të posaçëm edhe Kuvendi i Shqipërisë: kalimin apo lënien e gjithë sipërfaqes së tokës në pronësi apo në dispozicion të përhershëm të Teatrit Kombëtar. Këtu bie përfundimisht rrethimi i lakmisë dhe babëzisë. Teatrit dhe institucioneve u krijohet mundësia të kërkojnë lirisht dhe në qetësi zgjidhjet me të mira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura