Teatri Kombëtar, shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj

Sep 14, 2018 | 14:50
SHPËRNDAJE

BESART KADIA

Besart-Kadia

CILAT JANË VLERAT IDEOLOGJIKE TË KRYEMINISTRIT? Kryeministri Rama njihet si një person, i cili është shumë afër filantropistit/investitorit George Soros. Në gjithë trajnimin e tij politik në vitet 1990, Kryeministri Rama dhe  grupi i tij i sotshëm politik, bashkëmoshatar me të apo dhe më të rinj, u ekspozuan në librat e filozofit Karl Popper. Vepra e të cilit, “Open Society and its Enemies”, u përdor dhe si emërtim për fondacionin Soros më vonë. Librat e Popper qarkullonin në elitën e Tiranës dhe Rama dhe miqtë e tij drejtues citonin me krenari pjesë të librit si një nevojë për të krijuar një shoqëri që respekton barazinë para ligjit dhe mbron konkurrencën e barabartë si kusht të zhvillimit ekonomik të vendit. Por konkurrencë nuk promovoi Kryeministri Rama në ligjin e posacshëm për teatrin kombëtar.

PARADOKSI I TOLERANCËS I shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Popper filozofonte se një shoqëri, për të ruajtur tolerancën e saj, duhet të jetë jotolerante. Sipas tij, në rast se një shoqëri është vetëm tolerante, ky virtyt i saj do të përdoret dhe shkatërrohet nga aktorë, të cilët janë jotolerantë. Ka shumë aktorë politikë, të cilët nuk janë të gatshëm të debatojnë në nivel racional me grupe të ndryshme shoqërore dhe për këtë arsye përdorin forcën apo veprime të njëanshme për të arritur qëllimin e tyre.

Nga trajnimi i bërë në vitet 1990 për të promovuar shoqëri të hapura dhe konkurruese e liberale, Kryeministri Rama me Ligjin e Posaçëm për investimin në Teatrin Kombëtar, është shndërruar në simbol të keq të asaj çfarë Popper paralajmëronte. Ky ligj kërkon të zhvillojë një zonë urbanistike të Tiranës në një proces unik e jokonkurrues, i cili nuk është as tender për projektin më të mirë zhvillues, as privatizim mbi një pronë publike dhe as koncesion. Me anë të Ligjit të Posaçëm, Kryeministri Rama ka dashur pikërisht të shfrytëzojë atë pikë të dobët që kanë shoqëritë tolerante, duke u imponuar dhe injoruar të gjithë diskutimet racionale të grupeve të ndryshme shoqërore në Shqipëri mbi anshmërinë dhe mungesën e konkurrencës që sillte ky ligj. Pavarësisht debatit të nxehtë politik vendas, të artistëve, të bizneseve etj., qeveria Rama mori vendim për të ndryshuar kurs vetëm pas një letre të Komisionit Europian, i cili në vetvete nuk është tolerant ndaj praktikave të tilla të njëanshme. Dhe ja ku vërtetohet Paradoksi i Tolerancës së Popper, që vetëm një veprim jotolerant si ai i Komisionit Europian do të mund të sillte ndryshimet e nevojshme të qeverisë për të qenë tolerante ndaj parimit liberal të konkurrencës së lirë mes bizneseve të ndryshme për të zhvilluar këtë zonë urbane të Tiranës.

Po ashtu, një shoqëri, që të zhvillohet, ka nevojë për një debat racional. Praktika e anshme dhe pa konkurrencë është e dënueshme. Tërheqja pas e qeverisë është një hap i duhur, por krejtësisht i vakët ideologjikisht. Por po ashtu, debati i Teatrit ka bërë bashkë të gjithë vlerat e kundërta të shoqërisë si një simbol ndaj pakënaqësive të ndryshme ndaj qeverisë (dhe që nuk janë të pakta). Por a duhet të korrigjojmë një veprim të njëanshëm e antikushtetues si ky që bëri qeveria Rama me argumente po aq larg racionales e debatit konstruktiv siç janë paraqitur këto kohë në publik? A duhet një gënjeshtër e qeverisë të hidhet poshtë, po ashtu me një gënjeshtër tjetër? Teatri është shndërruar si simbol i vlerave shumë diverse të grupeve të interesit, që ideologjikisht duket që kanë qasje shumë të largëta nga njëra tjetra.

Dhe me anë të këtij shkrimi, shtohet edhe një zë tjetër që mundohet të thotë se investitori privat, që do të përfitonte nga ky ligj i posaçëm, ishte kundër parimeve të tregut, por investitori privat që do të dalë nga një konkurrencë e pastër mes bizneseve në zhvillimin e kësaj zone urbane do të duhet të respektohet e inkurajohet. Deri më sot, të dhënat thonë se në total do të zhvillohen 64.000 m2 hapësirë për banim dhe dyqan me një çmim shitjeje mesatare prej 2.500 euro m2; do të thotë që në total të ardhurat do të jenë 160.000 milionë euro. Nëse teatri kushton 30 milionë euro dhe ndërtimi 72 milionë euro dhe kompensimi i pronarëve 8 milionë euro, atëherë fitimi potencial i kësaj zone do të jetë afërsisht 50 milionë euro para taksave. Investitori privat, kushdo që të jetë, do të ketë synim për të hyrë në këtë garë vetëm nëse i garantohet një përfitim personal. Është parim universal dhe efikas në menaxhim resursesh. Por ky përfitim financiar i ndërtuesit a duhet bërë betejë e ndalimit të zhvillimit të kësaj zone urbane? Teatri është një godinë ku bëhet art. Sipas Frank Zappas, arti në vetvete është krijimi i diçkaje nga asgjëja dhe më pas të arrish ta shesësh atë. A nuk është biznesi art? 50 milionë euro për mua dhe ty i dashur lexues janë shumë. Por jo për një qytet që  gjeneron ekonomikisht 4 miliardë euro në vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura