Teatri Kombëtar nis sezonin me një dramë greke

Sep 20, 2017 | 13:34
SHPËRNDAJE

“Psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore”.

vdes

Kjo është drama “Vdes siç vdes një vend” e dramaturgut, poetit, eseistit dhe përkthyesit të njohur grek, Dimitris Dimitriadis, e cila ngjitet nesër në skenën e Teatrit Kombëtar, duke ngritur kështu, siparin e sezonit të ri artistik. Një dramë e fortë, e cila u shfaq për herë të parë në Teatrin “Odeon” të Parisit në vitin 2010, dhe i dha vlerësimin si “Autori Bashkëkohor i Vitit” në Paris, që flet për raportin e individit me vendin dhe me pushtetin. Një vepër që publiku shqiptar ka për ta ndjerë aq afër sa edhe vendi fqinj, prej nga vjen autori i saj. Vepra do të ngjitet në skenën e regjisores Rozi Kostani, që po ashtu do të interpretojë në rolin kryesor.

Ajo ka përzgjedhur një kast aktorësh të besuar, me të cilët ka bashkëpunuar edhe më herët, me të cilët ndihet mirë në skenë dhe njohin gjuhën e njëritjetrit. Ata janë Alfred dhe Violeta Trebicka, si dhe një grup aktorësh të rinj, të cilët do të jenë kori. Një element shumë i rëndësishëm i tragjedisë greke dhe që i bashkohet një vepre bashkëkohore si zëri i ndërgjegjes.

Vepra është përkthyer nga Eleana Zhako, sipas së cilës “Vdes siç vdes një vend”, është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian. “Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne, ku me një vërtetësi rrëqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike, përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, i fanatizmit ideologjik dhe fetar, i mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, i shterpësisë krijuese dhe shpirtërore.

Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve të majit ’68 në Francë, lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura. Sjellja e veprës në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar.

“Vdes siç vdes një vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97- ës nuk i përkasin një filmi bardhë e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për t’u ngjitur në skenën e “teatrit të maskave””, shprehet Zhako.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura