Teatri Kombëtar-ky tempull lirie

May 16, 2020 | 10:02
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA Behar-Gjoka

Jetë e mot, qysh prej lash tësie e gjer në modernitet, krahas kënaqësisë estetike, Teatri ka përçuar hapësirë të pafundme lirie. Shenjtërimi i lirisë, si dimension pakohësie, siç e pati nënvizuar në antikitet Aristoteli, vinte në formën e një katarsi, e një çlirimi dhe ndriçimi, që kurrsesi nuk shpjegohet gjer në fund. Teatri Kombëtar, nga vatër shpirtërore, e dritësimit të gërshetuar me kënaqësinë, shpeshherë me politizime, nëpër vite, ndërkaq është shndërruar në tempull lirie dhe demokracie.

Në fakt, teatri, drama, komedia, tragjedia, gjithherë ka mbartur një mision, që në pak orë e vë njeriun në provë ekzistenciale, duke ngjizur një sinkretikë unike, kur hyn në shfaqje dhe në momentin që del prej altarit të fjalës, je tjetër njeri. Pra, teatri, në përgjithësi, e sidomos Teatri Kombëtar, që gjendet në qendër të Tiranës, në këto vite, përpos se tempull i artit, i kujtesës, është shënjuar si shesh i demokracisë, në tempull i fjalës së lirë. Tetari Kombëtar, si tempull lirie, sepse me forcën e vet, gjer më tani jo vetëm i ka mundur hajdutët dhe sharlatanët, por edhe i ka lënë me gisht në gojë. Beteja e Teatrit Kombëtar, e shtrirë në kohë dhe epike për nga mbijetesa, sepse vetëm me fjalë dhe heshtje që flet, i ka mundur mëtonjësit e shembjes, pra, e fshirjes së kujtesës. Ky tempull lirie, kështjella e fundit, që nuk kanë pushtuar rilindësit, e mundi Ramën si ministër Kulture. E për ta mundur, u desh fjala e Agim Qirjaqit e të tjerëve, le të themi edhe “poturet” e Violeta Manushit.

Teatri Kombëtar, sheshi i qëndresës dhe demokracisë, e zbythi kryebashkiakun Rama për ta tjetërsuar kompleksin teatror. Në shtatë vite, Rama Kryeministër nuk ka lënë gur pa lëvizur, ligjor dhe tjetërsoj, që ta rrëzojë teatrin, si një bast që ia ka ngritur nervat. Dy tërmete ranë vitin e kaluar, në shtator dhe nëntor, shumë ndërtesa u rrënuan, madje edhe Muzeu Kombëtar u lëkund muresh, kurse Teatri qëndroi stoik, i paepur në qetësinë e vet, ndonëse lukunia e hienave, të mafies së ndërtimit, ia ka zënë pusinë prej kaq motesh. Në përpjekjen absurde, për ta rrëzuar Teatrin, u fut në lojë Parlamenti, me ligjin e papamë, komik dhe kozmik, në llogari të firmës “Fusha”. Prit se ende nuk kemi pa gjo. Të gjitha i kemi parë, madje kemi parë më shumë se çfarë kishim menduar.

Palavitë e kësaj kohe mjegullore i pa dhe përjetoi edhe Teatri, tempulli i fjalës, dritës, qëndresës dhe demokracisë. Këto ditë, si për t’i hedhur pak zjarr hirit, Kryeministri, me një VK, po thuhet antikushtetuese, ia dha Teatrin Kombëtar në pronësi bashkisë. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Veliaj, eksperti i kullave, mbjellësi i pemëve në televizion, me turravrap, vuri mandatin e tokës së xanun në portën e Teatrit, në emër të bashkisë. Ky trim me pupla mjaftisti e zgjuarsi nëntëdhjetëenëntëshi po thotë se pas liqenit, sheshit, ka uri të madhe të gllabërojë Teatrin.

Sa për të qartësuar mjegullën ku jemi, tunelin pa dritë në fund, po sjell në vëmendjen një mesazh të Sokratit: Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit. Harron, kinse trim pa fletë, se Teatri Kombëtar, ka mbi 20 vite që mbahet, madje ky teatër, ka mundur, Ramën, “Skënderbeun” e Spiropalit. Teatri është kockë e fortë, është kockë që të mbetet në fyt, sepse ka mundur pretendentët e pushtetit dhe të korrupsionit, sepse me qëndresën epokale ka demaskuar hajnitë e këtyre viteve. Teatri Kombëtar është tempull arti, drite dhe qëndrese, e vetiu kthyer në një shkolle, ku ende gjallon demokracia, ndonëse në grahmat e mbrame… Teatri është ndërgjegjja e kombit, është ndërgjegje e vrarë e kësaj batërdie… Teatri, me katarsin e Aristotelit, e mpin të ligun, të ndershmit i jep shpresë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura