Teatri Kombëtar hap garën për sezonin e ri, kalendari në qershor

May 4, 2015 | 20:36
SHPËRNDAJE

Ndërsa ka ende kohë deri në mbylljen e sezonit artistik 2014-2015 dhe veç premierës së fundjavës që lamë pas, pritet edhe një tjetër, Teatri Kombëtar nis përgatitjet për kalendarët 2015–2016 dhe 2016–2017.

Hervin Çuli

 Drejtori i TK, Hervin Çuli, premton që ai të jetë gati në fund të qershorit. Ashtu si edhe një vit më parë, Teatri Kombëtar shpall thirrjen për sezonin e ri teatral, duke ftuar të gjithë regjisorët shqiptarë të bëhen pjesë e garës për t’u ngjitur në skenën e institucionit më të rëndësishëm teatror në Shqipëri. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të depozitojnë pranë sekretarisë së Teatrit Kombëtar projekt-idetë e tyre deri në datën 29 maj 2015, kur do të fillojë edhe puna seleksionuese, për të qëmtuar veprat që do të jenë pjesë e kalendarit artistik. Për shkak të buxhetit të limituar TK-së, të gjithë regjisorët shqiptarë do të duhet t’i shoqërojnë projekt-idetë e tyre me një preventiv mbi koston e përafërt të veprës, duke u mbështetur kryesisht në disa prej elementeve kryesore të shfaqjes, si skenografia, kostumografia apo edhe elemente të tjera, që regjisorët i konsiderojnë si vlerë të rëndësishme për shfaqjen. Projekt-idetë duhet të jenë sa më të qarta e konkrete mbi shpërndarjen e aktorëve në shfaqjet respektive. Sipas drejtorit Hervin Çuli, në varësi të buxhetit, i cili për projektet artistike vazhdon të jetë 10 milionë lekë, bordi do të vendosë nëse do të përzgjidhen 5 apo 6 premiera. “Së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, po punojmë fort që të bindim Ministrinë e Financave për t’i kthyer teatrit paratë e biletave. Kjo do të krijonte më shumë hapësira për vepra impenjative, do të rriste cilësinë, çka do të thotë rikthim i publikut në sallën e teatrit”, thotë Çuli. Po ashtu, sipas tij, numri i projekteve të reja varet edhe nga kushtet teknike. “Gjatë këtij viti kemi punuar për krijimin e dekoreve të munguara dhe plotësimin e kushteve që një vepër të mund të shkojë deri në fund te publiku”, thotë ai, duke shtuar se një nga synimet e TK është krijimi i repertorëve të qëndrueshëm, çka prej vitesh i ka munguar teatrit.
SEZONI I SHKUAR
Vepra të huaja dhe shqiptare, autorë klasikë e bashkëkohorë, Teatri Kombëtar synon jo vetëm të kënaqë, por edhe të edukojë shijet e publikut, që ashtu si çdo gjë tjetër në Shqipëri ka kaluar përmes periudhës së tranzicionit. Do të synohen sërish vepra të mëdha që mund të synojnë që nga antikiteti deri në ditët tona dhe, po ashtu, pritet të ketë një garë të fortë mes regjisorëve që do të përzgjidhen. “Jemi në tratativa për sjelljen në Tiranë të një regjisori të huaj, i cili mund të jetë regjisori Slobodan Unkovski, i njohur për publikun për vënien në skenën e Tiranës së veprës së Çehovit ‘Daja Vanja’, ose të një regjisori rumun. Po ashtu, do të ngul këmbë që pjesë e kalendarit të jetë edhe vepra me regji të një regjisori të ri, i cili të debutojë në Teatrin Kombëtar”, thotë Çuli. Ai parashikon një debat të fort në bordin e miratimeve të projekteve, pasi pritet jo vetëm pjesëmarrje, por duke pasur parasysh edhe buxhetin e limituar, do të përzgjidhen ato vepra që u shkojnë për shtat kohëve që po kalon Teatri Kombëtar. Do të ketë debate mes bordit, por edhe me regjisorët që do të paraqesin projektet. Pjesë e garës mund të jetë edhe vetë drejtori Çuli, i cili synon të paraqesë gjithashtu para bordit artistik një projektide për sezonin e ardhshëm. Gjatë sezonit që po lëmë pas, u ngjitën në skenë vepra të mëdha, tepër impenjative, si “Liri në Bremen” nga Rainer Werner Fassbinder, me regji të Sesilia Plasarit”, “Vrasja e Maratit” nga Peter Weiss me regji të Arben Kumbaros, dy komedi të suksesshme, vënia private “Vanja, Sonja, Masha etj.”, me regji të Driada Dervishit dhe “Shtëpia pa dritare” e Saimir Kongos. Po ashtu, pjesë e kalendarit është edhe komedia “Tartufi” e Molierit, me regji të Erion Kames, e cila për shkak të sëmundjes së papritur të aktorit Robert Ndrenika u shty në kohë dhe do të shfaqet në fund të majit, por me të tjerë aktorë. 

DRAMA SHQIPE
Pjesë e kalendarit do të jetë pa dyshim edhe dramaturgjia shqipe, e cila do të dalë, ashtu si edhe një vit më parë, nga një seleksionim i gjatë që përshkon gjithë edicionin e dytë të “Netëve të leximit të dramës shqipe”. Tashmë gara për këtë seksion është hapur prej datës 20 prill dhe afati gjatë të cilit regjisorët duhet të paraqesin projektet e tyre, mbyllet pikërisht nesër, më 5 maj. Ashtu si edhe një vit më parë, një komision i përbërë nga personalitete të teatrit do të përzgjedhë pjesët më të mira, që do të kalojnë provën e skenës. Nën drejtimin e drejtores artistike të “Netëve të leximit”, Elma Dorezi, ato do të lexohen përpara publikut. Veç mendimit të komisionit, një pikë shumë e rëndësishme në përzgjedhjen e veprave që do të bëhen pjesë e kalendarit teatror, do të jetë edhe publiku. Impakti që veprat do të kenë te ky i fundit, do të jetë një përcaktues shumë i fortë. Sipas Hervin Çulit, “Netët e leximit të dramës shqipe” do të zhvillohen gjatë muajit qershor. Ende nuk dihet se sa pjesë të përshtatshme për skenën e TK-së do të dalin nga ky edicion, e megjithatë fituesit do të dalin detyrimisht në muajin qershor, për t’iu bashkangjitur kalendarit për sezonet ’15-’16 dhe ’16- ’17. Në edicionin e parë, këtë provë “zjarri” e kaloi komedia “Shtëpia pa dritare” e dramaturgut dhe regjisorit Saimir Kongo dhe “Gruaja në dritare” e autores kosovare Arta Arifi, ngjitur në skenë nga regjisorja Rovena Lule.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura