Teatri i ri Kombëtar, Rama prezanton godinën e re me katër kulla nga pas

SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Godina e Teatrit Kombëtar do të shembet!”. Kryeministri shqiptar ua tha dje artistëve shqip dhe qartë. Jo se kjo nuk ishte thënë edhe më herët, por bashkë me fjalët erdhi edhe projekti për ndërtesën e re të Teatrit Kombëtar.

edi rama per teatrin

Prezantimi i projektit u zhvillua dje në ambientet e Kryeministrisë, nën prezencën e një numri të madh artistësh, aktorësh, regjisorësh, skenografësh, muzikantësh, piktorësh, etj.. Mes tyre shquaje emra si Robert Ndrenika, Piro Milkani, Kujtim Çashku, Gëzim Kame, Genti Kame, Artan Imami, Indrit Cobani, Maks Velo, Arben Kumbaro, Edi Hila, Petrit Malaj, Tinka Kurti, Kastriot Çaushi, Altin Basha, Ilir Butka, Zana Çela, Kiço Londo, Olta Daku, Driada Dervishi, Berina Kokona, Helidon Fino, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Hervin Çuli, Adelina Muça, Armando Bora, Laert Vasili, Gazmend Paja, Multo Kutali, Sadik Spahija, Ahmet Pasha, Elia Zaharia, Vasian Lami, Driand Zeneli, Erion Kame, etj..

projekti

Por mungonin opozitarët më të mëdhenj të shembjes së TK dhe anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit. Në fjalën e tij, Rama shprehu keqardhjen që kjo nismë, së cilës ai ka vite që i qëndron, u zgjat kaq shumë.

Ai ironizoi me të gjithë ata që janë shprehur në mbrojtje të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, “që në ndryshim nga ata të parët, nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit, por kërkojnë çuditërisht, të qëndrojnë në hijen e godinës së vjetër të Teatrit, e cila do shembet”.

Siç pranoi edhe vetë Edi Rama, ndërtesa e re do të jetë fryt i partneritetit publik-privat. “Teatri është pjesë e një propozimi për një Partneritet Publik-Privat. Shteti, shoqëria, qyteti, Shqipëria do të përfitojnë ndërtimin e Teatrit, me një buxhet që ky shtet nuk do ta bënte dot bashkë as për 15 vjet për t’ia dedikuar Teatrit… Natyrisht, sipërmarrësi, kompania nuk do vijë të bëjë Teatrin, edhe të shkojë në falimentim. Në pjesën tjetër do bëjë zhvillimet e veta, që do jenë pjesë integrale e zhvillimit të qendrës së re të kryeqytetit”.

Rama theksoi se teatri i ri nuk do të jetë pjesë integrale e një kulle, edhe pse, sipas tij, nuk do të kishte asgjë të keqe nëse kjo do të ndodhte.

“Nuk është një Teatër me kullë, por nuk do ishte asnjë mëkat dhe po të ishte nën kullë. Teatrot e Broadway-t janë të gjithë nën kulla, por, kur shkojnë njerëzit në teatër, nuk shohin kullën, shohin teatër”. Projekti i godinës së Teatrit Kombëtar, i propozuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, me të vërtetë nuk ishte poshtë ndonjë kulle, por shumë pranë saj do të ngrihen njëra pas tjetrës, duke u rritur në lartësi, katër kulla. Rama tha se falë bashkëpunimit me privatin, Tirana dhe gjithë Shqipëria fiton një teatër, por me sa duket, bashkë me to, edhe katër kulla të tjera në qendër të kryeqytetit. Kryeministri Rama premtoi se teatri do të ngrihet brenda tri viteve të ardhshme dhe ndërkohë ndërtimi i tij dhe partneriteti publik-privat do të rregullohet me një ligj të posaçëm. “Pas shqyrtimit të propozimit nga pikëpamja formale, ne do të hartojmë projektligjin dhe ky projekt do bëhet me ligj të veçantë nga Parlamenti i Shqipërisë”, tha Rama.

PROJEKTI

Përpara se t’i jepte fjalën arkitektit danez, Kryeministri Edi Rama u shpreh se në “Teatrin e ri Kombëtar, nga 3000 metra katrorë rrënoja që sot keni në dispozicion, do të keni 9000 metra katrorë në dispozicion nesër, pra, 3-fishin; ku nga një sallë e vetme sot, do keni 4 salla nesër; ku nga hapësira të papërshkrueshme, sepse janë realisht poshtëruese për artistët, janë poshtëruese për dinjitetin e çdokujt që mund t’i thotë vetes artist, do ketë një shumëfishim të hapësirës për artistët dhe për të gjitha shërbimet në funksion të shfaqjeve”.

Më te ishte Bjarke Ingels, autor i një mori ndërtesash moderne në vende të ndryshme të botës, që prezantoi shkurtimisht projektin e ndërtesës së TK, i cili, më shumë se tek sallat e teatrit u ndal tek baret, restorantet, atraksionet që ofronte godina, pa harruar edhe fasadat e xhamta, nga ku kalimtarët mund të bëjnë sehir aktorët duke bërë prova. Një ndërtesë moderne, forma e jashtme e së cilës, sipas arkitektit, i ngjan një perdeje teatri të lidhur në mes.

Hyrja kryesore në teatër është e mundur përmes shëtitores “Murat Toptani”, ndërsa hapësira e sheshit publik në nivelin përdhes, siguron hyrje të mbuluar në teatër, së bashku me hapë- sirën publike për mbledhje, ose argëtim. Godina është organizuar me dy pjesë, ku njëra i është dedikuar tërësisht administratës dhe aktorëve dhe pjesa tjetër publikut. Të dyja pjesët duket se ndërveprojnë mes tyre nëpërmjet sallës së madhe të teatrit si dhe dy sallave Black Box që u janë kushtuar shfaqjeve.

Një hyrje e madhe ndahet midis tri sallave të performancës dhe nëse është e nevojshme, hapësirat mund të ndahen për shfaqje të shumta që ndodhin në të njëjtën kohë. Qarkullimi është gjithmonë i ndarë nga publiku. Punonjësit kanë akses, nëpërmjet ashensorëve të tyre primarë dhe të mallrave, si edhe korridoreve private.

Zyrat administrative ndodhen në katet e sipërme, në pjesën veriore me pamje nga qyteti. Aktorët qëndrojnë në një ndërtesë të ngjashme me atë të personelit administrativ. Sapo të hyjnë brenda, ata kanë dhoma zhveshjeje dhe zona të tjera mbështetëse pranë auditorit. Rrugët e dedikuara sigurojnë që ata kurrë nuk kalojnë në zonat ku kalon publiku, kur udhëtojnë ndërmjet reparteve të ndryshme dhe hapësirave të teatrit.

Publiku hyn në ndërtesë nga niveli i tokës, ose nga fasada në anën jugore, ose nën hark. Biletaritë janë të rrethuara nga dy shkallët e mëdha, që të pranishmit t’i tërheqin në pjesën e hollit. Në atë nivel, vizitorët mund të vazhdojnë deri në shkallët në ulëset e ballkonit dhe në çati, ose të marrin shkallët alternative deri në ambientet e shërbimit. Çatia gjithashtu ofron hapësira publike për shfaqje informale ose specifike dhe me pamje mbi Parkun e Besimit. Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët.

Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende me ballkon. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 m katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 me katrorë secila. Gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 m katrorë, që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 m katrorë, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj.. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Te lidhura

 

Artikulli paraprakPoloni, shkarkohen 17 zv.ministra, Kryeministri: Pagat e tyre...
Artikulli tjetër"Shtëpi pushke", Shqipëria thyen rekordin, i vetmi vend i Evropës ku...

1 KOMENT

  1. PROBLEMI NUK QENDRON TE 4 KULLAT PASI SKA ASNJE BUDALLA TE NDERTOJ VERESIE POR PROBLEMI QENDRON SE SA DO HARXHOJNE ATA QE DO BEJNE TEATRIN CFAR CILESI DO JETE ……MOS E BEJNE PER TE KALUAR RRADHEN .AAI DUHET TE JETE NJE TEATER QE TU QENDRIJE EPOKAVE….KETU ESHTE PROBLEMI….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

Comments are closed.