Teatri i Kukullave mbush 65 vjeç, aktorët që i kishit harruar

Dec 7, 2015 | 10:27
SHPËRNDAJE

Një pjesë e juaja mund të jetë rritur me ta, ndërsa sot, mund t’i keni harruar krejt. Duhet që të ngacmoheni prej ndonjë ngjarjeje a bisede që të sillni ndërmend të dielat paradite, kur të gjithë mblidheshin të shihnin teatrin e kukullave. Me siguri që nuk njihni shumë as aktorët. Edhe nëse i keni njohur dikur, nuk i kujtoni më.

Trupa e parë e Teatrit të Kukullave 1950
Trupa e parë e Teatrit të Kukullave 1950

Ekrani i sotshëm ka aq shumë filma të animuar për fëmijët, megjithëse nuk janë përherë zgjedhja më e mirë, saqë teatri është shndërruar në kujtim. Është rasti sot, në 65-vjetorin e krijimit të tij, të kujtohen disa nga emrat që e kanë bërë. Kush ishte Pinoku? Po Borëbardha? Emrat do t’i gjeni më poshtë, por kujtohuni të shkoni edhe në teatër ndonjëherë, sepse shfaqet vijojnë. Me mundësitë e sotshme që kanë fëmijët për të parë e zgjedhur, nuk presim të jenë tunduese sa dikur, megjithatë aktorët, të rinj e të vjetër, janë ende aty…

Pikërisht, duke punuar për këtë 65- vjetor, drejtoresha e teatrit, Monika Lubonja, i ka hyrë arkivës, prej nga ka nxjerrë kujtimet që po i ndajmë me të gjithë… “Në 65 vite, numërohen 60 regjisorë shqiptarë dhe të huaj, që kanë vënë premiera në Teatrin e Kukullave. Regjisorët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për konceptimin e shfaqjeve për fëmijë, gërshetimin e teknikave dhe lojës së aktorëve.

Trupa e Teatrit në vitet 1975
Trupa e Teatrit në vitet 1975

Regjisorët e parë të Teatrit janë: Xhemal Broja, Llazar Verria, Pandi Stillu, Selman Vaqari, Xhavit Sallaku, Pleurat Armiri etj. Më pas, është regjisorja Lavdie Toro, e cila luan një rol të rëndësishëm në teatër. Në vitin 1997, puna i kalon regjisores Klaudia Hila. Të shumtë janë regjisorët që i janë bashkuar Teatrit të Kukullave deri në këtë përvjetor si: Alfred Trebicka, Ilir Dragovoja, Leonard Daliu, Aurora Qazimi, Paolo Comentale, Kyriakos Argiropulos, Bunyu Lungov, Davor Dragojevic dhe Vladimir Berkun.

Eva Pëllumbi, aktorja e parë e personazhit të Pinokut, Florinda Mazreku, Mira Minga
Eva Pëllumbi, aktorja e parë e personazhit të Pinokut, Florinda Mazreku, Mira Minga

Në 65 vite, janë 60 aktorë që kanë mbuluar të gjithë repertorin e shfaqjeve, duke krijuar personazhe mjaft të dashura për publikun e vogël që e pëlqeu dhe u dashurua menjëherë me teatrin. Që në fillim, letra të shumta u dërgoheshin heronjve të kukullave. Me anën të këtyre letrave, fëmijët u dërgonin të fala dhe i pyesnin personazhet për “jetën e tyre”, si edhe për “të afërmit e tyre”.

Ndër aktoret në vite që janë dalluar për krijimtarinë e tyre artistike janë: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Pleurat Armiri, Xhavit Sallaku, Mirketa Çobani, Eva Pëllumbi, Lorenc Pepa, Mira Minga, Florinda Mazreku, Bakie Baboçi, Marilda Furxhi, Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari, Leonard Daliu, Silva Mamoli, Alma Pina, Donika Ramallari, Denard Xhillari, Jorida Meta, Alfred Zeneli, Kliti Rroshi, Ermonela Alikaj etj. Teatri i Kukullave, nga shfaqja në shfaqje, erdhi duke fituar një pjekuri të madhe artistike.

Sh. Bebeti, Xh. Xhepa, F. Mazreku, M. Minga
Sh. Bebeti, Xh. Xhepa, F. Mazreku, M. Minga

Konkluzionet që nxirreshin nga çdo shfaqje, jo vetëm e pasuruan kolektivin me njohuri të sakta, teorike e praktike të këtij lloj arti, por ndihmuan edhe disa aktorë që të fitonin aftësi të tilla, sa të ishin në gjendje të vinin në skenë shfaqje të ndryshme”, me këto fjalë, Lubonja shoqëron arkivën e fotografive që ka publikuar në pritje të aktivitetit të ditës së sotshme.

CILA ISHTE PREMIERA E PARË E TEATRIT TË KUKULLAVE

Ndoshta pakkush e di se premiera e parë e Teatrit të Kukullave ishte “Fatbardha”, e shkrimtarit rus Shnejdor. Ndërsa, regjisori i parë ishte Xhemal Broja, i cili mblodhi aktorët e parë si: Marta Burda, Eleni Plasari, Ana Kçira, Myftar Armiri, Avni Resuli e Tiftire Keta, Qenan Toro, Enver Dauti, Melpomeni Çobani etj.

Kukullat u përgatitën nga piktori Ndoc Kodheli, dekoret nga piktori Rrok Dabërdaku dhe kostumet nga Veta Stillu. Teatri i parë profesionist i Kukullave ishte i përbërë vetëm nga 12 punonjës, prej të cilëve një regjisor, një piktor për kukullat e skenat, pesë aktorë, një marangoz, një rrobaqepës, një elektricist, një mashinist dhe një llogaritar.

Të gjithë këta krijues dhe artistë do të kujtohen sot, në ceremoninë e 65-vjetorit të Teatrit të Kukullave. Në 65 vite janë dhënë 300 premiera në Teatrin e Kukullave. Nga shfaqja në shfaqje, trupa e Teatrit punoi vazhdimisht për futjen e formave dhe teknikave të reja për t’iu përshtatur cilësive të kohës. Vit pas viti filluan të përdoren kukulla me tela, marioneta, maska, teatri i hijeve, pantonima dhe shfaqjet me aktorë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura