Teatri i jetës dhe i vdekjes

May 16, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI 2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882

Teatri është arena ku jeta dhe vdekja artistikisht puthen, ecin për dore, ndahen, dashurohen, prodhojnë  drama, tragjedi, urrejtje, simpati, sfida, dështime, fitore, para një spektatori që në fund, i ndikuar nga efekti katarstik, çlirohet nga e keqja dhe është në dalje më i virtytshëm se në hyrje.

Ky procesion artistik vazhdon që nga lashtësia, duke i dhënë Teatrit një pamje pothuaj tempullore. Brenda tij ekzistojnë në eter shpirtra karakteresh të spikatura, vërtiten në memorie lojëra aktoriale emblematike dhe pjesë teatrore të paharruara, që kanë shënuar historinë dhe i kanë dhënë memorie kohës.

Vënia dorë mbi këta tempuj artistikë për t’u hequr atyre shpirtin, i ngjason një herezie, një vandalizmi barbarësh modernë.

Zbulimet e amfiteatrove në Greqi e kudo u konsideruan si më të rëndësishmet. Shumë vende i ruajnë teatrot e tyre qindravjeçarë dhe i mirëmbajnë si dëshmi e simbole të ndriçimit artistik të kombeve të tyre. Kultura e vetë Europës ka si stacione kryesore dhe ngritjen e Teatrove, përfshi për lumturinë tonë dhe Teatrin Kombëtar, i shpallur pjesë e ‘Europa Nostra’. Asgjësimi i tij do të ishte një pikë e zezë në hartën e kulturës europiane dhe një fikje e një rrugëtimi kulturor me vlera të pathëna. Por babëzia e kastës që drejton vendin nuk po ndalet në ëndrrën e pasurimit, duke shembur “me një të rënë të lapsit” Teatrin Kombëtar. Dashje pa dashje, tashmë në sheshin e sallat e tij po luhet drama më reale e Jetës dhe e Vdekjes. Krejt e ndryshme nga ajo çka ai ka parë me sy në këto dhjetëra vite.

Dhe shfaqja është e pazakontë.

Artistët që mbrojnë jetën e Teatrin kundrejt vdekjes që imponon Rama-Veliaj nuk janë më në rol, por në jetën reale.

Përplasja demokraci-regjim, opozitë-pushtet nuk është më një kolizion dramatik si pjesë e akteve skenike, por është një luftë e vërtetë për jetë a vdekje. Aty i përjeton të gjitha: pështirosjen për pushtetin, neverinë për puthadorët e regjimit, respektin për kurajën e artistëve, admirim për qëndresën e njerëzve e respektin për alternativën opozitare.

Sheh se si antivlerat rrëzohen para mureve të sallave imponuese dhe se si vesi i hajdutërisë, grabitjes, mashtrimit, kapitullon para sinqeritet të kauzës së vjetër sa vetë arti. Spektatori nuk rri më e vështron. Ai është pjesë e shfaqjes-betejë. Në pjesën dërrmuese opinioniste dhe fizike pjesëmarrëse, ai mbron jetën, teatrin, demokracinë, alternativën kundër vdekjes, dhunës, arbitraritetit, korrupsionit masiv qeverisës. Kampet janë formatuar dhe beteja do të arrijë kulmin në orët në vazhdim. Në një anë qëndron makutëria e barbaria moderne, e ngjeshur deri në dhëmbë me armatim, gaz lotsjellës, me makineri shtypëse shembëse e hedhëse, plumba plastikë e joplastikë, me qeveritarë qesharakë që aktrojnë të fortët e të fortë që pështyjnë mbi uniformën e shtetit. Kjo është ushtria e vdekjes. Në anën tjetër, përballë është e vërteta e thjeshtë, me artistë të mëdhenj që sillen si qytetarë të përgjegjshëm, me opozitë qytetare që di të mbajë anën e vlerave, të armatosur me të drejtën, virtytin, atdhedashurinë dhe pasionin për të bukurën dhe lirinë.

Kjo është vetë jeta.
Përballja nuk është e lehtë.

Pushteti i kalbur me ushtrinë e vdekjes kërkon me domosdo të zgjasë agoninë e tij. Kërkon të afirmojë regjimin e ri, duke imponuar arkitekturën e re dhe duke u pasuruar përbindshëm mbi vlerat kulturore e historike. Bashkë me historinë e trashëgiminë, ai do të varrosë dhe atë dritë demokracie, e cila ende është gjallë. Sot ai po imponon një betejë të pabarabartë nën terror, si e si të uzurpojë, gllabërojë e të sundojë.

I gjendur nën disfatë, Rama po kërkon një betejë për të rikuperuar humbjen e sigurt dhe nga ku më pas të nisë revanshin e rrëmbimit të një tjetër mandati politik.

Por instinkti i ruajtjes së llojit të pushtetit ka brenda dhe tërheqjen e pashmangshme drejt thanatos-it, një lloj vrapimi ky pas fundit. Jeta me njerëzit e saj po përballet dhe do luftojë me vdekjen më nga afër se kurrë, pa klishetë e skenës dhe pa parzmoret false.

Aleancës së Teatrit me opozitën qytetare i duhet të realizojë në ndeshje me perandorinë e krimit e së keqes Vaterlonë e saj e të ngulë mbi vdekjen-regjim e flamurin e triumfit.

Teatri është fushëbeteja ku jeta dhe vdekja vendosin fatin e tyre.

Prandaj, kjo është lufta për jetë a vdekje. Luftë për demokraci, kundër regjimit shtypës, policor dhe absurd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura