Tea akoma e dashuruar, Veseli: Ja e vërteta e lidhjes me balerinën

Nov 23, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

tea

Një muaj pas ndarjes nga Vesel Kurtishaj, Tea Zhuli hapi zemrën pak ditë më parë duke rrëfyer publikisht se si ndihet aktualisht. Pasi theksoi faktin se është “single”, me pak fjalë ajo pohoi se ende nuk e ka harruar Veselin. Duke e konsideruar si një raport të bukur që ka mbaruar, ka theksuar se ndjenjat nuk mbarojnë kaq shpejt. Nga ana tjetër, direkt pas kësaj deklarate, disa portale aluduan për një histori të re të Veselit, me një nga balerinat e “Dance with me”. Se si e priti rrëfimin e Teas tani që janë ndarë, dhe nëse ka nisur një lidhje të re në mjediset e “Tv Klan”, Veseli flet për “Panoramën”…

Një muaj pas ndarjes, Tea foli për ndjenja të pashuara në lidhje me ty. T’u duk normale?

Më duket gjëja më normale që ka ajo thënë. Ndjenjat nëse i ke për dikë, nuk mund t’i fikësh si me buton. Se mbyllet një lidhje, nuk do të thotë se mbaruan ndjenjat. Por flasim gjithmonë nëse ka vërtet ndjenja mes dy personave.

Pra ndarja juaj s’ishte punë ndjenjash?

Arsyet e mbylljes së një lidhjeje mund të jenë të ndryshme. Arsye prej të cilave nuk mund të vazhdojë një lidhje, arsye që jo detyrimisht kanë lidhje me ndjenjat. Ato, nëse kanë qenë dhe janë aty, duhet të kalojë kohë e nuk mund të veniten menjëherë.

Ndërsa Tea ka deklaruar se është ende “single”, për ty është folur se ke nisur një histori të re me një nga balerinat e “Dance with me”. Është e vërtetë?

Meqë jemi këtu, po shfrytëzoj rastin të them se që nga ndarja me Tean, më ka zbavitur shumë imagjinata e disa njerëzve, të cilët duhet me patjetër të gjenin një arsye të tyren për ndarjen. Por e nënvizoj “të tyren”, jo atë realen, një arsye të pavërtetë, duke shpikur histori të pavërteta imagjinare me balerina. Por sigurisht e gjitha mbetet fantazi e mendjes së tyre, prandaj dhe e quajta “imagjinatë”, sepse në realitet nuk ka asgjë të vërtetë.

Mënyra si keni kërcyer në skenë me balerinën është bërë shkas për këto hamendësime. Si do e komentoje?

Të kesh alkimi në skenë, nuk do të thotë se ke një lidhje në realitet. Një gjë do t’u sugjeroja këtyre mendjeve të ndritura: shfrytëzojeni imagjinatën tuaj për gjëra më me vlerë, për jetën tuaj, përpara se të merreni me jetët e të tjerëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura