Të zbulosh “Mallkimin e fukarenjve” në Teatrin Kombëtar

Apr 15, 2016 | 16:15
SHPËRNDAJE

“Asnjeri nuk është ashtu si duket”, thotë Sam Shepard te “Mallkimi i fukarenjve”, duke na ftuar të shohim përtej fasadës.

Të shtunën mbrëma, në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet komedia e zezë “Mallkimi i fukarenjve”, e konsideruar si pjesa e parë e serisë mbi tragjeditë familjare. Një vepër me regji të Kastriot Çipit, skenografi të Fatbardh Markut dhe interpretimin e aktorëve Genti Deçka, Yllka Mujo, Gëzim Rudi, Esela Pysqyli, Gert Ferra, Besmir Bitraku.

yllka mujo, mallkimi

Ashtu si edhe në shfaqjen “Tri motrat”, për dy nga personazhet do të përdoren dublantë. Kështu, roli i Tejlor do të interpretohet nga Vasjan Lami dhe Laert Vasili, ndërsa Ellis nga Ervin Bejleri e Artan Imami. “Mallkimi i fukarenjve” nuk do të na tregojë një ngjarje, më shumë se të na fusë në një gjendje. Është përditshmëria e një familjeje, në dukje e zakonshme, por së cilës i duhet të përballet me një varg problematikash.

“Nuk mund t’u besosh njerëzve që ke përballë. Duhet të shohësh përtej, shiko çfarë ka përballë tyre, për të kuptuar çfarë fshehin ata. Të gjithë fshehin diç- ka, të gjithë!”, thotë autori i veprës, Sam Shepard, i njohur më së shumti si aktor nga publiku shqiptar.

mallkimi i fukarenjve

Të gjithë anëtarët e familjes Tate, dy prindërit, vajza dhe djali, kanë problemet e tyre, që e vështirësojnë ekzistencën e të qenët të një familjeje si një e tërë. Babai është i alkoolizuar dhe i mbytur në borxhe, e ëma e sosur nervash e ka të vështirë të komunikojë me të, vajza adoleshente kërkon me çdo kusht që të ikë nga shtëpia dhe i vetmi që kërkon ta mbajë në këmbë shtëpinë dhe kur themi shtëpinë, jo thjesht si një koncept fizik, por me të ai kupton familjen, është djali.

Por që edhe ai në fund do të ndihet i lodhur nga kjo luftë. Te kjo vepër, publiku do të mund të gjejë diçka nga vetja, nga lufta e përditshme dhe nga dhuna që ushtron te secili politika. Sipas regjisorit Kastriot Çipi, vepra “Mallkimi i fukarenjve” në pamje të parë duket sikur nuk ia përcakton dot stilin.

“Të jep përshtypjen sikur dhe vetë shkrimtari nuk është në gjendje të vendosë, nëse ajo është një vepër realiste, që mbart një protestë të fortë sociale apo një dramë simbolike! Nëse shkojmë më thellë brenda veprës, do të vëmë re një dramë të ndërlikuar, e cila kërkon të prekë tema thelbësore të vuajtjes njerëzore. Fatet e veçanta dhe bashkëkohore të çështjeve sociale dhe politike”, thotë ai.

esela pysqyli

Sipas regjisorit, familja, e cila e vuan këtë dramë, është e rrethuar nga një mallkim, të cilit nuk i shmanget dot, por Shepard nuk dëshiron ta specifikojë se cili është mallkimi.

“Një dramë simbolike, por pa alegori. Simbolikat e përdorura i hasim në forma rezonance, të cilat i japin fuqi magjike veprës edhe pse përkojnë shumë pak me tematikën e saj. Vepra shfaqet në disa linja, ajo është e copëzuar dhe në disa raste jokoherente. Vende-vende përngjan me disa filma të kategorisë B, e njëherazi me tragjeditë greke. Pikërisht brenda këtij lëmshi gjendet fuqia dhe madhështia e saj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura