Të vizitosh Gjirokastrën sipas rrëfimeve të Ismail Kadaresë

Jun 15, 2015 | 12:59
SHPËRNDAJE

ANTONIO COSTA

Ecëm nëpër rrugën “Fato Berberi” dhe pyetëm një të moshuar nëse e njihte Ismail Kadarenë. Dhe, për habinë tonë, na tha “po”. Na tha se e njihte që kur ishin fëmijë dhe luanin në mes të shtëpive. Ai na drejtoi atje ku kishte lindur Kadare. Ajo ishte vetëm skeleti i një shtëpie, sepse ishte djegur në vitin 1999, por tashmë është planifikuar të ngrihet një muze për Kadarenë, dhe na tërhoqi drejt shtëpive të tjera me galeri të nëndheshme dalëse dhe me çati të shkallëzuara.

Kadare rrëfen se shpesh fëmijët kërcenin nga shtëpia në shtëpi, apo kalonin nga porta e njërës te çatia e tjetrës. Ne shohim me vë- mendje nëse mund të dallojmë ndonjë përshkrim të atyre që shfaqen në “Kronikë në gur”, ku Kadare evokon Gjirokastrën (që do të thotë kështjella e argjendtë), qytetin ku ai lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij.

Kemi lexuar me kujdes atë roman me gjithë lirizmin e vet, me personazhet e tij piktoreskë, me atë dashuri të çmendur mes adoleshentëve që duhen në një cisternë, me ato qenie që kishin manitë e tyre, me të afërmit, me frikat dhe ceremonitë e tyre. Teksa shtriheshim, përpara se të flinim, gjithnjë flisnim pak për zonjën Pino (Kako Pino), që u bë mikesha jonë gjirokastrite përpara se të niseshim, gruaja, shpirtin e së cilës do të kërkonim nëpër ato rrugë dhe që do të na shoqëronte përgjatë gjithë vizitës sonë. Ajo ishte një rrobaqepëse që rregullonte fustane nusesh, që për çdo të re që ndodhte në qytet gjithmonë thoshte: “Kjo është një katastrofë”.

Nazistët e varën si terroriste, sepse mbante një gjilpërë në dorë për të rregulluar një fustan, kur ra ora e shtetrrethimit. Ne u vendosëm në Hotel Kalemi, në pjesën e lartë të qytetit, që ishte një ndërtesë tradicionale. Në dhomë kishte ca kamare të mbyllura nga mbështetëse druri, një krevat me velenxa me fije të gjata dhe gdhendje druri nëpër mure. Hëngrëm mëngjes në një mënyrë të shkëlqyer në një kuzhinë me një oxhak shumë të madh, mbi të cilën ishin vendosur pjata të mëdha prej qeramike, me bukë që të mbushte gojën dhe me gjalpë që dukej sikur vinte direkt nga dhentë.

Një nga ato ditë pata një ide, teksa qëndroja në kopsht: në vend që të ktheheshim nga Greqia për në Butrint dhe në bregdetin jonian, të devijonim në Ohër dhe në Maqedoni. Dhe ndërsa ne po festonim duke pirë nga një birrë mbi një tavolinë të ulët të krijuar nga trashësia e një druri, dy breshka bënin dashuri, duke u shpështjellë mbi tokë. ** Rruga Laboviti ngjitej pothuajse vertikalisht në shpatin më të lartë dhe më tradicional. Një herë e zbritëm në këmbë, por pastaj për ta ngjitur e bëmë me makinë. Kur arritëm atje, gjetëm lokalet më të shijshme dhe dyqanet më të çuditshme, ku shitej gjithçka nëpër tavolina druri me raki, në rrugë, dhe madje disa të lyera në mënyrë të atillë që të kujtonin Enver Hoxhën.

Dhe shumëkush do të zbulonte gjithçka që kishin duruar ato fytyra të rreshkura dhe të mbijetuara gjatë diktaturës, deri në atë pikë sa t’i vihej mikrofon edhe të vdekurit (si në një nga romanet e Kadaresë). E megjithatë, disa të rinj e kujtonin Enverin për shaka. E megjithatë, as Enveri nuk kishte mundur t’i jepte fund shijes dhe reminishencave të atij qyteti të gurtë plot kujtime. Shkuam për të parë shtëpinë e Zekatëve, në krye kishte dhoma me qilima të çuditshëm të kuq, një dhomë me një tavolinë të madhe të ulët në mes, për pije dhe muhabete, në një kënd tjetër, një platformë ku gratë tirrnin lesh dhe shprehnin dëshirat e tyre të patregueshme, dhoma të rrethuar dollapë me kyç, ku futeshin rrobat e vjetra apo ato të paraardhësve, dhoma për miqtë, ku ata qëndronin në mes të një drite përrallore, filxhanëve të çajit dhe ëmbëlsira vezake.

Një grua e moshuar na përshëndeti në oborr, sikur kishim vizituar dhomat e pasigurta dhe pasionante të kujtesës së saj, që na u duk si portreti i një jete të shkuar. Atje kishte shtëpi të humbura mes maleve, dhe lagjja “Partizani” në krye, kalaja me Kullën e Sahatit dhe tarraca, një aeroplan spiun amerikan që shqiptarët e kapën në vitin 1957 dhe një pamje e mrekullueshme mbi lumin Drinos.

Dhe një mbishkrim mbi një mur na kujtoi Ismail Kadarenë, të përjetshmin çmim “Nobel”, që kishte bërë aq shumë për të futur Shqipërinë në kokat e njerëzve. Atje morëm diçka në bar “Fantazia”, prej nga ku dukej gjithçka dhe zbritëm poshtë për nga monumenti i Skënderbeut, në zonën e fshehtë rreth Shtatë Burimeve me kube, ku një grua e çuditshme na dha disa mallkime në gjuhën shqipe, prej së cilës ne ikëm me nxitim. Ishim në një makinë me turistë, rrugës për në Përmet, në qytetin e luleve e plot mullinj, admiruam pllakën që përkujton vizitën e Lord Bajronit në Tepelenë dhe zbritëm poshtë për të pirë ujë në burimet që zbrisnin nga malet. Por kurrë nuk do të harrojmë atë qytet ku Kako Pino gjithmonë frikësohej nga çdo gjë dhe thashethemosej me mikeshat saj dhe jetoi në gjendje shoku pushtimin e Shqipërisë nga gjermanët dhe pastaj nga grekët e pastaj përsëri nga gjermanët.

Dhe ku Ismail Kadare mësoi të vlerë- sojë sekretet e tyre dhe të ruajë fëmijërinë e tij që asnjë tirani nuk mund t’i fshijë dhe pastaj të krijojë ëndrrat që marrin jetë në romanet e tij, të shndërrojë legjendat e vjetra, të dojë vendin e vet me lotët, tragjeditë dhe bukurinë e patretshme. Dhe tani ne gjithmonë do të kujtojmë Kako Pinon dhe ato breshkat që bënin dashuri, ndërsa ne ishim duke planifikuar udhëtimin tonë nëpër Ballkan.

(*Etratando Magazine”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura