“Të veprojmë si një familje”- Basha thirrje Ramës: Duhet vepruar urgjentisht dhe jo në letër. Qeveria në garë për të shpikur një…

Apr 3, 2020 | 20:45
SHPËRNDAJE

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama që të marrë masa të menjëhershme për të përballuar këtë situatë të vështirë.

bashaaa

Ai theksoi se duhen plane të mirëmenduara dhe ekzekutim të menjëhershëm të tyre.

Gjatë një interviste për ABC News, kreu i opozitës u shpreh se kryeministri po tenton të shpikë një armik të dukshëm siç është opozita për të mbuluar dështimet ndaj armikut të padukshëm siç është koronavirusi.

Basha: Duhet të bëjmë më shumë dhe jo më pak, më shpejt dhe jo më vonë. Nuk mund të vonohen masat mbështetësve, nuk mund të presin më nga halli. Ka një numër shumë të madh familjesh që realisht nuk marrin dot më ushqime as me listë. Duhet vepruar urgjentisht dhe jo në letër. E dyta, duhet të jemi gjithmonë një hap përpara.

Flasim për plan A, B.C. Njerëzit duhet ta dinë cili është parashikimi i autoriteteve dhe çfarë kapacitetesh kemi në dispozicion dhe a po bëhemi gati me këto skenarë?! Për ndryshe ndodhemi në realitetin që pamë këto 36 orë që çfarë u tha dje në mëngjes u ndryshua prapë në drekë dhe prapë në darkë. Nuk ecet kështu. Duhen plane të mirëmenduara dhe ekzekutim të menjëhershëm.

Ky armik i padukshëm del dhe na mjafton. Nuk ka nevojë të shpikim armiq të tjerë. Ndaj thirrja ime ndaj kryeministrit është; ndal me retorikën boshe, me batuta bajate, me sulme ndaj opozitës.

Opozita po bën detyrën e saj. Edhe i pranon me vonesë edhe e sulmon. Tani jemi të gjithë bashkë për një qëllim. Ne po bëjmë detyrën tonë dhe nuk po e bëjmë për ta vënë kryeministrin në pozitë të keqe, përkundrazi për ta ndihmuar dhe kjo tregon që shumë prej propozimeve tona të paktën në letër janë pranuar. Le të veprojmë si një familje për një hall të përbashkët.

Pa diskutim që ne do të bëjmë pjesën tonë edhe duke propozuar, edhe duke vëzhguar, edhe duke kërkuar transparencë se në fund paratë janë të shqiptarëve.

Edhe qeveria duhet të mos harxhojë asnjë sekondë me gjuhë vulgare duke sulmuar opozitën. Duket sikur është në garë për të shpikur një armik të dukshëm sikur nuk i mjafton armiku i padukshëm. Ky është një mentalitet i rrezikshëm. Boll me përpjekje apo konspiracione për të fshehur vonesat apo dështimet, duke shpikur armiq.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura