“Të vazhdojë dialogu me Serbinë”, zbardhet takimi i Ruçit me kryeministrin e Kosovës: Po përgatitemi seriozisht për Samitin e Parisit

Jul 3, 2020 | 15:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti. Ruçi, vlerësoi programin e ri të Qeverisë së Kosovës dhe nënvizoi nevojën e marrjes së përgjegjësive për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr kështu çdo pengesë për rinisur dialogun Kosovë – Serbi.

ruci hoti

“Shqipëria mbështet fuqishëm Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Është shumë i rëndësishëm arritja e një konsensusi të brendshëm përsa i takon qëndrimit ndaj Dialogut. Mendojmë se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, në funksion të forcimit të pozitave negociuese të Kosovës me Bashkimin Europian. Duhet të kemi e të tregojmë besim ndaj partnerëve strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.”, theksoi kryeparlamentari.

Kryeministri Avdullah Hoti, duke falenderuar Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, vuri në dukje se “Qeveria e Kosovës do të thellojë e zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke synuar konkretizimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy qeverive. Koha kërkon prej nesh qëndrime të matura e me qetësi, prandaj ne do të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe po përgatitemi seriozisht për Samitin e Parisit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura