“Të varfrit në Hindi më dhanë kurajo dhe forcë”- Mjeku i Enver Hoxhës tregon si e bindën diktatorin të ulte peshën prej diabetit! Çfarë i shkruante ai Pranverës dhe si i priti Nexhmija

Jan 15, 2021 | 19:50
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-Pranevera-dietaKardilogu i njohur, Ahmet Kamberi, për ndjekjen e diabetit të Enver Hoxhës rrëfen në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” rreth debateve brenda ekipit të mjekëve për mënyrën se si duhej të mjekohej Pacienti, siç e quan ai Enver Hoxhën.

Profesor Kamberi këmbëngulte, bazuar në specializimet që kishte marrë në Stokholm dhe Paris, por dhe literaturën shkencore, se si duhet kuruar diabeti, duke nisur nga pesha ideale trupore, gjë që kundërshtohej nga profesor Fejzi Hoxha, i cili këmbëngulte te kurimi përmes ilaçeve.

Ky debat mbërriti deri te Hysni Kapo, i cili i besonte më shumë profesor Hoxhës për shkak të moshës dhe përvojës, por jo dijeve të tij bashkëkohore. Falë dietës strikte ushqimore, Enver Hoxha arriti në 70 kg, duke eliminuar edhe më shumë përdorimin e insulinës.

AHMET KAMBERI

PAS NDËRHYRJES PËR TRAJTIMIN E DIABETIT

Qenia në shërbimin mjekësor të Enver Hoxhës ishte një privilegj i lakmueshëm në kuptimin e përzgjedhjes. Ajo ishte profesionale dhe politike. Por ai shërbim bartte edhe përgjegjësi, të cilave duhej t’u dilje për zot.

Pasi u kthyem në Tiranë, Dinja u paraqit në punën e tij si mjeku personal i Hysni Kapos, unë në shërbimin tim. Javën e parë të korrikut, para se të nisej për Pogradec, Pacienti qëndroi disa ditë në Durrës. Kolegët e njësisë kërkuan të bënim një mbledhje të Ekipit, ku të më dëgjonin mua t’u flisja lidhur me të rejat për mjekimin e diabetit.

Ishin të gjithë kolegët, përveç kryetarit (ministrit) dhe Isufit, i cili nuk qe rikthyer ende në Ekip. Kolegët më pyesnin dhe unë përgjigjesha. Kishte një ndryshim të madh midis mbledhjes që ne kishim bërë majin e vitit të kaluar dhe kësaj të tanishmes. Në majin e vitit të kaluar unë propozova uljen e peshës së Pacientit deri në pikën që të mos kishte nevojë për mjekim me barna, por me cilësinë e kardiologut që kishte marrë njohuri shtesë për diabetin gjatë specializimit për kujdesin koronar intensiv në Stokholm.

Në mbledhjen aktuale unë shpjegova për qëndrimin tim në spitalin “Hotel Dieu” të Parisit, si qe organizuar specializimi, për punën tonë intensive dhe integrimin e plotë në aktivitete të shërbimit të diabetologjisë, si edhe për mënyrën se si trajtoheshin format e ndryshme të diabetit në pavijon dhe në ambulator. Në përfundim theksova se mjekimi modern i diabetit të tipit 2 konsistonte në radhë të parë në regjimin, me pikësynimin e arritjes së peshës trupore ideale, kurdoherë që ishte e mundur. Kur regjimi tregonte se po funksiononte, atëherë këmbëngulej në arritjen e peshës ideale.

Nëse me arritjen e këtij pikësynimi diabeti nuk zotërohej dot, mjekimi me barna ishte i domosdoshëm. Përzgjedhja e parë ishin biguanidet (metformina). Po të mos mjaftonte metformina, kombinimi i saj me antidiabetikët e tjerë nga goja si sulfaniluretë (hemidaonili, njëri prej tyre), bëhej i nevojshëm. Insulina mbetej opsioni i fundit, por kur ishte e nevojshme të mjekoheshin ndërlikimet mikrovaskulare, ajo ishte e domosdoshme për zotërimin e shpejtë të diabetit, ashtu si edhe në gjendje stresesh akute si infeksionet, operacionet etj.

Me fjalë të tjera, ishte pak a shumë i njëjti qëndrim që unë kisha pasur një vit më parë, por me ndryshimin se tani isha jo thjesht një kardiolog, por një kardiolog i specializuar edhe për diabetin dhe në të njëjtën klinikë ku ishin specializuar kolegët diabetologë të Ekipit. Pyetja e rëndësishme që m’u bë ishte: Cila është pesha ideale e pacientit tonë?

Dhe unë, pa hezituar, u përgjigja rreth 70 kg, duke shtuar se në qoftë se normalizimi i glicemisë arrihej më përpara, nuk ishte më e nevojshme të zbrisnim më poshtë. Në të vërtetë, nga maji i 1976- ës, kur Pacienti peshonte 86 kg dhe i kishim kërkuar të ulte peshën, ai kishte rënë me luhatje deri në 76 kg, ndërkohë që kishim ndaluar marrjen e insulinës, ishte filluar hemidaonili së bashku me metforminën (Glucophagein) dhe së fundi ishte thjesht nën hemidaonil.

Njëri nga kolegët, krejt pa qëllim të keq, bëri pyetjen: A është e justifikueshme atëherë gjithë ajo sasi insuline që ka marrë Pacienti, kur kanë ekzistuar alternativa më të përshtatshme? Kjo pyetje mund të keqkuptohej. Prandaj unë nxitova të shtoj se nuk bëhej fjalë për mjekimin e shkuar dhe se ne po diskutonim për strategjinë e mjekimit, të cilin në të vërtetë e kishim filluar një vit më parë dhe në të cilin duhej të këmbëngulnim. Kolegët më mbështetën plotësisht për këtë.

U duk sikur u mbyll ajo çështje. Por u ngrit problemi se ekzistojnë përvoja klinike të ndryshme dhe kjo nuk mund të mos merrej parasysh. Unë isha i njëmendtë me këtë, por mendoja se nuk mund të mbështeteshim në asnjë përvojë, të cilitdo prej nesh, pa e ballafaquar atë me standardin bashkëkohor të mjekësisë klinike. Kjo ngriti një pyetje të vjetër: Kujt do t’i referoheshim?

Për diabetin u thashë se kisha sjellë me vete dy vëllime, botim i fundit i Shoqatës Amerikane të Diabetit. Për mjekësinë e brendshme kishim librin “Cecil-Loeb”, Textbook of Medicine, 3rd Ed. 2 volums, Eds P.B. Beeson, W. McDermott, 1971, W.B. Saunders Company (Teksti i Mjekësisë i Sesil-Lëbit, 2 vëllime, botues P. B. Bison, W. MakDermot, Bot. III, 1971, kompania botuese W.B Saunders), të cilin unë e kisha blerë në Peshkopi pak muaj para transferimit tim në Klinikën Speciale, si edhe librin “Harrison’s Principles of Internal Medicine”, G.W Thorn, R. D. Adams, E. Brawnwald, K. J. Isselbbacher, R. S. Petersdorf, 8th Ed. 1977, McGraw – Hill BookCompany (Parimet e mjekësisë së brendshme të Harrisonit, botues G. W. Thorn, R. D. Adams, E. Brawnwald, K. J. Isselbbacher, R.S. Petersdorf, botim VIII, 1977, kompania botuese MakGrou-Hill), që sapo e kisha sjellë nga Parisi. Për kardiologjinë kishim librin “The Heart”, J. W. Hurst, 3rd Edition, 1974, McDermott (Zemra, J. W. Hërsti, botim III, 1974, MakDermot), të cilin unë e kisha sjellë nga Stokholmi, përveç librave që mund të merrnim nga biblioteka e Klinikës Speciale. Por këta ishin libra amerikanë dhe nuk mund të lexoheshin nga të gjithë.

Unë u thashë se këta ishin librat që propozoja unë, por secili nga kolegët mund të propozonte libra të tjerë autoritarë, jo vetëm në anglisht, por edhe në frëngjisht a italisht, me të cilët mund të ballafaqonte eksperiencën e tij klinike. U duk sikur të gjithë ishim në një mendje.

Ekipi vendosi që këto ide për mjekimin e Pacientit t’i paraqiteshin Nexhmijes dhe këtë ta bënte prof. Fejzi Hoxha. Ai kundërshtoi që ta bënte vetëm. Donte të isha edhe unë me të. I kërkuam takim Nexhmijes dhe u takuam me të në një nga strehëzat në parkun para shtëpisë. Profesori i shpjegoi asaj me pak fjalë për mbledhjen e Ekipit dhe pastaj i tha “për idetë e reja që solli, të flasë vetë Ahmeti”. Kur ajo dëgjoi për pikësynimin që të arrihej pesha ideale rreth 70 kilogramë, lëvizi nga vendi e shqetësuar. “Ç’është kjo? Nuk ju duket si e tepërt?!”, tha ajo.

-Ahmeti këmbënguli për këtë, ia ktheu profesori, me nënqeshjen e tij të hollë ironike karakteristike, nën hundë. Ky është një propozim që ai e ka bërë qysh vjet para se të shkonte për specializim për diabetin në Paris. Dhe ju e dini që, pasi Ekipi i kërkoi shokut Enver që të binte në peshë, ai ka ulur gati 10 kg që atëherë. Unë ndërhyra dhe i thashë: “Nuk është e thënë që ne do ta zbresim atë medoemos në 70 kilogramë, por do të vazhdojmë uljen e peshës derisa të mos ketë nevojë për mjekim me barna. Ulja e deritanishme e peshës ka sjellë një përmirësim të dukshëm të diabetit. Unë thjesht po them se ajo është pesha e tij ideale dhe tani ai ka ardhur shumë afër kësaj peshe.

Diabeti i tij është diabet i tipit 2. Pankreasi i tij prodhon mjaftueshëm insulinë. Por sasia e kësaj insuline nuk përdoret si duhet nga indet e trupit, sidomos nga indi dhjamor. Kështu bëhen dy dëme. Së pari, glukoza nuk zbërthehet mjaftueshëm nga indet; dhe së dyti, në qarkullim mbetet një tepricë insuline dhe kjo u bën keq arterieve të zemrës, të trurit, të veshkave dhe të këmbëve. Tashti që po flasim shoku Enver ka dy probleme serioze. Njëri është problemi i syrit, ngaqë ka dëmtime në retinë. Tjetri është problemi i këmbëve, ndjeshmëria e të cilave është ulur. Por zhvillimi i këtyre ndërlikimeve është frenuar tashmë. Të dyja këto janë rrjedhojë e një hiperglicemie që ka qëndruar gjatë. Problemi tjetër është sëmundja e arterieve të zemrës. Kjo është ndihmuar, si nga teprica e papërdorur e insulinës në qarkullim, ashtu edhe nga hiperglicemia.

Infarkti i tij ka ardhur nga kombinimi i një vargu faktorësh, si tepria e insulinës në qarkullim, tepria e glukozës, pirja e tepruar e duhanit, tensioni pak i lartë i gjakut, mungesa e aktivitetit fizik, si edhe streset e forta të punës. Tani ne jemi para detyrimit që të përpiqemi ta bëjmë diabetin të paqenë, sepse është dokumentuar që ulja e peshës e ka përmirësuar dukshëm diabetin e tij. Prandaj, kjo është mënyra më e mirë për ta parandaluar përkeqësimin e ndërlikimeve dhe për të mbrojtur edhe veshkat. Kjo mund të arrihet duke e çuar atë në peshën ideale, ose sa më afër saj, sepse edhe barnat nuk janë pa veprime anësore. Kjo ishte dhe mënyra se si trajtohej diabeti në klinikën ku unë u specializova”. Pa u menduar gjatë, ajo tha:

-Po, a nuk mendoni se duke i kufizuar kaq shumë marrjen e kalorive, ai do të mundë ta përballojë gjithë atë ngarkesë pune që ka?.

-Ai do të marrë kaloritë e nevojshme për të përballuar aktivitetin e tij të zakonshëm, por do t’i pakësohen vetëm kaloritë që duhen për uljen e nevojshme të peshës, -ia ktheva unë.

-Mirë, atëherë, -tha ajo. Unë po ia them Enverit këto, por nuk di se si do ta presë. Është ai që do ta vendosë. Dhe bëri të ngrihet.

-Mund t’ia jepni edhe këtë libër të vogël, -i thashë unë, duke i zgjatur librin me kapakë blu, që e kisha marrë me vete. Ky është një libër që ka informacion të plotë për bashkëjetesën me diabetin dhe mjekimin e tij. Aty janë edhe tabelat e peshës ideale sipas llojit të trupit, bazuar në një studim të madh të kompanive amerikane të sigurimeve. Ai mund të ketë dëshirë ta lexojë vetë. Këtë në “Hotel Dieu” ua jepnin të gjithë diabetikëve për ta lexuar, – përfundova unë.

-Mirë, -tha ajo. Po ia jap edhe këtë

Nexhmija e përshkruan këtë në librin e saj, tashmë të cituar, me një gabim të vogël, sepse idetë e reja, vërtetë unë i solla nga Suedia, por specializimin për diabetin e bëra në Paris, Francë, siç e kam treguar më sipër. Ja si e përshkruan ajo propozimin për regjimin e ri dhe si u prit ai: “Enverit, sipas të rejave të fundit që solli nga Suedia Ahmet Kamberi, i cili ndonëse ishte kardiolog, qe dërguar atje për një kualifikim 9-mujor edhe në fushën e diabetologjisë, meqë ai ishte edhe pjesëtar i ekipit mjekësor për Enverin, duhej t’i jepeshin vetëm 1200 kalori në ditë, nga 150 gramë bukë 75 gramë dhe nga pesha 84 kg duhej të zbriste jo 10 kg, si për çdo njeri, por edhe më shumë, meqë ishte i sëmurë nga zemra.

Kjo nuk kaloi pa debate në vetë ekipin e mjekëve nga ndonjëri që u përmbahej normave të vjetra, si profesor Fejzi Hoxha, që kërkoi edhe të jepte dorëheqjen. Por shumica që ishin të rinj, studiozë dhe të azhurnuar me literaturën e re, e bindën kolegun e moshuar, por me një përvojë të gjatë, duke i thënë: “Ne këtu do të jemi, do ta ndjekim bashkë. Në fillim Enveri nuk ishte i bindur, ndaj u thoshte: ‘Si do të punoj unë me 1200 kalori?!’. Në fund u tha: ‘Po më mori uria, unë do ta thyej normën…’. Ta organizosh menynë e ditës me 1200 kalori, kjo kërkon njohuri për vlerat e artikujve ushqimorë dhe marifetet në të gatuar. Por këto anë ishin garantuar nga infermierja veterane Kostandina Zhamo dhe nga kuzhinieri i ri i talentuar i viteve më të vështira, Miço Madhi” (faqe 226). (nënvizimi është i imi) Dhe më tej:

“Shpejt Enveri u mësua me dietën e re, u ul në peshë dhe e ndjente veten mirë, më të lehtë. Në një letër që i drejtonte vajzës nga Pogradeci në Durrës, i shkruante edhe me shaka:

‘E sheh sa të mira vinë nga dieta, prandaj ndiq shembullin e babait. Në fillim nuk besoja se mund të duroja, por lexova si rrojnë të varfrit e Hindit dhe ata më dhanë kurajë e forcë…”.

Sot jemi më pak shtrëngues në qëndrimin ndaj peshës së trupit te diabetikët, por kemi edhe më shumë alternativa mjekimi me barnat. Përllogaritja e peshës optimale me anë të treguesit të masës trupore (TMT) lejon një peshë më të madhe në krahasim me atë të asaj kohe.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura