Të strukesh në retorika boshe

Jul 11, 2020 | 12:00
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI leonidha-mertiri-150x150

E dhjeta fushatë zgjedhjesh parlamentare në Maqedoninë e Veriut, qysh nga pavarësimi i saj. Në fillim të muajit janar të këtij viti, ish- Kryeministri Zoran Zaev, kreu i Lidhjes Social Demokrate(LSDM), dha dorëheqjen për shkak të vendimit të Bashkimit Europian për mosmiratimin e hapjes së bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësimin e saj në BE. Kështu, Maqedonia do të bëhej me qeveri të përkohshme dhe zgjedhjet e reja do të ishin të paevitueshme. Ajo do të ishte gjithashtu në krizë shëndetësore, sikurse po e përjeton me shqetësim dhe sot, por edhe në atë ekonomike.

Të parapara, që zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin më 12 prill, për shkak të pandemisë u lanë më 15 korrik, duke shmangur ndërkohë një krizë të mundshme politike. Tani, koalicioni i kryesuar nga Lidhja Social Demokrate e Zaevit, ku bën pjesë dhe Lëvizja Shqiptare “Besa”, është në ditët e fundit të shpalosjes së programeve të tij para zgjedhësve. Edhe pse në kushtet që thamë, nuk mungojnë retorikat nacionaliste. Retorika boshe të partive politike, që lundrojnë në lumenj premtimesh. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ngre në qiell politikat për të rinjtë. Me superlativa pohon se pas katër vjetësh, shkalla e papunësisë së tyre do të jetë nën 17 për qind. Nga ana tjetër, nuk e fsheh optimizmin për të pasur shumicën parlamentare dhe është i gatshëm të bisedojë me të gjithë ata që do të marrin votën e shtetasve të tij. Platforma e krahut tjetër maqedonas, VMRODPMNE, trumbetohet gjithashtu si shansi i fundit për ndryshime reale.

Partitë politike shqiptare, pothuajse të ndara, sikurse ka ndodhur me ta gjithherë. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vazhdojnë të sigurojnë elektoratin për ndryshime të dukshme në shoqërinë shqiptare në shtet. Për ta, projekte të guximshme në fusha të ndryshme do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve. Ato ofrojnë “barazi ekonomike”. Po si do të arrihen të tëra këto? Pyetje kjo që rri si karakoll pas premtimeve të bujshme të partive maqedonase në veçanti, por dhe atyre shqiptare, mbushur me…rritje të pagave, pensioneve, me zero taksa etj. Asgjë për rrugët si do të arrihen ato. Duke qenë në koalicion, ato shpresojnë dhe në votat e njerëzve të dëshpëruar nga parti të ndryshme, por dhe të të lëkundurve të tjerë. Lëvizja “Besa”, sikurse përmendëm, duke qenë në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaevit, e bën këtë të fundit më të kënaqur. Sikurse në fushatën e mëparshme, ajo do të ketë ithtarët e saj edhe nga radhët e tjera të shqiptarëve, madje, duke pasur dhe kandidatë shqiptarë për deputetë, përveç atyre të “Besës”.

Partia tjetër shqiptare, aleate në vite me parti maqedonase në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, me kryetar Ali Ahmetin, këtë radhë vjen në zgjedhjet e 15 korrikut me kërkesë jo të zakonshme: që Kryeministri të jetë shqiptar, duke e lançuar atë gjatë muajit të kaluar dhe bërë të njohur kandidaturën e Naser Ziberit, si Kryeministri i parë shqiptar. Kandidaturë e goditur kjo, me cilësi të spikatura, por gjithsesi e parealizueshme. A mund të ndodhë kjo sot, kur dihet se kush e përbën shumicën e votave dhe ku shkojnë ato? Të mos vemi më tej. Dihen dhe votat e vetë shqiptarëve të përçarë. Përçarje që, dihet, vetëm i dobëson pozitat e tyre. Të kujtojmë zgjedhjet e fundit për Presidentin e vendit. Kandidati shqiptar për President mori 10.4 për qind të votave, i përkrahur nga “Aleanca për Shqiptarët” dhe Lëvizja “Besa”. Votat e tjera shkonin gjetkë. Pra, kërkesa e BDI-së duket joreale. Ajo bëhet thjesht për show, në kuadër propagandistik. Një patetizëm, që e shfaqim jo rrallë ne shqiptarët, teksa e dimë me kohë realitetin. A thua më këtë mund të tërheqësh më shumë elektorat e të betonosh karriget e tua në pushtetin e nesërm? Apo kjo periudhë, duke qenë për BDI-në me firo të njohura, kërkesa e mësipërme kërkon të ngulitë te shqiptarët modelin e patriotizmit para rënies që pritet për të në zgjedhjet parlamentare të pas një jave? Ose, në fund të fundit, kjo të shërbejë si mbulesë për “rënie të butë” a si makijazh të imazhit të nesërm të saj, pas një dështimi të mundshëm. Por dhe vetë partitë shqiptare e shohin me skepticizëm këtë lëvizje të BDI-së.

Pala maqedonase e përfaqësuar nga LSDM-ja, që është në pushtet dhe VMRODPMNE, këto vite në opozitë, nuk mund të pajtohen me propozimin për Kryeministër shqiptar. E para e sheh atë si të tillë, që bëhet për populizëm nga BDI-ja. Ndërsa VMRODPMNE, e njohur për urrejtje ndëretnike, sidomos ndaj shqiptarëve, përmes nënkryetarit të vet, Nikollovski, shprehet se “në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet”, kur Kryeministër të vendit ata shohin kryetarin e tyre, Hristijan Mickoski. Edhe në këtë rast, për t’ia ngulitur më mirë në mendje elektoratit, ajo vazhdon t’ia mbajë për të madhe ish-qeverisë së Zaevit marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, sikurse keqësimin e problemeve që ekzistojnë në ekonominë maqedonase.

Partitë shqiptare, edhe gjatë kësaj fushate në Maqedoninë e Veriut multietnike, vazhdojnë të bëjnë prezente kërkesën për barazi, e përsëritur dhe stërpërsëritur kjo. Jo se nuk duhet të flitet. Në radhë të parë, klasa politike shqiptare kërkohet të flasë për kusuret e saj në këtë drejtim e ku pushteti maqedonas, me të cilin kanë bashkëjetuar edhe shqiptarët, i ka injoruar ato. Pavarësisht diçkaje që mund të ketë ndryshuar. Dhe që, edhe kjo “diçka” vlerësohet nga shteti maqedonas si dhuratë, në mos si sadaka. Prandaj, njerëzit nuk kanë nevojë për retorika nacionaliste e të natyrave të tjera, të cilitdo krahu qofshin, që sidomos gjatë këtyre ditëve janë ofruar pa kursim.

Mendoj se votat e shqiptarëve, edhe në këto zgjedhje do të jenë vendimtare. E them këtë se LSDM e Zaevit dhe VMRO-DPMNE parashihet të jenë afër njëra-tjetrës në rezultatin e zgjedhjeve. Ja pse votat e partive fituese shqiptare janë të domosdoshme për secilën prej tyre, për të pasur shumicën e nevojshme në krijimin e qeverisë së ardhshme. Vështirë të ketë qeveri vetëm me një palë, atë maqedonase. Qenia më afër Zaevit është më pranë reales. Zaev nga ana e tij e njeh bashkëjetesën me shqiptarët në pushtet, ndryshe nga paraardhësit. E rëndësishme është që të luftohet konkretisht dhe jo me fjalë, për bashkëjetesë të shëndetshme midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si dhe komuniteteve të tjera në vend. Larg retorikave boshe e strukjes në to!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura