Të shtëna me armë në lokal, dy policët e burgjeve fshehin ngjarjen

Jul 5, 2016 | 17:27
SHPËRNDAJE

Në orët e para të ditës së sotme, rreth orës 01:20 ka patur të shtëna me armë zjarri në një lokal në zonën e Priskës.

policia-lokalPor ngjarja është munduar të mbahej e fshehtë nga dy policët e burgjeve që ndodheshin në lokal. Ata së bashku me pronarin e lokalit kanë thënë se bëhej fjalë për fishekzjarrë.

Mirëpo, Policia ka gjetur gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe ka nisur procedimet penale për katër persona: Ardi Ajdini, 21 vjeç, banues në Tiranë; Hamza Agaci, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë polic burgjesh; Adrian Gjonaj, 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë polic burgjesh; Xh Picalli, 18 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi Ardi Ajdini i cili është dhe pronari i lokalit është arrestuar në flagrancë për veprën penale  “Moskallëzim krimi” dhe “Prishje e qetësisë publike”, pasi ky shtetas ka pretenduar që nuk ka patur të shtëna me armë zjarri por kanë qenë fishekëzajrrë.

Shtetasit Hamza Agaci dhe Adrian Gjonaj të cilët janë punonjës policie pranë burgut 313, nuk kanë dhënë informacion mbi ngjarjen e ndodhur, të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë për veprën penale  “Moskallëzim krimi”.

Në momentin e shoqërimit këta dy shtetas kanë patur edhe armët e shërbimit me vete (pistoleta të tipit “TT”), të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për egzaminim në laborator, por nga këqyrja paraprake gëzhojat që u gjetën dhe u sekuestruan  nuk përputhen vizulalisht me fishekët që qiten nga  pistoleta e tipit “TT”.

Shtetasi Xhesajn Picalli,  kamarjer i lokalit do të ndiqet gjithashtu penalisht, në gjendje të lirë për veprën penale  “Moskallezim krimi”.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Moskallëzim krimi”,  “Prishje e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe  municionit”, parashikuar nga Nenet 300, 274 dhe 278 të Kodit Penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura